PBDNJ çel fushaten, Dule: Gabova me Kserën
GJIROKASTËR- Kanë vazhduar edhe dje akuzat ndaj Spiro Kserës, në dy takime elektorale, aktualisht i dyti në listën për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun e Gjirokastrës. Vangjel Tavo, deputeti socialist dhe njëri prej "armiqve" të njohur politikë të Spiro Kserës, ka deklaruar se lëvizja e tij hodhi poshtë të gjitha parrullat në të cilat etiketohej si përfaqësues i kombit grek. Deklaratat e tij u bënë gjatë hapjes së fushatës elektorale në zonën ku jeton minoriteti grek në Gjirokastër, në fshatin Jorgucat të komunës së Dropullit të Sipërm.
"Me veprimin e tij më të fundit, prefekti Spiro Ksera ngeli zbuluar dhe lakuriq, se tashmë nuk mund të përfaqësohet më si përfaqësues i kombit grek. Ai përfaqëson vetëm një qeveri që ka larguar me dhjetëra socialistë minoritare nga puna. Ne denoncojmë tani largimin e përfaqësueve të Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut nga admininistrata, por si minoritarë, si prindër dhe si familjarë kemi të drejtën të shtrojmë një pyetje: Si ndiheshin kur 4 vjet më parë ata vetë urdhëronin largimin nga puna të vëllezërve të tyre minoritarë?
Tashmë edhe Athina zyrtare e kuptoi se cilët janë ata që e duan vërtet vendlindjen, duke e shprehur këtë dashuri me vepra. Ne jemi kryelartë dhe shumë të ndërgjegjshëm për atë që kemi bërë për zonën tonë. Ndërsa prefekti Ksera është një person totalisht i korruptuar se të gjitha investimet për punë publike i ka marrë firma e tij private", është shprehur Tavo.
Nga ana tjetër, në çeljen zyrtare të fushatës elektorale të Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut dhe organizatës OMONIA në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Dule ka bërë autokritikë për vendimin e pak kohëve më parë për vendosjen e Spiro Kserës në listën e kandidatëve nën këto sigla. "Si politikan e kuptoj që kam bërë gabim dhe ju kërkoj ndjesë publike për faktin se prefekti i Gjirokastrës dhe ish-ministri u vendosën në listat e PBDNJ dhe organizatës OMONIA, pasi nuk e meritonin.
Ndërsa nga ana humane, nuk më mbetet gjë tjetër përveçse t'u uroj fat", ka theksuar Dule. Ndërsa Bollano ka deklaruar vendimin që OMONIA dhe PBDNJ të vazhdojnë të ecin sëbashku në këto zgjedhje, pavarësisht largimit të dy eksponentëve. Një incident është shënuar gjatë çeljes zyrtare të fushatës elektorale të Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut dhe organizatës OMONIA në qarkun e Gjirokastrës. Njëra prej të rejave që kërcenin valle dropullite, papritur ka rënë pa ndjenja në tokë, duke shkaktuar shqetësim te të gjithë të pranishmit. Pas shoqërimit të saj për të marrë ndihmën e parë mjekësore, takimi ka vijuar normalisht.