E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sot publikohen listat e zgjedhësve

Sot publikohen listat e zgjedhësve në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. Lajmi është bërë publik nga Kryeministri Sali Berisha në takimin me prefektët në godinën e Këshillit të Ministrave. Kreu i qeverisë ka urdhëruar shpërndarjen e menjëhershme të listave të zgjedhësve në të gjitha bashkitë dhe komunat, duke vendosur prefektët si monitorues të këtij procesi. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka publikuar shifrën totale të popullsisë së Shqipërisë, e cila shkon në 4,249,942 shtetas, ku vetëm 3,133,248 persona do të mund të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Lista e zgjedhësve për çdo njësi është e grupuar sipas qendrave të votimit. Për shkak të lëvizjeve të kryera ndërmjet njësive rezulton një numër total prej 88 mijë zgjedhësish pa një numër të saktë qendre votimi. Në përputhje me Kodin Zgjedhor, kryetari i njësisë duhet t‘u caktojë të gjithë zgjedhësve në listë një qendër të vlefshme votimi brenda datës 28 shkurt. Shefi i qeverisë i ka informuar prefektët se është shpërndarë udhëzimi për aplikimin për listat. "Nesër (sot) do t‘u jepen të gjitha bashkive dhe komunave listat e zgjedhësve. Janë pastruar dublimet, tani ka një fond dixhital, i tërë Regjistri i Gjendjes Civile është dixhitalizuar, tani ju takon juve të kontribuoni të bashkëpunoni me bashkitë dhe komunat për shqyrtimin më të mirë të këtyre listave, për komunikimin", u shpreh Berisha. Kryeministri bëri me dije se sistemi i adresave është një çështje e zgjidhur tashmë, ndërsa dublimet janë pastruar. "Le të përshtatemi me një bazë të re moderne, që u krijua në vend, mos të na rrijë ora te vitet ‘90, ora duhet të jetë në vitin 2009, është orë elektronike", theksoi Berisha, duke kërkuar nga prefektët që të monitorojnë procesin aty ku dalin pengesa.

Tri kritikat

Ndërkohë që listat e zgjedhësve janë detyra kryesore dhe më emergjentja e të gjithë prefektëve të vendit, kreu i qeverisë, Sali Berisha nuk ka kursyer as kritikat ndaj pushtetit vendor. Ngritja e infrastrukturës zgjedhore dhe ndarja e kartave të identitetit, ndarja e ndihmës ekonomike dhe menaxhimi i buxhetit kanë qenë tri pikat ku Kryeministri është fokusuar më shumë gjatë takimit të djeshëm me prefektët. Për të gjitha problemet që dalin nga procesi i ndarjes së letërnjoftimeve në rrethe, kreu i qeverisë u kërkoi prefektëve që të kontaktojnë direkt me Kryeministrinë ose Ministrinë e Brendshme. Një tjetër problem për të cilin shefi i ekzekutivit kërkoi edhe ngritjen e një grupi pune nga ana e prefektëve është ndarja e ndihmës sociale. "Po keqshpërndahet ndihma për të varfrit", u shpreh Berisha, duke shtuar se "kërkoj që të krijoni grupet e punës dhe t‘i identifikoni me përgjegjësi të madhe bashkë me bashkitë dhe komunat". Çështja e tretë e këtij takimi ishte ajo e realizimit të investimeve, të cilën Kryeministri Berisha e vlerësoi si jetike për shkak të krizës globale. Sipas tij, kushti antikrizë për Shqipërinë është realizimi i plotë i investimeve. Lidhur me mënyrën e realizimit të prokurimeve publike, Kryeministri theksoi se këtë vit, nuk do të ketë më asnjë prokurim jo elektronik, metodë e cila do të shmangë pazaret paraprake. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se fondet e destinuara për projekte në ato bashki apo komuna që do të refuzojnë të realizojnë prokurime elektronike do t‘u kalojnë komunave apo bashkive të tjera që do të pranojnë të realizojnë prokurime elektronike. Kryeministri u shpreh optimist për një buxhet të dytë në qershor, pavarësisht krizës ekonomike globale dhe nënvizoi se ky buxhet do të ketë destinacion investimet për zhvillimin rural.

Votuesit

Shifra totale e popullsisë së Shqipërisë shkon në 4249942 shtetas, ku vetëm 3133248 persona kanë të drejtë për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Kryeministrit, sot, listat e zgjedhësve për rreth 3 milionë votues do të shpërndahen në të gjitha bashkitë dhe komunat



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›