E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prioritetet e mia do të jenë reformat, reformat dhe reformat”

11/06/2009  Kryeministri Berisha flet për agjencinë ekonomike “Dow Jones Newswires”

Kryeministri shqiptarë Sali Berisha premton të vazhdojë më tej reformat ekonomike dhe të ringrejë infrastrukturën e vendit, nëse do të zgjidhet të drejtojë vendin për një mandat të dytë katërvjeçar në zgjedhjet e afërme parlamentare. “Prioritetet e mia do të jenë reformat, reformat dhe reformat”, - ka thënë Berisha gjatë një interviste telefonike për “Dow Jones Newswires”, një ndër agjencitë ekonomike më të rëndësishme në botë. Agjencia shkruan se Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, ka bërë përpjekje të mëdha për të ngritur ekonominë dhe përmirësuar infrastrukturën. Kryeministri Berisha thotë se ka ende shumë punë për t’u kryer derisa të përmbushen standardet dhe kriteret e për integrimin në Bashkimit Europian. Megjithatë, Dow Jones vlerëson anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO prillin e këtij viti, si hapin më të madh që vendi ka bërë, nga një vend ish-komunist e izoluar tashmë pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Krahas kësaj, Shqipëria merr nota pozitive edhe për faktin se menjëherë pas NATO-s aplikoi për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Në shkrim thuhet se sondazhet e organizuara për zgjedhjet e 28 qershorit e renditin Partinë Demokratike para Partisë Socialiste. Sipas agjencisë, kjo u atribuohet arritjeve të kësaj qeverisjeve gjatë këtij mandate 4-vjeçar; rritje rrogash, ndërtime rrugësh dhe thithje të miliarda eurove investime. “Qeveria, - thuhet në artikull, - ka firmosur më se 100 kontrata investimesh prej afro 4,6 miliardë euro me kompani private. Në katër vitet e fundit ne kemi asfaltuar 5900 kilometra rrugë dhe brenda katër vjetve të ardhshme Shqipëria do të ketë rrjetin më të ri rrugor në rajon”, - ka thënë Kryeministri Berisha. Ndërkaq, sipas artikullit, shitja e 76 % të aksioneve të OSSH-së çekëve të CEZ për 102 milionë euro, konsiderohet si një arritje, e cila do të përmirësojë cilësinë e furnizimit të shqiptarëve me energji. Investimet në energjetikë vazhdojnë me hidrocentrale, ku vetëm projekti i austriakëve të EVN për 3 hidrocentrale në Jug të vendit, me një kapacitet prej 340 megavat, arrin në 950 milionë euro, duke u shndërruar një nga projektet më të mëdha në Europë për këtë sektor. Po ashtu projekte me vlera miliarda eurosh ka edhe me italianët e “Marsegglia Grup” për park energjetik dhe linjë transmetimi në Adriatik, apo austriakët e “Verbund” për një hidrocentral parku me erë me kapacitet 500 megavat në Jug të vendit. “Së bashku me projekte të tjera, që priten të firmosen brenda pak muajsh, do të dyfishojmë kapacitetin aktual prej 5.2 gigavatë, duke e pozicionuar Shqipërinë në një eksportuese neto të energjisë brenda pak vjetësh”, - tha Kryeministri, i cili theksoi se Shqipëria po shndërrohet në një superfuqi të vogël energjetike në rajon.

Sali Berisha

“Reformat ekonomike do të vazhdojnë. Do të zgjerojë sa më shumë të jetë e mundur rolin e partneritetit me sektorin privat, i cili po funksionon shumë mirë në fushën e energjetikës. Nuk ka asnjë arsye që kjo të mos funksionojë në të gjitha fushat e tjera, si për shembull në atë të infrastrukturës. Do të duhen të paktën tre vjet të tjerë për ne që të bëhemi eksportues të energjisë. Shqipëria po bëhet një superfuqi energjetike në rajon.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›