E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sot një njësi, nesër një batalion krah aleatëve

Fjala në ceremoni

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit “Eagle -1” të batalionit special të Forcave të Armatosura. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se ky kontingjent, i cili është dhe njësia e parë që niset me mision luftarak, do të përmbushë me sukses të plotë misionin që nis dhe me dinjitet do të mbajë lart flamurin e kombit shqiptar. Sipas tij, qeveria është e vendosur të mbështesë Forcat e Armatosura dhe se dora-dorës, në kohërat që vijnë, të mund të shpaloset jo një njësi, por edhe një batalion krah aleatëve tanë, aty ku të jetë nevoja. “Për të gjithë ne këtu, për Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo është një ditë e veçantë. Pas më shumë se një vit, pas anëtarësimit të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancën më të madhe të lirisë së të gjitha kohërave, ne nisim sot (dje) njësinë e parë të ushtarakëve shqiptarë me mision të ri, mision luftarak. Ne nisim anëtarët e Forcave të Armatosura në fushëbetejën më të madhe që kombet e qytetëruara, Aleanca e Atlantikut të Veriut, ka ndërmarrë dhe vazhdon të ndërmarrë në emër të lirisë, vlerave të saj, të sigurisë dhe paqes në botë. Ju, të dashur ushtarë, nënoficerë, dhe oficerë, të grupuar në njësinë ‘Shqiponja’, niseni dhe do të merrni pjesë në veprime operative, krah për krah me ushtarakë të ushtrisë më të shkëlqyer të botës, ushtrisë amerikane”, deklaroi në fjalën e tij Kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë nuk kurseu falënderimet dhe mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të gjithë ndihmesën shumë të çmuar që ka dhënë dhe jep në përgatitjen e forcave të armatosura. “Ju niseni si shqiponja, e cila përbën dhe zemrën e simbolit tonë kombëtar, të flamurit që merrni me vete. Ju niseni me një mision të vështirë, por ju jeni ushtarakë të zotë, djem trima, të përgatitur në të gjitha rrafshet, të përgatitur në rrafshin psikologjik, të motivuar për mision tuaj të madh, të përgatitur në rrafshin ushtarak dhe profesional. Unë kam bindje se ju do të përmbushni me sukses të plotë misionin që nisni. Sikundër dua të theksoj se ky është vetëm misioni i parë i trupave tona në fushëbetejë”, vijoi Berisha, që nuk harroi të shprehë mirënjohjen edhe për familjet e ushtarakëve pjesëmarrës në misione. Pas ceremonisë, Kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontingjentit të parë, nënkolonel Dritan Demirajt. Më pas, Kryeministri bëri edhe një foto familjare me të gjithë njësinë e ushtarakëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›