E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi, Topalli sulmon Topin

Konsensusi i mazhorancës dhe i opozitës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duket se nuk ka mjaftuar si argument për Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Pas shqyrtimit të Kodit të ri Zgjedhor i cili u miratua para dy javësh, pikërisht më 18 nëntor nga Kuvendi me 112 vota pro, kreu i shtetit ka vendosur ta rikthejë për rishqyrtim, pasi ka vërejtur parregullsi të mëdha, të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Republikës. Përveç komunikimit ligjor, pra me anë të letrës drejtuar Parlamentit, kreu i shtetit ka folur edhe publikisht për vendimin që tronditi dje politikën shqiptare. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke folur në konferencën e shtypit me homologun e tij bullgar, theksoi se "në pozicionin e Presidentit të Republikës kam qenë vazhdimisht i preokupuar për përfundimin sa më të shpejtë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, i cili është parakusht shumë i rëndësishëm ligjor për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara. Në Kodin Zgjedhor të miratuar nga Parlamenti ka një klauzolë, e cila shpreh detyrimin e Presidentit në funksion të kohës për të dekretuar datën e zgjedhjeve. Sipas kodit, tekstualisht shprehet që Presidenti është i detyruar që jo më shumë, ose jo më afër se nëntë muaj, pra, minimalisht nëntë muaj përpara, të dekretojë datën e zgjedhjeve. Pra, merrni në konsideratë dhe kalkuloni kohën. Jemi në dhjetor. Unë, edhe sikur të kisha firmosur dekretin për ta miratuar ligjin, kërkonte dy javë për të kaluar në Fletoren Zyrtare dhe nga ai moment, përfytyroni se ku kalkulohet nëntëmuajshi. Pra, zgjedhjet, që sipas Kushtetutës, do të bëhen në pranverë, kalojnë të bëhen në vjeshtë, pra, ka një mospërputhje kushtetuese. Dhe në këto raporte, Kushtetutë - ligj elektoral, mbizotëron Kushtetuta. Unë kam qenë i detyruar, duke qenë garant i Kushtetutës, që të rikthej në Parlament që të bëhet ky korrigjim, në mënyrë që të jemi konform detyrimit kushtetues, që zgjedhjet politike të përgjithshme në Shqipëri të realizohen brenda afatit kushtetues dhe t‘i jepet mundësia Presidentit që, sipas ligjit të Kodit Elektoral të ketë një periudhë të nevojshme, të pranueshme, që të korrespondojë me atë që thotë Kushtetuta".

Argumentimi

Nëpërmjet një letre drejtuar Kuvendit, Presidenti i Republikës,

Bamir Topi, ka dhënë të gjitha arsyet e tij pse ka vendosur të kthejë për rishqyrtim edhe njëherë nga deputetët, Kodin Zgjedhor.

Në letër thuhet se "arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij. Kështu, neni 9, pika 2 e ligjit ka këtë formulim: "Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit". Për kreun e shtetit, ky rregullim bie ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Sipas tij, "neni 8 ka parashikuar se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore, zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor". Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se "zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit", atëherë, periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor", është shprehur Topi.

"Odiseja" e kodit

Miratimi i kodit të ri elektoral i ka ngjarë një "odiseje" të vërtetë. Mazhoranca dhe opozita për më shumë se një vit kanë nisur diskutimin dhe për arsye të ndryshme nuk kanë gjetur gjuhën e konsensusit. Diskutime të cilat detyruan që të shtynin për më shumë se tri herë në sallën e Kuvendit afatin e komisionit të posaçëm parlamentar, i cili u mor me diskutimin e kodit të ri Zgjedhor. Por muajt e fundit, PD-ja dhe PS-ja unifikuan qëndrimet duke gjetur një emërues të përbashkët dhe me shumicë votash miratuan në Kuvend ligjin e ri zgjedhor. Kodi u kontestua ashpër nga partitë e vogla politike, të cilat u futën në grevë urie. Veprim ky që shkaktoi një ngërç në sallën e Kuvendit dhe në zhvillimet politike. U desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve për ta zgjidhur këtë situatë. Por pavarësisht këtyre zhvillimeve dhe kontestimeve të shumta, dy partitë e mëdha arritën të miratojnë Kod të ri Zgjedhor dhe një shumicë prej 112 votash.

Shkelja e Kushtetutës

"Sipas kodit, tekstualisht shprehet që Presidenti është i detyruar që jo më shumë, ose jo më afër se nëntë muaj, pra, minimalisht nëntë muaj përpara, të dekretojë datën e zgjedhjeve. Pra, merrni në konsideratë dhe kalkuloni kohën. Jemi në dhjetor. Unë, edhe sikur të kisha firmosur dekretin për ta miratuar ligjin, kërkonte dy javë për të kaluar në Fletoren Zyrtare dhe nga ai moment, përfytyroni se ku kalkulohet nëntëmuajshi"

E plotë

Letra e Presidentit drejtuar deputetëve për rishqyrtimin e Kodit Zgjedhor

"Defektet ligjore, ku kodi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës"

Të nderuar deputetë!

Në datë 24.11.2008 më ka ardhur për shpallje ligji nr. 10 019, datë 18.11.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", të cilin, në bazë të nenit 85, paragrafi 1 të Kushtetutës, vendosa të mos e shpall, por ta kthej edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend.

Reformën zgjedhore, debatet mbi këtë reformë dhe ligjet që kanë të bëjnë me proceset elektorale i kam vlerësuar si mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe rritjen e standardeve të administrimit të procesit zgjedhor. Një reformë zgjedhore e mirë hartuar dhe ligje elektorale që do të mundësonin një proces të drejtë zgjedhor do të jepnin garancitë e duhura për realizimin e një procesi normal zhvillimi të demokracisë dhe pluralizmit në vend dhe më tej realizimin e aspiratave të tij euroatlantike. Ligjin e ardhur për shpallje e konsideroj një përpjekje serioze dhe të domosdoshme për miradministrimin e procesit zgjedhor, por, gjej në të arsye për ta kthyer edhe njëherë në Kuvend për rishqyrtim.

Arsyeja për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij. Kështu, neni 9, pika 2 i ligjit ka këtë formulim: "Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit".

Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Neni 8 ka parashikuar se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor". Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se "zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit", atëherë periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor.

Neni 9, pika 2 e ligjit të ardhur për shpallje ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars - 30 qershor. Ligji është dërguar për shpallje te Presidenti i Republikës në datë 24.11.2008 dhe procedura e dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, publikimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të tij, parashikon një periudhe kohore te caktuar, duke krijuar kështu pamundësi reale për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për periudhën zgjedhore 15 mars - 30 qershor.

Të nderuar deputetë!

Duke ushtruar kompetencën time kushtetuese kam besim se Kuvendi do të pasqyrojë vullnet maksimal politik dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve në afatet e vendosura në ligj.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj,

Presidenti i Republikës

Bamir Topi

Topalli: Presidenti u identifikua me partitë e vogla

"Mbretëresha Elizabet nuk do ta bënte një gjë të tillë

Nuk ka vonuar qëndrimi i mazhorancës pas mosdekretimit nga Presidenti i Kodit të ri Zgjedhor, i cili ka qenë më shumë se i hidhur. Komenti i parë ka qenë i kryeparlamentares Topalli, e cila nga Londra ka lëshuar fjalë jo të mira për kreun e shtetit, për të vazhduar më pas me eksponentë të grupit parlamentar të PD-së. Nga Britania e Madhe, ku ndodhet për një vizitë dyditore, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar se "Presidenti i Republikës është identifikuar me pakicën dhe kjo nuk është hera e parë që e bën". Kryeparlamentarja ka theksuar se qëndrimi i Presidentit për Kodin e ri Zgjedhor nuk është i drejtë, ngaqë ai ka kaluar me votë konsensuale në Parlament. Duke qenë se Kryetarja e Kuvendit ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka zhvilluar edhe një takim me mbretëreshën Elizabet, ajo ka hequr paralele mes saj, monarkes së Britanisë dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi, duke theksuar se "mbretëresha Elisabet nuk do ta ndërmerrte kurrë një veprim të tillë". Ky është edhe reagimi i parë i rëndësishëm i bërë nga një drejtues i lartë i mazhorancës, pasi vetë krerët e grupit parlamentar të PD-së janë shprehur paksa të rezervuar, duke theksuar se PD-ja ende nuk ka një qëndrim zyrtar për t‘i kthyer një përgjigje kreut të shtetit, i cili nuk e ka dekretuar ligjin për Kodin e ri Zgjedhor të miratuar nga Kuvendi me 112 vota pro.

Bumçi

Refuzimi i Kodit Elektoral nga Presidenti Bamir Topi ka çoroditur kampin e djathtë. Zyrtarisht, Partia Demokratike nuk ka një vendim politik për t‘u dhënë përgjigje argumenteve se pse kreu i shtetit ka refuzuar kodin e miratuar nga 112 vota në Kuvend. Zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat, Aldo Bumçi, deklaroi për "Shqip" se kodi i miratuar me shumicën e votave në Kuvend është i mirë, por nuk ka dhënë detaje për rishikimin e tij në komisione. "Ne nuk kemi ende një qëndrim zyrtar për këtë çështje", u shpreh Bumçi. Ndërkohë që reagimi i ashpër i mazhorancës ndaj Presidentit pritet të përshkallëzohet në ditët në vazhdim. Sipas Kodit Elektoral, Presidenti duhet t‘i dekretojë zgjedhjet jo më shumë se 9 muajt përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit. Presidenti vlerëson se dekretimi i kodit, publikimi i tij në Fletoren Zyrtare dhe hyrja në fuqi, kanë afate të përcaktuara kohore, pas të cilave atij nuk i mbetet më kohë për të respektuar afatin e tij 9-mujor për dekretimin e datës së zgjedhjeve. Duket se argumenti teknik i kreut të shtetit i ka vendosur me shpatulla pas murit mazhorancën dhe personat që kanë ideuar dhe ndërtuar kodin e ri.

Partitë e vogla

Refuzimi i firmosjes së dekretit prej Presidentit të Republikës është pritur në mënyra të ndryshme nga partitë e vogla parlamentare. Një pjesë e tyre e kanë mbështetur dhe disa të tjerë e kanë kundërshtuar ashpër. Në linjën e kundërshtimit është rreshtuar PR-ja, e cila nuk e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Presidentit të Republikës, duke i kujtuar këtij të fundit se kodi është miratuar me unanimitet nga Kuvendi. Por nuk ka ndarë të njëjtin qëndrim me PR-në PDR-ja, e cila e ka falënderuar kreun e shtetit për vendimin e drejtë që ai ka marrë. Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve, tashmë Kuvendit i duhet të vendosë se çdo të ndodhë me dekretin e rikthyer nga kreu i shtetit, do ta marrin për rishqyrtim, apo do ta kalojnë në Kuvend sërish për votim dhe me unanimitet ta miratojnë duke bërë që ky ligj të hyjë në fuqi pa firmën e kreut të shtetit. Nga burime bëhet e ditur se gjasat më të mëdha janë që ky nen për caktimin e datës së zgjedhjeve të ndryshojë dhe më pas t‘i rikthehet kreut të shtetit për dekretim.

Selia rozë çmon vlerësimet e bëra nga Presidenti për ligjin zgjedhor

PS: Gati të votojmë në Kuvend saktësimin juridik

Partia më e madhe e opozitës shprehet e gatshme të ndryshojë Kodin Zgjedhor në zbatim të vërejtjeve të kreut të shtetit. Vetëm pak orë pasi Presidenti Bamir Topi shpalli kthimin e ligjit në Kuvend, selia rozë u prononcua në një komunikatë për shtyp. "Pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të projektligjit për Kodin Zgjedhor, Partia Socialiste çmon vlerësimet e bëra nga Presidenti në letrën sqaruese të dekretit për punën e bërë për Kodin e ri Zgjedhor dhe për standardet e mishëruara në të për sa i përket administrimit të zgjedhjeve në vend", deklaroi Partia Socialiste. Teksa mirëkupton kërkesën e Presidentit të Republikës për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me afatin ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve. "Pavarësisht faktit se në këndvështrimin tonë ky afat është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor dhe Presidenti nuk ka aktualisht asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës", nënvizojnë socialistët. Gjithsesi, forca më e madhe politike opozitare shprehet e gatshme që pa humbur kohë të votojë në Kuvend për saktësimin e nuancës juridike, që lidhet me nenet 8 dhe 9. Partia Socialiste, së bashku me Partinë Demokratike, ishin dy subjektet që hartuan dhe mbrojtën deri në fund ligjin e ri elektoral. I gjithë grupi parlamentar socialist votoi në mbështetje të Kodit Zgjedhor, ndonëse një pjesë e partive të vogla po i kundërshtonte hapur. Konkretisht, në nenin 8 të kodit thuhet se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin, apo për njësitë e qeverisjes vendore, zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtator deri më 30 nëntor. Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës dhe shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 3 ditë para kësaj date.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›