E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Skënderbeu, brenda pasaportave biometrike

Pasaportat biometrike të shqiptarëve bashkë me shqiponjën dykrenore do të kenë si simbol edhe figurën e Skënderbeut. Këshilli i Ministrave ka votuar me 16 vota pro, pa asnjë kundërshtim dizajnin përfundimtar të dokumenteve të identitetit. Kryeministri Berisha informoi se ky dizajn do të ketë figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Duke e vlerësuar këtë figurë si përfaqësuesen më dinjitoze të kombit shqiptar, Kryeministri theksoi se ky simbol është gjetja e duhur, për t‘u vendosur në dokumentet e reja, sipas standardeve evropiane të shqiptarëve. Simboli i Skënderbeut do të jetë i vendosur në faqet e brendshme të pasaportave biometrike, ndërkohë që faqja e parë e pasaportës nuk do të ndryshojë. "Skënderbeu është ai që i ka frymëzuar dhe frymëzon më shumë se kushdo tjetër shqiptarët drejt Evropës. Nuk mund të ketë personalitet tjetër që të ketë mbajtur shpirtin e një kombi, siç ka mbajtur ai gjallë shpirtin e kombit shqiptar", u shpreh Kryeministri. Sipas shefit të qeverisë, në tërësinë e tij Skënderbeu përbën rastin më të pashembullt. "Ai pati shtet, kur të tjerët nuk kishin shtet, kur shtetet e rajonit kishin rënë njëri pas tjetrit. Bizanti vetë ishte shembur. Kështu që kam shumë kënaqësi të vendosim të kemi në dokumentet e reja, dokumentet që na bashkojnë të standardeve evropiane, Skënderbeun në çdo faqe të tyre", theksoi Berisha. Kartat e identitetit do të kenë si simbol vetëm flamurin shqiptar, flamurin e BE-së dhe hartën e Shqipërisë. Figura e Skënderbeut do të mungojë në këto karta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›