E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka ndan mendjen. Në zgjedhje me Berishën

Partia Demokratike hap zyrtarisht dyert për ish të larguarit nga selia blu. Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PAD-së, Neritan Ceka, firmosën dje paktin që në zgjedhjet e qershorit 2009, PAD dhe PD do të jenë aleatë elektoralë. "Shpërblimi" për kreun e Aleancës Demokratike do të jetë një post qeveritar në rast se e djathta do të fitojë në zgjedhjet e 28 qershorit. Parulla "Bashkimi bën fuqinë" duket se do të jetë motoja kryesore e partive të mëdha për të siguruar fitoren në zgjedhjet e qershorit. Partitë e mëdha duket se i kanë shpresat tek aleatët për të siguruar votat e nevojshme për të qeverisur gjatë katër viteve të ardhshme. Kreu i PAD-së ka mbledhur përfundimisht mendjen, duke u pozicionuar në krahun e djathtë pas divorcit me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve lokale të shkurtit 2007. Kryeministri Berisha e cilësoi si "lajm të mirë" hyrjen e PAD-së në gjirin e mazhorancës. "Është një ‘good news‘ për Partinë Demokratike dhe aleancën, çka do të sjellin një fitore të përbashkët", theksoi Berisha në takimin me kreun e PAD-së, Neritan Ceka. "Kryetari i PD-së, Berisha, dhe ai i PAD-së, Ceka, dolën në përfundimin që në zgjedhjet e qershorit 2009, këto dy forca politike do të paraqiten si aleatë elektoralë dhe në qeverisjen e vendit", citohet në njoftimin e Kryeministrisë.

Neritan Ceka bën pjesë në grupin e të parëve që guxuan të thonë mendimin ndryshe në Partinë Demokratike. Aktualisht, kryetar i PAD-së, Neritan Ceka është një ndër të parët që është përballur me largimin nga Partia Demokratike, për shkak të përplasjeve me kryetarin e saj. Në vjeshtë të 1992, fillon edhe historia e largimeve nga kampi blu. Në listën e grupit të mocionistëve u renditën emra të spikatur të asaj kohe, si Neritan Ceka, Arben Imami, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Teodor Keko, Arben Demeti dhe Perikli Teta. Një pjesë e këtij grupi krijuan partinë që edhe sot mban të njëjtin emër, Aleanca Demokratike. Qëllimi i largimit të Neritan Cekës dhe grupit ishte mungesa e lirive brenda partisë, mospranimi i mendimit ndryshe dhe mungesa e konkurrencës së lirë. Afrimi i kreut të PAD-së pranë koalicionit të djathtë erdhi pas ambicies së tij si kandidat për president, më pas shpallet nënkryetar i Parlamentit dhe tashmë synon një pozicion në qeverisjen demokratike, në rast se ajo fiton zgjedhjet e qershorit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›