E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra e votimit, me element sigurie ultravioletë

KQZ-ja ka miratuar dje modelin përfundimtar të letrës së votimit. Në Tiranë garojnë 35 parti dhe një kandidat i pavarur


Përvoja e keqe e zgjedhjeve të shkuara, ku nuk ka munguar manipulimi dhe falsifikimi i fletëve të votimit, ka detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që për garën e elektorale të 28 qershorit të marrë masa të forta për t'i prerë rrugën çdo tentative të tillë. Ndërsa nuk ka mundur të sigurojë një letër sipas kërkesave të Partisë Socialiste, me watermarket të personalizuar, KQZ-ja ka rënë dakord me kompaninë sllovene "Cetis", që ka fituar edhe tenderin e prodhimit të fletëve të votimit për të shtuar elementët e tjerë të sigurisë në to.


Fleta do të ketë ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore dhe do të prodhohet prej letre, me watermark unik të vazhduar, me skicë speciale me ngjyrë, si dhe me trashësi dhe elemente konfigurimi, të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Falë këmbënguljes së socialistëve, kompania sllovene "Cetis", në pamundësi për të përdorur një letër me watermarket të personalizuar, dje, në një përgjigje elektronike që i ka sjellë KQZ-së, ka pranuar që të shtojë edhe një element tjetër sigurie.


Bëhet fjalë për përfshirjen në letrën e votimit edhe të një elementi me ngjyrë ultravioletë dhe që nuk mund të dallohet me sy të lirë, por vetëm me dritë speciale. Ky element do të përfshihet në letër gjatë printimit të fletëve të votimit. Por, siç bëjnë të ditur burime pranë KQZ-së, nuk bëhet fjalë për kontrollimin e fletëve të votimit gjatë procesit të votimit apo numërimit me aparaturën ultravioletë, pasi kjo do të sillte shtim të barrës financiare të këtyre zgjedhjeve, si dhe do të kërkonte më shumë kohë.

Aparaturat që dallojnë ngjyrën ultravioletë do të përdoren vetëm në rastet kur për fletë të veçanta do të ketë dyshime për falsifikim. Ndërkohë që kompania ka rënë dakord me KQZ-në që, për të shmangur çdo burim manipulimi, të mos tregtoijë tregun shqiptar për tre muajt e ardhshëm letër të këtij lloji. Ndërkohë, po gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ-ja miratoi dhe modelin e fletës së votimit, e cila do të jetë e formatit A3, me ngjyrë të verdhë, ku rreshtimi i koalicioneve do të bëhet anash në të majtë dhe subjektet zgjedhore të renditur në mënyrë horizontale njëri pas tjetrit.


Partia Demokratike renditet e 10-ta , Partia Socialiste e 32-ta, ndërsa grupimi G99 ka marrë në listë numrin e fatit, 31.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›