E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Si u bëra anëtar i Partisë së Punës”

Pas deklaratës së Zabit Brokajt ribotohet rrëfimi i kryeministrit. Berisha pranoi anëtarësimin dhe

Pas intervistës për “Albania”-n të ish-deputetit Zabit Brokaj, ku ai deklaroi se kishte anëtarësuar kryeministrin Berisha në Partinë e Punës, gazeta riboton dëshminë e vetë kryeministrit të dhënë rreth tre vite më parë lidhur me këtë çështje. Në këtë intervistë Berisha ka deklaruar se ishte anëtarësuar në PPSH pas pushtimit të Çekisë dhe se kjo ngjarje ishte një shtysë e fortë për të kryer anëtarësimin në vitin 1969. “Jam anëtarësuar në PPSH pas pushtimit të Çekisë më 1969-n. Mund të them se qe një ngjarje që ka ndikuar thellësisht tek unë. E ndiqnim me shumë interes Pranverën Çeke’. Nuk mund të them se unë isha intelektual në atë kohë, isha student. E kam përjetuar me shumë kënaqësi prishjen me Bashkimin Sovjetik, sepse kishte një lloj rusifikimi shumë të neveritshëm në atë periudhë. Po të marrim gjuhën tonë, ajo ka neurologjizma neolatine dhe një mori e tërë shqiptarësh që shkuan të studionin në Moskë filluan të introduktojnë neurologjizma sllave. Nuk mund të them se nuk kisha një ndikim familjar për shkak të Kosovës. Pa diskutim që ai ishte. Kështu që ishte gjithnjë shpresa se ndarja me BS do të na çonte drejt Perëndimit. Dhe ky ka qenë një faktor i dytë që më ka nxitur të anëtarësohem”, - ka deklaruar Berisha. Sakaq Berisha ka shtuar se këtë zgjedhje e kishte bërë thjesht nga një pozicionim personal dhe aspak si një zgjedhje të rekomanduar apo të kalkuluar. “Asnjë faktor tjetër për një pozicion timin, sepse unë pozicionin e kisha nga vetja ime. Megjithatë, jam mbajtur në Fakultet në një katedër thelbësore, kam pasur një grup kolegësh të shkëlqyer, të zotë, të aftë. Sepse pasi u prishëm me rusët, filloi një lloj hapjeje. Transmetohej ‘Mami blu’. Ose filluan të shfaqen filma italianë. Në fakt ishte një zhgënjim i tmerrshëm, sepse ne shkuam drejt Revolucionit Kulturor Kinez dhe e riprodhuam atë revolucion, por tanimë të çfazuar, të spostuar shumë në kohë, në mënyra shumë të egra dhe shumë të shëmtuara”, - ka sqaruar ai.
Nomenklatura
Në këtë intervistë të dhënë para tre vitesh kryeministri Berisha është deklaruar se anëtarësimi i tij në Partinë e Punës nuk kishte lidhje me karrierën e tij apo me pragmatizmin për të ecur përpara në profesion. Madje Berisha është shprehur se e shihte komunizmin “si një trampolinë” drejt zhvillimit ekonomik e jo si një filozofi së cilës ai i besonte. “Absolutisht nuk e kam parë si një mundësi për karrierë, sepse unë e kam pasur një karrierë. Nuk kam besuar te komunizmi, kam besuar te shtysa që mund të bëhej për të ecur drejt hapjes. Me atë formim që kisha isha shumë i vendosur, sepse flitej se do të na pushtonin. Flitej Shqipëria, e dyta pas Çekisë. Këtë unë e konsideroja apokalipsin dhe kam qenë jashtëzakonisht i përkushtuar në njohuritë e mia ushtarake modeste, por doja të bëja atë që do të bënte një qytetar kundër pushtuesit, sepse ishte shumë e përhapur ideja se do të pushtohej Shqipëria pas Çekisë. Nuk është se unë kam qenë antirus, por kam qenë totalisht për një orientim tjetër”, - ka deklaruar asokohe Berisha.
Komunizmi
Kryeministri Berisha ka shpjeguar edhe “zhgënjimin” e tij ndaj Partisë së Punës, ku sipas tij momenti i parë ka qenë Plenumi IV. Ndonëse ishte anëtarësuar para këtij Plenumi, Berisha ka pretenduar se në këtë periudhë vuri në pikëpyetje ecurinë e qeverisjes nga Partia e Punës. “Kam dyshuar menjëherë pas Plenumit IV. Ai ishte rrënimi i të gjitha atyre pak aspiratave. Ai ishte një faqe e zezë. Ismaili shkroi ‘Dimrin e vetmisë së madhe’ dhe vepra e tij u bë një objekt debati ndër më primitivët. ‘Ta djegim, te kjo shtyllë ta djegim, te ajo shtyllë’. Të gjitha i menaxhonte diktatori, i cili nga një anë hiqej sikur po i përballonte, e nga ana tjetër priste koka. Pastaj sulmoi dhe Rilindjen Kombëtare, sulmoi klasikët e muzikës. Filloi një dramë e madhe kombëtare”, - ka deklaruar Berisha.
Berisha më tej është shprehur se shumë nga pakënaqësitë i ka ndarë dhe me miq apo kolegë të kohës, ndonëse kjo atëherë përbënte një veprim me jo pak rrezik. “Flisnim me njëri-tjetrin dhe mund të them se në atë kolektivitet ku kemi qenë, censurë nuk kemi pasur. Jemi hapur. Mund të kemi diskutuar çfarëdo që të donim me njëri-tjetrin”, - ka sqaruar Berisha.

Brokaj: “Unë e rekomandova Sali Berishën të anëtarësohej në Partinë e Punës”

Gazeta “Albania” riboton një pjesë të intervistës të dhënë dje për “Albania”-n të dish-deputetit Zabit Brokaj, i cili ka shpjeguar jo vetëm marrëdhëniet e tij me Berishën, por edhe rekomandimin që ai ka dhënë për anëtarësimin e tij në Partinë e Punës.

Si jeni njohur me kryeministrin dhe kryetarin aktual të PD-së, Sali Berisha?

Me Berishën kam qenë shumë mik. Jam njohur me të në shkollë të mesme, më pas edhe gjatë studimeve të larta në Fakultetin e Mjekësisë. Kam pasur një miqësi konfidenciale edhe si student, edhe si pedagog, kemi punuar së bashku në një katedër, madje kemi qenë edhe në një organizatë partie përpara sistemit pluralist. Kam pasur miqësi dhe asnjëherë konflikt me të. Madje për Berishën kam dhënë rekomandimet për t’u bërë anëtar i Partisë së Punës.
Cilat janë përshtypjet tuaja për Berishën?
Berisha ka qenë përherë ambicioz, por kjo nuk cilësohej si një dukuri negative. Kjo ambicie u shfaq e dëmshme për Berishën vetëm pas vitit 1991. Me Berishën i kam prishur marrëdhëniet pikërisht në këtë kohë, kur ai u dha një formë të dhunshme proceseve të zhvillimit, kur ai inkurajonte dhunën fizike dhe verbale që në fillimet e Lëvizjes Studentore. Aty kuptova që kishim përfytyrime shumë të kundërta për ndryshimin e Shqipërisë. Unë me vizion, ndërsa ai me shkatërrim. Më pas lindën konfliktet politike, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë personale. Kulmi arriti në vitin 1997 kur më futën në burg dhe donin të më dënonin politikisht. Problemet e mëpasshme i pata me devijimet e qeverisë së PS-së. Sepse po të ishte qeverisur më mirë, Partia Socialiste do të kishte 5 mandate qeverisëse, dhe jo deri më 3 korrik 2005, kur Berisha u rikthye në pushtet. Unë shpresën e shikoja tek e majta, nuk pajtohesha me devijimet e qeverisjes së saj dhe për këtë arsye janë konfliktuar. Partia në pushtet e mund opozitën me një qeverisje të mirë dhe opozita mundej lehtë me një qeverisje të mirë. Berishën do ta përcaktoja si faktorin kryesor që pengoi zhvillimin e Shqipërisë për shkak të formave të dhunshme. Për luftën për pushtet ai përdor çdo lloj mjeti dhe forme. Për mbrojtjen e pushtetit është jashtë çdo koncepti perëndimor dhe demokratik.

Balla: “Ja tesera e Berishës, u anëtarësua më 8 Nëntor 1968”

Deputeti socialist, Taulant Balla, publikoi pak kohë më parë në Parlament të dhëna nga tesera e anëtarësimit të kryeministrit Sali Berisha në radhët e PPSH-së. Balla tha se tesera e Berishës i kishte rënë në dorë pas viteve ’90. Ai iu kundërpërgjigj Berishës se nuk kishte mundësi të ishte komunist, pasi në vitin 1990 kishte qenë vetëm 13 vjeç. “Unë po ju paraqes një dokument që më ka rënë në dorë pas viteve ’90. Është tesera e komunistit, e atij që na akuzoi ne të gjithëve, edhe mua, si komunistë. Tesera e pranimit në radhët e PPSH-së të Sali Berishës është firmosur më 8 Nëntor 1968. Ky njeri vetëm më 8 Nëntor mund të pranohej në parti. Në anën tjetër të teserës jepen të dhëna për kuotizacionet, që janë paguar rregullisht 90 lekë në muaj. Në vitin 1979 është bërë sekretar Byroje në Fakultetin e Mjekësisë dhe ka vazhduar deri në vitin 1990, ka qenë po në atë kohë mjek personal i Hysni Kapos dhe Haki Toskës, duke u bërë pjesë edhe e intrigave”, - ka deklaruar Balla

Berisha: “Jam ndikuar nga Fishta, lexoja që në moshën 5-vjeçare”

Kryeministri i shqiptarëve ka deklaruar se para se të bëhej një anëtar i Partisë së Punës ai ka qenë nën ndikimin e veprave të Gjergj Fishtës në ambientin familjar dhe se kishte filluar të lexonte që në moshën pesëvjeçare. “Fëmijëria ka qenë një përkujdesje totale dhe një dashuri absolute nga motra. Ishte gjashtë vjet më e madhe se unë dhe më përkushtonte mua pothuajse të gjithë ditën e saj. Duke filluar që me mësimin. Më mësonte jo vetëm vjersha, por edhe këndim e shkrim meqenëse ajo ishte në shkollë. Fishta ka qenë në familjen time më i dashuri, por edhe vjersha të tjera. Ajo ishte si një tutore, por shumë e dashur, shumë e lidhur me mua. Pastaj në shkollë nuk kam pasur ndonjë problem se jam futur në klasë pasi kisha mësuar shkrim që në moshën 5-vjeçare dhe lexoja. Nëna ka qenë e rreptë dhe kërkuese. Babai ka qenë jo i rreptë dhe me babën kam pasur një harmoni shumë të madhe”, - ka deklaruar kryeministri. Më tej Berisha nuk ka i rezervuar aspak vetëvlerësimet duke pohuar se ka qenë gjithnjë një nxënës i shkëlqyer, apo se i ati e stimulonte suksesin e tij në shkollë. “Në shkollë kam qenë i përkushtuar, por edhe i stimuluar. Babai stimulonte çdo sukses timin. Stimuli ishte një dhuratë e vogël në mënyrë të vazhdueshme, i cili nuk është se nuk luante rol. Lexoja. Kam lexuar shumë. Kam qenë i gjallë. Nuk kam qenë fëmijë problematik, sepse unë kisha një dashuri për të mësuar, por edhe një dashuri për të luajtur dhe ndodhte që në prill apo më herët, fillonim notin në pellgje. Nuk kam lënë pellg të asaj zone pa notuar. Dy gjëra ishin pasionet e fëmijërisë time: leximi dhe vrapimi. Nuk kishte pishina, po kishte pellgje, në të cilat notonim me dhjetëra herë për t’u kalitur. Nuk kishte hipodrome, por kishte lëndina alpine shumë herë më të mëdha se hipodromet”, - ka deklaruar Berisha.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›