Berisha: Shqiptarët do të kenë së shpejti internet me çmimin më të ulët në Europë
Qeveria është e keqardhur për çmimin me të cilin u shitet internet shqiptarëve dhe zotohet se do tu ofrojë shumë shpejt internetin më të lirë në Europë. Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë u shpreh se ndërsa përdorimi I telefonisë së lëvizshme është rritur në nivelet më të larta, çmimet e internetit janë të pamerituara, por shumë shpejt do të jenë në nivelet më të ulëta në Europë.
Ka një rënie të ndjeshme, d.m.th. një kursim të ndjeshëm nga qytetarët shqiptarë. Telefonia mobile është rritur në nivelet më të larta, 184 për qind, vjet ishte 140 për qind. Çdo shqiptar po shkon mesatarisht drejt dy telefonave për person. Kjo është arritje e madhe. Ne do tu ofrojmë shqiptarëve internet me çmimet më të ulëta në Europë. Nuk do mund të ketë një vend të dytë, pavarësisht madhësisë dhe teknologjisë, që të ofrojë internet më të lirë se në Shqipëri.
Çmimet e internetit janë të pamerituara por ne nuk i përcaktojmë ato. Ne do të bëjmë gjithcka që në 1200 pika të tjera të ketë internet falas. Ky është një tjetër zotim për Shqipërinë në moshën dixhitale. Sot shqiptarët kanë kompjuter në xhep, ata duhet të kenë internet më çmimin më të leverdisshëm. Shprehim keqardhje për çmimin që shitet sot, po shpejt ata do ta kenë me çmimin më të ulët në Europë, tha Berisha.
Kryeministri shigjetoi kreun e opozitës, ndërsa foli për internetin dhe rrjetet sociale.
Të bësh ciu ciu me zë korbi, të fusësh politikë çdo ditë në rrjetet sociale nuk shkon. Por çdo njeri është i lirë të zgjedhë mënyrën e tij të komunikimit. Unë kam zgjedhur të komunikoj direkt me qytetarët e mi. Nëse unë do të zgjidhja të futesha në një strehëz të padukshme, kjo do të thoshte se kam shumë probleme me veten time.
Dëmshpërblimi i të përndjekurve, të përfshihen edhe ata që u mbyllën në spitalet psikiatrike
Në nisje të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se në kategorinë e të persekutuarve të regjimit komunist duhet të përfshihen edhe ata që u mbyllën në spitale psikiatrike për shkak të bindjeve të tyre.
Sot kemi një vendim të qeverisë për dëmshpërblimin e një grupi të një kategorie tjetër të ekzekutuar apo të vdekur në hetuesitë e Sigurimit të Shtetit, por në këto kategori duhet të shtohen të gjtihë qytetarët të cilët u ndrynë për bindje politike në spitalet psikiatrike. E vërteta e padisukuteshme dhe e dokumentuar është se spitalet e Elbasanit dhe Vlorës u përdorën njëkohësisht si bugje për vendime politike. Kjo praktikë ka vazhduar gjatë gjithë regjimit komunist. Ajo është zhvilluar mbi bazën e gjyqeve të caktuar ndaj këtyre qytetarëve, tha Berisha. / G.N.