E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha i servir Vlorës deputetin e Gërdecit

Lideri socialist prezantoi dje kandidatët për deputetë, ndërsa tha se të gjithë kishin të drejtë të ëndërronin transformimin


VLORË - "Pas 28 ditësh njëra është rruga e vjetër, me deputetin e Gërdecit, rruga që Sali Berisha u propozon vlonjatëve, pasi shaka më të hidhur ai nuk mund të bënte me Vlorën, dhe rruga tjetër është rruga jonë, e cila vjen si një sfidë e vërtetë e ndryshimit, - u shpreh Rama dje në qytetin e Vlorës teksa prezantoi në amfiteatrin "Aulona" 12 kandidatët socialistë. - Është në dorën tuaj që edhe këto katër vjet të tjera të jenë si këto 18 vjet ose të jenë transformim, çka e ëndërrojmë me të drejtën e Zotit, - tha kreu i Partisë Socialiste.


Atmosfera është paraprirë nga grupi "West Side Family", të cilët ardhjen e kreut socialist e kanë shoqëruar me siglën e fushatës. Çelja zyrtare e fushatës është bërë nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, i cili është edhe sekretari organizativ i qarkut për PS e Vlorës. Duke e quajtur Ramën Kryeministrin e ardhshëm shqiptar, Gjika tha se me qeverisjen e ardhshme Vlora do të ridimensionohet në një qendër të vërtetë, duke lënë pas ngërçin e tanishëm qeverisës. Mesazhin e kandidatit që çel listën në Vlorë, Arben Isaraj, e ka lexuar Gjika. Duke ftuar në letrën e tij që vlonjatët të vlerësojnë detyrimet e të qenit qytetar, Isaraj dha vlerësimin e tij për kandidatët demokratë.


"Ansambli i kandidatëve që PD-ja i ofron Vlorës është deputeti i Gërdecit, pjesa tjetër që vjen prapa ka vdekur me Doktorin që në 2005-n", shprehej Isaraj. Ai vijoi se tashmë ka për të fituar një betejë personale (duke iu referuar gjendjes së tij shëndetësore), për t'iu bashkuar më pas betejës së madhe. Ndërsa në fjalën e tij kreu socialist Rama u shpreh: "Më lejoni t'ju përulem me mirënjohje për të gjitha këto vite të vështira të opozitës. Unë e di tashmë mirë pse duhet të jem pjesë e këtij ndryshimi dhe ky ndryshim nuk vjen pa ndryshuar politikën.


Misioni ynë është që të bashkohemi e t'u japim njerëzve një politikë të re, duke e nxjerrë politikën nga llogorja ku politikanët tanë gjuajnë me baltë njëri-tjetrin dhe bëjnë vetëm politikë për interesat e tyre. Ky misioni ynë bazohet në forcën e arsyes, dhe jo në arsyen e forcës. Sot shqiptarët meritojnë më shumë se kjo luftë e vjetër gjelash që kacafyten, më shumë në garën e egër të denigrimit, meritojnë një politikë që të ketë zemër, për të ndier qetësinë, vizione, forcë, këmbëngulje, por edhe vullnet për të shkruar një faqe të re".


Kreu socialist theksoi se pas 28 ditësh vlonjatët do të kenë mundësi që të zgjidhin një histori të shkruar nga të tjerët për ta se të hapin një faqe të re të historisë. Ai tha se Berisha premtoi katër vjet më parë se shqiptarët do të lëviznin të lirë dhe pa viza dhe sërish ai premton për to. "Unë nuk premtoj, por angazhohem se do të bëj gjithë përpjekjet e mia maksimale në realizimin e kësaj lëvizjeje",- u shpreh Rama.



Kreu socialist në Patos: Votoni programin tonë


FIER - Thirrjet elektorale të 16 kandidatëve për deputetë në Patos u pasuan me fjalën e kreut të PSSH-së Edi Rama, i cili edhe në këtë takim kërkoi mbështetjen e elektoratit për t'u bërë kryeministër me qëllim që qeveria e re e socialistëve të jetë për popullin e me popullin. "Ju do të votoni jo më për të zgjedhur mes një kandidati dhe një kandidati tjetër, por për zgjedhur mes një programi dhe një programi tjetër, mes një skuadre dhe një tjetre, mes një lideri me një lider tjetër.


Dua të jeni të gjithë të vetëdijshëm se vota juaj më 28 qershor vlen shumë më shumë sesa një deputet. Me një votë këtu në qarkun e Fierit, në Fier, në Patos, në Lushnjë, në Mallakastër, në Roskovec, me një votë të vetme, kush voton për PS-në merr të paktën 10 deputetë", tha Edi Rama në qytezën naftëtare të Patosit.


Rama bëri apel edhe për partitë duke thënë: "Atyre partive dhe partizave që ju sjellin në derë individë, të cilët thonë se duan të bëhen deputetët tuaj, duhet t'u thoni se koha e vjetër ka mbaruar dhe sot është një kohë e re, ku kontrata nuk është më individuale me kandidatin që të vjen tek dera, por është një kontratë politike dhe qytetare me forcën politike që do të lëvizë dhe që juve sot ju sjell përpara një ekip".


Pas fjalës së tij, Rama shëtiti për më shumë se 600 metra në bulevardin kryesor të kësaj qyteze që numëron afro 35 mijë banorë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›