Islami, ultimatum qeverisë, sot afati i fundit për kartat
Selia rozë ka paralajmëruar se, në bazë të reagimit të qeverisë ndaj 3 kërkesave, do të përcaktojë qëndrimin për zgjedhjet
Sot skadon ultimatumi që Partia Socialiste i ka vendosur Ministrisë së Brendshme për të servirur të gjitha të dhënat që disponon lidhur me procesin e pajisjes së shtetasve pa pasaportë me letërnjoftime elektronike. Në daljen e disatë radhazi për këtë çështje, sekretari socialist për çështjet elektorale, Kastriot Islami, i ka kujtuar qeverisë se me veprimet e saja të informimit gjysmak për këtë proces nuk po bën gjë tjetër veçse po vërteton qëllimin final, atë të manipulimit të zgjedhjeve nëpërmjet kartave të identitetit.
"PSSH-ja, duke mos dashur të vendosë asnjë kusht, por duke qenë tejet e shqetësuar për situatën e rëndë me letërnjoftimet, ripërsërit, duke bërë me dije publikun dhe partnerët ndërkombëtarë, se data 31 maj është afati i fundit kur pritet një përgjigje nga ministri i Brendshëm për kërkesat e saj të natyrshme. PSSH-ja, po ashtu, pa dashur të bëjë asnjë presion, bën qetësisht me dije publikun dhe partnerët ndërkombëtarë se mungesa e një përgjigjeje deri më 31 maj 2009 do të konsiderohet një tregues shtesë negativ i mungesës së transparencës, duke rritur kështu mundësitë për ta konsideruar procesin jo vetëm të dështuar, por edhe qëllimisht të programuar për manipulim", - u shpreh Islami. Në një situatë të tillë, kur më shumë se 300 mijë shtetas nuk do të kenë mundësi për të votuar, socialistët duket se janë gati të marrin një vendim ekstrem lidhur me procesin zgjedhor.
Një gjë të tillë e ka lënë të kuptohet Islami, i cili ka deklaruar se PS-ja do ta konsiderojë qëndrimin e saj të mëtejshëm në bazë të të dhënave që pret edhe sot t'ia vërë në dispozicion Ministria e Brendshme. "Në këtë rast, PSSH-ja deklaron se nuk pranon të shndërrohet në bashkëfajtore në administrimin e një procesi të dështuar e që për më tepër synon të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve. Në këtë rast përgjegjësia dhe fajësia do të jenë tërësisht të qeverisë dhe të Kryeministrit Berisha.
Dhe e gjithë ecuria e mëtejshme e administrimit të procesit zgjedhor dhe pasojat përkatëse do të mbeten dhe do të rëndojnë vetëm mbi qeverinë dhe Kryeministrin Berisha", - tha më tej Islami. Duke iu referuar pretendimit të zëvendësministrit Poni, i cili në një nga letrat e tij nisur PS-së, deklaronte se vetë socialistët kanë pranuar se 260 mijë shtetas pa pasaportë nuk mund të pajisen me letërnjoftime elektronike për shkak se gjenden jashtë vendit në emigracion të paligjshëm, Islami ka theksuar se kjo është një gënjeshtër që kërkon t'u hedhë hi syve të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar. Madje, ai e ka vlerësuar këtë deklaratë si një dëshmi e faktit se ky proces ka dështuar.
"Ministri, duke deklaruar se "opozita ka pretenduar gjatë gjithë kohës se duhet të aplikojnë nga grupi i votuesve pa pasaportë rreth 500 000 shtetas", veçse artikulon zyrtarisht një trillim abuziv. PSSH-ja, nga fillimi e deri më sot ka kërkuar të pajisen me letërnjoftim të gjithë 730 mijë shtetasit pa pasaportë të listës së MB-së dhe bile ka kontestuar këtë listë si të zvogëluar, sepse nga informacionet e saj rezultojnë shumë votues pa pasaportë që nuk janë në këtë listë", - shtoi më tej Islami.
Prandaj, për të shmangur një vendimmarrje ekstreme të selisë rozë lidhur me procesin zgjedhor, sekretari socialist ka bërë të ditur edhe një herë kërkesat për të patur listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje të votuesve me pasaportë, listën e 1.013.359 shtetasve që kanë aplikuar për karta, si dhe listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje të të gjithë aplikantëve që kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhënat e datës 28 maj 2009.