E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sondazhet tregojnë se Ramën e votojnë vetëm 40% e socialistëve

Share

Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar të PD duke folur për reformën zgjedhore. U duk se do ishte një mbledhje ndryshe dhe se Berisha do fliste vetëm për këtë çështje që shqetëson vendin. Por pasi tha se do pranojë kërrkesat e opozitës për reformën zgjedhore, shpalli verdiktin: Rama nuk del dot nga orbita e humbjeve. Pyetja është se pse na duhet reforma zgjedhore në këto kushte kur Berisha u beson sondazheve të tij. Pyetja e dytë është pse bëjmë reformë kur zgjedhjet e mëparshme kanë qenë të shkëlqyera sipas Berishës

 

Kryeministri Sali Berisha tha përpara deputetëve të tij mazhoranca ka vullnet të plotë për të plotësuar reformën zgjedhore. Sipas Berishës, nëse ekziston edhe vullneti nga Rama, reforma do mbyllet në kohë rekord. Berisha tha se ata kanë ndërmend të votojnë propozimet për dënimin e atyre që prekin votën, edhe pse sërish Berisha tha se janë dënime tepër të larta. Duke folur për listat zgjedhore, Berisha tha: Për listat e zgjedhësve kërkojmë respektimin e standardeve ndërkombëtare. Praktikat elektorale janë shumë të pasura për arsye se janë pasuruar nga ligjet dhe vendimet e gjykatave. Ato nuk lejojnë të përdorësh listën si mekanizëm përjashtimi. Lista nuk mund të bëhet shkak dhe nuk mund të jetë e tillë që të ndikojë në përjashtime. Unë besoj se edhe këtu do të arrihet kompromisi i duhur. Edhe këtu ekspertët e OSBE/ODIHR do japin mendimin e tyre.

Berisha tha se po rregullohet me ligj çështja e votave të hedhura gabim. Edhe pse kjo gjë po qartësohet në ligj, Berisha tha se edhe më parë të vlefshme ishin. Nuk kuptohet atëherë pse po bëhet qartësimi. U faktua një boshllëk në zgjedhjet lokale, por edhe të përgjithshme, për votat e hedhura gabim. Kjo merr përgjigje të plotë, ndonëse në ligj ato janë të vlefshme, por merr trajtim të plotë në përputhje me kodet e Komisionit të Venecias dhe IFES. Të dy këto kode parashikojnë numërimin e votës së hedhur gabim, tha Berisha.

Ka një kërkesë për të rritur minumimin e votuesve në një qendër. E drejtë, por kjo kërkesë duhet të shoqërohet me një detyrim për të siguruar transportin sepse ne e dimë sa të përhapura janë fshatrat tona. Pra duhet marrë përsipër transporti i tyre, tha Berisha.

Por pasi bëri këto ekspoze, Berisha shpalli rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Nuk mund të them se cili do jetë qëndrimi i zotit Rama sepse ai është satelit në orbitën e humbjes. Absolutisht. Që të gjitha variantet e tij nuk e nxjerrin dot nga ajo orbitë. Lideri që është lider nuk e bazon fitoren tek realitetet inekzistente, por tek pushtimi i mendjes dhe zemrës së qytetarëve dhe frymëzimi i mbështetësve të tij se ai i udhëheq në fitore, tha Berisha.

Kryeministri tha se sondazhet tregojnë se Ramën e votojnë vetëm 40 përqind e socialistëve. Tani dua tju informoj se vetëm 40 përqind e socialistëve do e votojnë Edi Ramën ndaj është spostuar tek Bamiri e Kreshniku dhe tek ufo- platforma. Berishën nuk e votojnë ata, por nuk mund të besojnë që kryetari që i udhëhoqi nga disfata në disfatë do i çojë në fitore. Ata kanë instiktin politik, i cili i bën ata të mos gabojnë. Të votojnë 40 përqind e mbështetësve të tu nuk ke shpresë. Ndaj zotëria nuk bën platformë, por merret me Bamirin e Kreshnikun, tha Berisha.

Zoti Rama duhet, pavarësisht nga prognoza dhe sinoptika elektorale, është në interesin e tij më të mirë që të kompletojë reformat e kërkuara për procesin e integrimit. Të paktën kur nuk i çon dot në fitore, mos ua nxi imazhin, tha Berisha.

Çfarë rilindje bëri ai përveç rilindjes së bllokut? Që të premtosh duhet të tregosh çfarë ke bërë ti? Ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jote, vijoi kryeministri.

Berisha e sulmoi ashpër opozitën edhe për platformën ekonomike dhe tryezën që organizoi me biznesin.

I nxjerr aty dhe po u jepte leksione Gramoz Ruçi për biznesin. Nxori aty platformën e Spiro Kolekës. Ai ka qenë përgjegjës për platformën e ekonomisë. Taksa marksiste. Është e faktuar që çdo dollar i ulur në taksën e fitimit dhe të ardhurave personale shkon për punëtorin. Zgjeron vendet e punës, përmirëson kushtet e punës. Ky na premton rilindjen e të shkuarës. Mendoj se përgjigjen më të mirë ia dha biznesi. Unë i garantoj ata se jo vetëm që nuk do ketë rritje taksash, por e kundërta do shqyrtohet. Janë ata dhe jo qeveria vektor i zhvillimit të vendit. Janë ata që krijojnë vende pune, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›