E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parvanov në Tiranë, edhe Bullgaria kërkon investime në energjetikë

Presidenti i Bullgarisë, George Parvanov, i cili ka nisur dje një vizitë dyditore në Tiranë, u ka kërkuar rritjen e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe përmes rritjes së investimeve bullgare në Shqipëri, duke vënë theksin tek energjia 8. "Dialogu politik është shumë i mirë, ndërkohë që raportet ekonomike nuk janë edhe aq të kënaqshme. Në këtë aspekt do të ishte mirë të krijoheshin shoqëri të përbashkëta. Po ashtu, mund të kemi investime bullgare në industrinë ushqimore, në turizëm dhe energjetikë, sidomos me burime hidrike", tha presidenti Parvanov gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Bamir Topi. Në deklarimin e tij për mediat, kreu i shtetit bullgar vuri në dukje dialogun shumë aktiv politik dypalësh, duke konfirmuar mbështetjen për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe në BE. "Personalisht kam përkrahur politikën e hapur të NATO-s dhe gëzohem shumë që së shpejti ne do të jemi jo vetëm vende mike, por edhe aleate. Bullgaria gjithmonë ka mbështetur politikat për sa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Mendoj se nuk duhet të ketë sprapsje në politikën e zgjerimit të BE-së", nënvizoi Presidenti Parvanov gjatë vizitës në Tiranë. Lidhur me çështjen e energjisë, Presidenti Parvanov tha se "politika evropiane, për sa i takon energjetikës, është akoma një politikë në letër, ndërkohë që jemi dëshmitarë se sa shumë kanë filluar të ndryshojmë raportet mes atyre që kanë burime energjetike dhe atyre që janë konsumatorë të energjisë".

Ndërkaq, edhe Presidenti shqiptar, Bamir Topi, ka mbështetur qëndrimin e homologut të tij bullgar për një intensifikim të marrëdhënieve ekonomike. Në konferencën e shtypit, që u mbajt në Pallatin e Brigadave, pas takimit Parvanov, Presidenti Topi tha se: "Ndamë të njëjtin qëndrim me Presidentin Parvanov, që raportet e mira politike kërkojnë domosdoshmërisht intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, të cilat duhet të konkretizohen me projekte". Pasi vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe nivelin e lartë të dialogut politik, Presidenti i Republikës, theksoi se "Shqipëria është pjesë e aspiratës euroatlantike, të cilën Bullgaria e ka kaluar prej vitesh. E falënderova z. Parvanov për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në ratifikimin e MSA-së, të Protokollit të NATO-s, si dhe në njohjen e shpejtë të shtetit të ri të Kosovës". Duke u ndalur te nevoja për konkretizimin e Korridorit 8-të, Presidenti shqiptar tha se "24 orë më parë, nga kjo sallë Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, u shpreh i gatshëm për të dhënë një mbështetje të fuqishme për këtë projekt. Po ashtu, edhe autoritetet shqiptare dhe maqedonase kanë qenë vazhdimisht pro këtij projekti. Nisur nga ky vullnet i përbashkët, i kërkova Presidentit Parvanov që të ushtrojë më shumë presion pranë BE-së në Bruksel, së bashku me Italinë, në mënyrë që ky projekt të realizohet brenda standardeve të kërkuara". Një moment tjetër i bisedimeve të sotme mes dy presidentëve ishte edhe diskutimi për çështjen e energjisë. Për këtë qëllim, Presidenti Parvanov është bërë iniciator i një Samiti Ballkanik, që do të mbahet në muajin prill të vitit 2009. Ky takim synon të zgjidhë një problem jo vetëm rajonal, por edhe evropian. Sipas Presidentit Topi, "kjo situatë dikton nevojën e realizimit të projektit AMBO, për çështjen e gazit dhe naftës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›