E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, sektori më fitimprurës i ekonomisë

Kryeministri ka vijuar me një sërë takimesh në bashkinë e Himarës. Bashkëbisedohet me gazetarët nga kështjella e qyteti, vendi ku i biri i Gjergj Kastriotit nisi në shekullin e 16-të, një tjetër lëvizje të madhe për t’ia kthyer Shqipërinë Perëndimit

Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje kalanë e Himarës, një ndër kalatë më të vjetra në vend. Me një fond prej 1 milion euro, të Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare, në kala po investohet për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, rregullimin e rrugicave të kalldrëmit dhe sistemin e ndriçimit.
Pasi vizitoi kalanë, Kryeministri Berisha dha një konferencë për mediat, ku si temë qendrore pati ecurinë e sezonit turistik në vend dhe zhvillimin e turizmit në përgjithësi.
“Unë dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë qytetarët e bregut, të gjithë qytetarët shqiptarë për mikpritjen e madhe që kanë dëshmuar dhe dëshmojnë ndaj milionave qytetarëve që vijnë të kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri. Në një kohë të shkurtër, turizmi është bërë ndër degët më kryesore të ekonomisë. Gjatë këtij viti, ju më keni dëgjuar disa herë të theksoj rritjen e eksporteve 70 apo 80 për qind, sipas muajit, por dua t’ju them se rritja e turizmit është jashtë të gjitha parashikimeve. Sot, të ardhurat nga turizmi janë të ardhurat më të mëdha dhe që i shkojnë numrit më të madh të qytetarëve të këtij vendi. Gjatë vitit që kaloi dhe këtij viti, të marra së bashku, turizmi u rrit me 60 për qind, ndërsa nga viti 2004 gjer në fund të vitit 2009, u rrit 10 herë. Nga 300 mijë vizitorë që Shqipëria pati në vitin 2004, arriti në 3 milion në vitin 2009, por ky numër po rritet me shpejtësi këtë vit. Për këtë, mjafton t’ju jap një të dhënë. Nga data 31 korrik deri më 8 gusht, në Shqipëri hynë 430 mijë vizitorë, ose rreth 35 për qind më shumë, sesa në vitin 2004. Vetëm tunelin e rrugës Durrës-Morinë, këto 9 ditë e kanë kaluar në të dy drejtimet, 15 mijë qytetarë më shumë, se gjatë gjithë gushtit të kaluar. Statistika që unë mora sot [9.8.2010], deri në orën 17.00, dëshmojnë se nga 31 korriku gjer sot, kanë kaluar 408 mijë qytetarë, kundrejt 392 mijë që kanë kaluar vjet, nga 31 korriku gjer më 30 gusht. Pra, ka një rritje të papërmbajtur, e cila ka edhe arsyet e veta. Së pari, një infrastrukturë moderne dhe investime të mëdha në mbarë vendin. Ne kemi shumëfishuar investimet në zonat turistike me dhjetëra e dhjetëra herë, por dua të theksoj se investimi më i madh i bërë në historinë e këtij vendi, rruga e kombit, është shndërruar gjithashtu në një levë arkimedi për turizmin shqiptar. Kjo rrugë po rrit me shpejtësi marramendësi fluksin turistik në të gjithë ultësirën bregdetare dhe bregun e Jonit. Ne jemi të vendosur të kompletojmë me shpejtësinë më të madhe, të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe bregut të Jonit. Sikundër mbetemi të vendosur të adaptojmë duke filluar nga viti që vjen, një politikë shumë më agresive, më aktive në drejtim të infrastrukturës së maleve të vendit, të cilat kanë gjithashtu bukuri mahnitëse”, u shpreh Berisha.
Për kryeministrin Berisha, investimet në turizëm, përfshijnë edhe investimet në objekte me rëndësi historike e kulturore, sikurse ai ju referuar kështjellës së Himarës.
“Unë zgjodha jo rastësisht këtë kështjellë për konferencën e shtypit. Kjo është një nga kështjellat më vjetra të vendit, me fillime në shek e katërt para krishterimit, e cila ka shërbyer në shekuj e mijëvjeçarë si një mburojë e pamposhtur e kombit shqiptar. Kujtoj këtu se pas rënies së Krujës, Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut, vendosi të bëjë mbrojtjen e trevave shqiptare nga kjo kështjellë. Por kështjella ka edhe diçka tjetër të mrekullueshme, këta qytetarë që banojnë në të. Shikoni si e kanë mbjellë kështjellën, në çdo cep e qoshe të saj, duke e shndërruar atë në një kopsht të vërtetë, me mund sakrifica e vështirësi. Në këtë kështjellë po investohen rreth 1 milion euro, me Komisionin Europian dhe qeverinë shqiptare, sikundër po investohen dhe do investojmë në të gjitha kështjellat e vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë që trashëgiminë e të parëve tanë ta konservojmë dhe zhvillojmë sa më shumë. Këtu, në bashkinë e Himarës janë bërë dhe po bëhen investime shumë serioze, jo vetëm në kështjellë, por edhe në të gjitha kishat e bukura, të cilat u rrënuan për shkaqet që dihen, por që do të ndërtohen dhe rikthehen siç kanë qenë. I tërë sistemi i kështjellave do të rindërtohet dhe po punohet në Borsh, Himarë dhe kudo. Kështjellat, vendet me gjetje arkeologjike, edhe ato janë të një rëndësie shumë të veçantë për tërheqjen e turistëve”, vijoi Berisha me deklarimin e tij.
I vetëdijshëm për shumë probleme dhe vështirësi, që hasin banorët e zonave të ndryshme të vendit, kryeministri Berisha evidentoi më tej kohën e ndryshimeve, e cila sipas tij “nuk ka pasur ndonjëherë kohë ndryshimi më të shpejtë, sesa kjo, ndërsa ftoi opozitën, ta kritikojnë qeverinë, pasi kjo është detyra e tyre, por të mos mohojnë, sepse nihilizmi në Shqipëri ka një origjinë shumë të keqe. Unë i ftoj opozitarët të vizitojnë vendin e tyre, të prekin realitetin. Ky realitet nuk është kurrë rozë, nuk është kaq i purpurt, ka të gjitha, arritjet e problematikat, por absolutisht, nihilizmi është mohimi i vetvetes në një farë mënyre, pasi çdo gjë që të bësh, realitetin nuk mund ta mohosh. Himara sot ka një realitet, ku janë dhjetëra e dhjetëra rrugë të asfaltuara dhe shumë të mira, janë ujësjellës, kanalizime, restaurime. Ndërsa realiteti i 5 viteve më parë, ishte infernal. Unë vija për fushatë dhe ishte një nga rrugët më të vështira që bëja, por, ndërsa unë e bëja një herë në 3-4 vite, ju e bënit atë rrugë sa herë jua donte nevoja të shkonit në Vlorë apo Tiranë. Apo ju jetonit në bregdet dhe rrugët tuaja që zbrisnin drejt detit ishin si rrugë qerresh. Sot, ka një realitet tërësisht të ri”, u shpreh më tej kryeministri.
Kryeministri Berisha përshëndeti më pas të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj të cilët sipas tij “përzgjodhën Himarën, Sarandën, Vlorën, Divjakën, Golemin, Durrësin, Velipojën, Talen, Valbonën, Thethin, Voskopojën, përzgjodhën pra, Shqipërinë, për të kaluar pushimet e tyre. I garantoj se verën tjetër këtë vend do ta gjejnë edhe më të bukur, edhe më të ndërtuar, edhe më të këndshëm për pushimet e tyre”.
Më pas, Kryeministri iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve në lidhje me zhvillimet politike në vend.

Po afrohet muaji shtator dhe ju keni thënë se do t’i jepni shumicën në komision opozitës për të hetuar zgjedhjet apo dhe kutitë e votimit?
Ka një rezolutë të Parlamentit Europian. Unë mbetem për zbatimin e saj germë për germe dhe në frymën e saj totale. Rezoluta përcakton qartë se çfarë duhet të hetohet dhe unë i qëndroj plotësisht asaj, i qëndroj plotësisht ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Shqipëria nuk mund të bëhet dhe zhbëhet. Shqipëria bëhet vetëm duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e saj dhe duke i përmirësuar ato, jo duke i shkelur. Mendoj se rezoluta ka përcaktuar qartësisht hetimin e materialeve të votimit dhe nëse e keni ndjekur, ju duhet ta dini, ka pasur ndonjë deputet të thekur të majtë që kërkoi më shumë, por 547 deputetë europianë votuan për materialet e votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit. Të gjitha të tjerat, çka është në kuadrin ligjor, çka është në kuadrin kushtetues, qëndroj plotësisht i vendosur të bashkëpunoj me opozitën.

A do t’i merrni në konsideratë propozimet e bëra nga partitë e vogla aleate me ju, për sa i përket zgjedhjeve vendore?
Unë dua t’ju garantoj se jo vetëm në këto zgjedhje, por, në qoftë se merr në tërësi praktikën time, janë koalicionet dhe gjerësia ndaj kërkesave të partive të vogla. Kështu që, unë mbetem plotësisht i hapur dhe i dëgjoj me shumë vëmendje ato, të të gjithë spektrit, të majta, të djathta. Ato janë pjesë e realitetit shqiptar dhe unë nuk mohoj realitetin.

Pyetja ime ka të bëjë me një propozim të PS-së në lidhje me një ligj organik për Presidentin e Republikës. Dy ditë më parë, Fatmir Xhafaj tha se mund të ketë edhe një ligj për Kuvendin apo mund të jetë një nisje për një reformë kushtetuese. Si e mendoni?
Unë mendoj se ligji themelor i vendit ka të përcaktuara të gjitha kompetencat, të drejtat e Presidentit të Republikës dhe i ka shumë mirë të përcaktuara. A mund të ketë ligj për presidencën? Shumica e vendeve e kanë. Por, nga ana tjetër, dua të theksoj se detyrimet kushtetuese janë më eprore, se të gjitha detyrimet e tjera ligjore. Pra, në qoftë se parlamenti funksion mbi bazën e një ligji, sepse ka një veprimtari të përditshme, të gjerë, të shumëllojtë, Presidenti funksionon mbi bazën e përcaktimeve kushtetuese. Zbatimi i tyre me korrektesë është ligji më i mirë për presidencën e vendit. Unë, natyrisht, ndjek me interes iniciativat e deputetëve. Qeveria vetë nuk ka ndërmend të marrë ndonjë nismë që të bëjë ligjin për presidencën. Kemi axhenda të tjera. Deputetë, po të duan, mund ta bëjnë.

Duke qenë se jemi në jug të vendit dhe problemet e tokës janë të mëdha, vjeshta do ta ketë në axhendën tuaj këtë çështje?
Një nga arritjet më të mëdha të qeverisë sime në zonën e bregdetit është se gradualisht po e shpëton atë nga kthetrat e mafies. Kryetari i bashkisë së Himarës, bashkisë së Orikumit, Ksamilit, Sarandës, kryetari i komunës së Lukovës, janë këta që do të bëjnë planet rregulluese, në përputhje me masterplanin e mrekullueshëm. Mund të dalësh mbi kodër dhe të shikosh sesi Himarës i kanë ‘lidhur’ sytë, ia kanë zënë pamjen, dy kullat e partisë. Se ç’bëhet me njerëzit mbrapa tyre, këtë e di ai që u vendosi kullat para. Këto nuk do të ndodhin më. Pa diskutim, ka një problematikë toke, për të cilën qeveria vendore ka bërë propozimet e veta dhe që ka të bëjë edhe me çështje të lidhura me ligjin, por të lidhura edhe me Kodin Civil. Pra, problematika këtu është më komplekse për shumë faktorë, por një gjë është e sigurt se ne po përpiqemi dhe do përpiqemi ta zgjidhim dhe ekzekutivi është mundësi për të zgjidhur, në përputhje me ligjet. Para se të vija këtu, inaugurova rrugën për në Livadhë dhe një zonjë më dorëzoi një dosje, sepse në tokat e saj ‘të pushtuara’, tek Uji i Ftohtë, po ndërtojnë. Problemet qëndrojnë, por edhe qeveria qëndron për zgjidhjen e tyre. Fatmirësisht, me planet rregulluese është krijuar një mundësi e madhe për t’u frenuar ‘pushtimet’ e tokave dhe pastaj një politikë e re urbanistike për të gjithë zonën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›