E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Kthimi i kodit, përgjegjësia bie mbi PS-PD

Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, deklaroi dje se mosdekretimi i Kodit përbën vërtet një ngjarje, e cila vë përpara përgjegjësisë protagonistët e vetëshpallur të hartimit të këtij ligji. Kod, i cili, vijoi Xhufi, duhet të ishte një nga ligjet më seriozë, duke qenë se ka të bëjë me themelet e ndërtimit të demokracisë dhe të institucioneve në vendin tonë. Numri dy i LSI-së vlerëson se mosdekretimi i kodit është bërë për arsye serioze, në radhë të parë për përplasje që ekzistojnë midis neneve të veçanta të këtij kodi dhe Kushtetutës së Shqipërisë. Pra, shtoi ai, ky Kod është jokushtetues dhe kjo natyrisht ngarkon me një përgjegjësi të madhe iniciatorët dhe protagonistët e këtij kodi. "Kodi, siç rezulton, karakterizohet nga shkelje dhe gafa të rënda juridike, të cilat në vetvete përbëjnë një tregues domethënës të nxitimit dhe të qëllimit të mbrapshtë, që kanë pasur hartuesit e këtij kodi, për të arritur disa qëllime, të cilat sigurisht nuk janë qëllime në të mirë të zgjedhjeve, por kanë qenë të determinuara nga interesa të ngushta të këtyre dy aktorëve", insistoi Xhufi. Kthimi i Kodit të ri Elektoral për rishqyrtimin në Kuvend, konfirmon sipas LSI-së, shqetësimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm lidhur me procedurën, me të cilat është ecur për hartimin dhe për kalimin e këtij kodi, procedura të cilat janë shkelur në vazhdimësi. "Gjithashtu, kthimi i kodit vërteton atë shqetësim, i cili u bë objekt i betejës tonë politike për kodin në fjalë, i cili u karakterizua nga logjika dhe nga qasja e përjashtimit dhe mungesës së plotë të transparencës dhe të shkeljeve të procedurave", tha Xhufi. Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se ky moment i mosdekretimit të Kodit Zgjedhor, duhet të përbëjë një rast të mirë, për të reflektuar jo vetëm për elemente të cilat janë bërë bazë për kthimin e kodit, por edhe për çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me vetë përmbajtjen e kodit. Sidomos, tha ai, lidhur me ato dispozita që kanë të bëjnë me administrimin e procesit zgjedhor, i cili ka qenë edhe shqetësimi kryesor i Lëvizjes Socialiste për Integrim në fazën e fundit të miratimit të këtij kodi. "Ne duam gjithashtu të kujtojmë, se këto shqetësime tonat janë bërë për herë e më shumë edhe shqetësime të faktorëve, të partnerëve, të organizmave ndërkombëtarë, të cilët kanë sinjalizuar me terma gjithmonë e më demokratikë, se zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri duhet të jenë zgjedhje shumë të mira", nënvizoi Xhufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›