Berisha: Shqiptarët janë një, si të majtë e të djathtë
Kreu i qeverisë përuroi të shtunën 1000 metra rrugë në Lushnjë me një vlerë prej 31 milionë lekësh
LUSHNJË - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ishte dje në qytetin e Lushnjës për të shpallur 16 kandidatët e Qarkut të Fierit. Fillimisht paraditen e djeshme ai përuroi një rrugë të përfunduar 1-kilometërshe në komunën Dushk me një vlerë prej 30 milionë lekësh, si dhe preu shiritin e fillimit të një rruge tjetër në fshatin Sulzotaj të komunës Tërbuf , 700 metra e gjatë, me një vlerë prej 21 milionë lekësh.
Gjatë përurimit të rrugëve dytësore, kreu i qeverisë u shpreh se jo vetëm këto rrugë, por edhe të tjera, më një gjatësi më të madhe do të realizohen me ekipin e tij qeverisës. Berisha premtoi se në asnjë njësi vendore ai nuk do të shohë nëse ështe e majtë apo e djathtë, por se ishte i gatshëm të mbështesë çdo lloj projekti që sillet nga njësitë vendore. "Ne kemi një program zhvillimi rural dhe në këtë mënyrë do t'i japim jetë çdo flete të projektuar për zhvillim. Unë nuk kam pasur probleme me komunat. Sot po përurojmë një rrugë brenda një komune të majtë, por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi shqiptarët janë një, si të majtë, ashtu edhe të djathtë",- u shpreh Berisha.
Kryeministri u është drejtuar edhe fermerëve duke thënë se do t'u subvensionojë imputet bujqësore për naftën. "Do të ulemi së bashku këmbëkryq që të gjejmë një rrugë që subvensionimi për bujqësinë të mos shkojë në duart e hajdutëve, por në xhepat tuaj",- tha kreu i qeverisë. Ndërsa gjatë pasdites, në sheshin kryesor të qytetit, para bashkisë, Berisha prezantoi kandidatët, ku për qytetin e Lushnjës kandidon Daut Sulaj. Në fjalimin e tij Kryeministri vlerësoi punën e bërë në katër vjet qeverisje, duke përmendur si realitet më të madh anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Në premtimet për vitet në vijim, Berisha tha se "tani e tutje nuk do të vij për t'u angazhuar dhe për t'ju zotuar juve se do të ndërtoj këtë rrugë apo atë rrugë, por di t'ju them se që sot e tutje do të ndërtoj çdo rrugë, çfarëdolloj kosto që të kenë ato, ne do t'ua asfaltojmë rrugët juve. Ne nuk do të ndërtojmë këtë ujësjellës apo atë ujësjellës, po do të sjellim ujë të pijshëm në çdo shtëpi shqiptare kudo që ndodhet. Ne zotohemi se pensionet tuaja jo vetëm do të jenë të barabarta me pensionet e qytetit, por këto pensione, në rast se tani ua kemi kaluar dy vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pas katër vitesh pensionet do të jenë dhe më të larta se dhe gjashtë vende të Bashkimit Evropian",- përmbylli fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare.