E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Shqipëria anëtare në prill të 2009-ës

Shqipëria dhe Kroacia janë gati të bëhen anëtare të plota të NATO-s, që në prillin e vitit 2009. Në një deklaratë të përbashkët, që u miratua dje në Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, është afruar koha e anëtarësimit të plotë të vendit tonë në këtë organizatë. "Ministrat e Jashtëm të NATO-s mirëpresin Shqipërinë dhe Kroacinë në gjirin e Aleancës së Veriut në Atlantik në samitin tjetër që do të zhvillohet në prill të 2009-ës". Në komunikatën e përbashkët, në përfundim të takimit dyditor që u zhvillua në Bruksel, theksohet se dy shtetet kanë përmbushur reformat e rëndësishme. Deklarata vëren se edhe Bosnja e Mali i Zi kanë bërë progres, ndërsa i bën thirrje Maqedonisë të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë. "Shqipëria dhe Kroacia kanë përmbushur reformat e rëndësishme. Qëllimi ynë është që të mirëpresim dy anëtaret e reja në samitin tjetër të Aleancës së Veriut". Kështu shkruhet në deklaratën e përbashkët që ministrat e Jashtëm firmosën në përfundim të takimit dyditor që u zhvillua në Bruksel. Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtaret e 27-a dhe 28-a të Aleancës së Atlantikut. Në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s që u zhvillua në Bruksel morën pjesë edhe shefat e diplomacisë së dy vendeve kandidate për t‘u anëtarësuar në NATO, Lulzim Basha dhe Gordan Jandrokoviç. "Ky është një hap shumë domethënës për Kroacinë", tha ministri i Jashtëm kroat Gordan Jandrokoviç, pas përfundimit të mbledhjes për agjencinë amerikane "Associated Press". Deri tani protokolli i firmosjes së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është firmosur nga 9 shtete, mes të cilave Turqia që vetëm pak ditë më parë firmosi protokollin, SHBA, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia. Në deklaratën përfundimtare të shefave të diplomacisë së shteteve anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, theksohet se "Ministrat e Jashtëm të NATO-s u shprehën se presin me padurim anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë, çka do t‘i kontribuojë forcimit të sigurisë për të gjithë në zonën euroatlantike. Shqipëria dhe Kroacia, kanë kryer tashmë reforma të rëndësishme dhe po japin kontribut domethënës ndaj sigurisë euroatlantike. Duke theksuar se vendet anëtare të Aleancës presin me padurim përfundimin e procesit të ratifikimit të protokolleve, deklarata nënvizon se objektivi i Aleancës është anëtarësimi i të dyja vendeve në Samitin e ardhshëm".

Kosova

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Aleancës përshëndetën vendimin për shtrirjen e menjëhershme të misionit EULEX në Kosovë, si një hap i shumëpritur që i kontribuon konsolidimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në funksion të realiteteve të reja politike pas shpalljes së pavarësisë. Në këtë kuadër, ministrat e Jashtëm të NATO-s konfirmuan angazhimin e tyre dhe të aleancës për të vazhduar punën e KFOR-it brenda mandatit dhe konfigurimit të tij aktual. Ministrat e Jashtëm të aleancës theksuan, në të njëjtën kohë, se NATO është e gatshme të nisë punën për zbatimin e një vizioni afatgjatë për sigurinë në Kosovë. Në këtë kuadër, ministrat e Jashtëm rikonfirmuan mbështetjen e tyre për themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, dhe bënë të ditur angazhimin e tyre financiar për fondin përkatës që aleanca ka krijuar në funksion të mbështetjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Basha

Gjatë fjalës së tij në këtë sesion, ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, theksoi se falë angazhimit të aleancës, situata e stabilitetit të sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin është përmirësuar ndjeshëm. Basha përshëndeti angazhimin e qeverisë së Kosovës për të mundësuar shtrirjen sa më të shpejtë të EULEX-it në të gjithë territorin e vendit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Duke nënvizuar angazhimin e NATO-s për integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ministri i Jashtëm shqiptar theksoi se zbatimi i plotë dhe pa mëdyshje i planit Ahtisari është garanci dhe domosdoshmëri për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Kosovë e në rajon. Më tej Basha informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut mbi kontributin prej 250 000 eurosh që Shqipëria do të japë për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Shqipëria, shtoi ministri Basha, mbështet fuqimisht aspiratat euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit dhe do të punojë me përkushtim edhe brenda aleancës për realizimin e këtij vizioni të përbashkët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›