Ministria e Brendshme dorëzohet para socialistëve
Konfirmohet se numri i aplikimeve ka arritur në 1 milion e 150 mijë shtetas, nga të cilët 460 mijë pa pasaportë
Çështja e kartave të identitetit ka vënë Partinë Socialiste dhe Ministrinë e Brendshme në një dialog në distancë. Ashtu si dhe ditët e tjera, menjëherë sapo sekretari socialist, Kastriot Islami, ka mbyllur konferencën e tij për shtyp, ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila nëpërmjet zëdhënësit të saj, Fatmir Konja, ka hedhur poshtë pretendimet e socialistëve për ecurinë e këtij procesi.
Ai ka bërë të ditur se pikërisht dje Partisë Socialiste i ishte dërguar lista emërore e personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani, si dhe lista e personave që nuk kanë aplikuar ende. "Ministria e Brendshme i ka dërguar sot Partisë Socialiste listën emërore të personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani, si dhe listën e personave pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar. Ministria e Brendshme i ka dërguar Partisë Socialiste, Prezencës së OSBE-së dhe Misionit të ODIHR-it, analizën e saktë se nëpërmjet 476 stacioneve të aplikimit që sot punojnë 7 ditë të javës nga ora 08 e mëngjesit deri në orën 21 të mbrëmjes, janë në dispozicion kapacitete për të aplikuar edhe më shumë se 400.000 qytetarë të tjerë", - tha Konja në deklaratën e vet.
Gjithashtu, ai ka replikuar me Islamin se ekziston korrespondenca zyrtare, ku PS-ja ka pranuar se priste që të aplikonin vetëm 500 mijë shtetas pa pasaportë. Ndërkohë, Ministria e Brendshme ka bërë publike të dhënat e fundit lidhur me procesin e aplikimit, duke deklaruar se deri ditën e djeshme kanë aplikuar 1.150.000 shtetas, ndërsa janë hedhur në sistem dhe dërguar në MB 1 milion e 13 mijë aplikime, nga të cilët 420.000 i takojnë atyre pa pasaportë. Por, numri total i personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani, sipas kësaj ministrie, është më shumë se 460.000.