PS me premtimin e qeverisë, vizat në 2010
Të majtët kanë një premtim të përbashkët me të djathtën në pushtet, që ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Viti 2010 shihet dhe nga socialistët, ashtu si nga zyrtarët qeveritarë, si viti kur shqiptarët do të kenë mundësi lëvizje në vendet e hapësirës “Shengen”. Ky premtim sigurisht i referohet dhe hapave me të cilët po ecën BE në këtë proces, ndërkohë që ka dy këndvështrime të kundërta për sa i përket përmbushjes së detyrimeve nga pala shqiptare. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mendon se Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet në këtë drejtim. “Vota e 28 qershorit është një votë për heqjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Evropës, për t’u bashkuar të gjithë për ëndrrën e vjetër të Shqipërisë si gjithë Evropa”, - u shpreh Rama në vijim të turit zgjedhor në veri të vendit, në qytetin e Lezhës. Ai u angazhua që do ta realizojë këtë gjë brenda vitit 2010. Ndërkaq Rama prezantoi jo vetëm kandidatët për deputetë, por edhe disa pika të programit që lidhen me punësimin dhe turizmin. Ai kërkoi që vota e çdo lezhjani të shkojë në drejtimin e duhur, që siç tha ai, është PS dhe ekipi i saj qeverisës. Kryetari i PS-së tha se programi i socialistëve ka ide të reja dhe bashkë me to dhe vullnet të ri për ta bërë realitet. Për këto arsye, ai u kërkoi shqiptareve që në zgjedhjet e 28 qershorit të orientohen drejt PS, që do të bëjë të mundur kthesën e madhe të zhvillimit të vendit drejt BE-së. Ndërkohë kandidatja për deputete e PS-së, Valentina Leskaj, gjatë një takimi elektoral ka vënë theksin tek lëvizja e lirë e shqiptarëve në BE, duke premtuar liberalizimin e vizave. “Në vitin 2010 qeverisja socialiste do liberalizojë regjimin e vizave”, - ka premtuar Leskaj, e cila ka kritikuar qeverinë “Berisha” për dështim e deritanishëm në këtë aspekt.