Kuvendi shtyn seancën, komisionet non-stop për reformën
Realizimi i reformës zgjedhore ka detyruar Konferencën e Kryetarëve që të marrë vendimin për shtyrjen e seancës së djeshme. Sipas Konferencës së Kryetarëve, i duhet lënë kohë e mjaftueshme Komisionit të Ligjeve, që të diskutojë propozimet e bëra nga PS-ja, për ndryshimet e mundshme, që duhet të bëhen në Kushtetutë për reformën zgjedhore, me qëllim që ato të kalojnë për miratim në seancën e ditës së enjte. Sot, në Komisionin e Ligjeve do të shqyrtohen dhe më pas miratohen ndryshimet që do të bëhen në Kushtetutë. Këto ndryshime janë propozuar nga PS-ja dhe kanë gjetur mbështetjen e PD-së. Por partitë e vogla parlamentare, si të kampit opozitar, ashtu edhe atij mazhoritar, nuk i kanë pranuar propozimet e PS-së dhe sistemin që ajo kërkon të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme me argumentin se ai lë hapësira për abuzime në zgjedhje. Propozimi i PS-së është sistemi spanjoll që është kalimi në sistemin proporcional me listë shumëemërore, bazuar në ndarjen administrative sipas qarqeve aktuale. Tashmë, debati konkret për sistemin zgjedhor do të bëhet në Komisionin e Ligjeve dhe më pas do të kalojë në Kuvend. Megjithëse partitë e vogla janë shprehur kundër këtij sistemi dhe kanë deklaruar se nuk do ta votojnë. Duket se ky "kërcënim" nuk i ka shqetësuar aspak dy partitë e mëdha, të cilat kanë lënë të kuptojnë se së bashku ato i kanë votat në Kuvend për të miratuar ndryshimet e duhura në Kushtetutë.