Berisha: Sot votojmë ligjin e dosjeve, edhe nëse nuk do PS
ADI SHKEMBI
Maxhoranca do të votojë sot në Parlament ligjin për hapjen e dosjeve. Megjithë kundërshtimet e opozitës dhe faktorit ndërkombëtar në vend, të cilët e kanë quajtur jokushtetues, shumica parlamentare është e vendosur për të kaluar me votat e saj ligjin në Kuvend. Këtë e konfirmoi dje Kryeministri Sali Berisha, i cili në një konferencë për shtyp, për rreth 60 minuta, u shpreh se ligji duhet kaluar dhe duhet parë jo si hakmarrje politike, por për të rikthyer qetësinë, siç e quajti ai, në shpirtrat e qytetarëve që u persekutuan nga regjimi komunist. “Ligji i lustracionit që ne votojmë nesër, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk synon hakmarrjen. Edhe njëherë theksoj se ky ligj synon para së gjithash të lehtësojë gjendjen e shpirtrave të dhjetëra e mijëra shpirtrave që dergjen në varre për fjalën e lirë, për besimin tek Zoti, për pronën e tyre, për besimin tek Shqipëria. T’u lehtësojë dheun mbi varrin mijëra e mijëra burrave dhe grave, fëmijëve dhe pleqve që vdiqën në kampet e përqendrimit nga uria, sëmundjet, torturat”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë i bëri në të njëjtën kohë apel liderit të opozitës për të bashkuar votat në miratimin e ligjit, por shtoi se ligji do të kalojë edhe vetëm me votat e maxhorancës, nëse opozita nuk jep konsensusin. “Zoti Rama, ligjin nesër do ta votojmë dhe pa ty, sepse ti duke mbrojtur ata që kanë urdhëruar varjen e qytetarëve të pafajshëm shqiptarë përdhos vlerat njerëzore të njeriut të lirë. Duke mbrojtur me fanatizëm ata që kanë urdhëruar pushkatimin, varjen, zvarritjen e kufomave të intelektualëve, qytetarëve të pafajshëm, kjo dëshmon se në shpirtin tënd sërish ruhet urrejtja klasore ndaj viktimave të sistemit barbar. Zoti e shëroftë shpirtin tënd nga kjo urrejtje”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Lidhur me kushtetueshmërinë e ligjit, kryeministri Berisha theksoi se ashtu si varianti çek që ka dalë kushtetues sa herë ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, e njëjta gjë është edhe për ligjin shqiptar. Kreu i qeverisë u shpreh se modeli i zgjedhur nga Shqipëria është varianti çek, por më i zbutur. “Në vitin 2000, pasi u vendos zgjatja e afatit të veprimit të ligjit, Gjykata Kushtetuese çeke sërish e ka gjetur kushtetues. Një ligj lustracioni që është kushtetues për Çekinë, e cila ka përjetuar një shtypje, do të thosha mbi 10 herë më të vogël se Shqipëria, nuk mund të imagjinohet që të mos jetë kushtetues edhe për këtë të fundit”, vijoi më tej kreu i qeverisë. I pyetur mbi reagimet e Ambasadës Amerikane për problemet kushtetuese të ligjit Berisha tha se “Nuk di që ambasadori Withers të ketë thënë se ligji dhunon Kushtetutën. Por, nga ana tjetër, gjykoj se ka një Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut që është autoriteti suprem i vlerësimit të të gjithë pajtueshmërisë së veprimeve dhe garantoj qytetarët shqiptarë, të gjithë ata që do t’u cenohen përkohësisht të drejtat me këtë ligj do të mund t’i drejtohen lirshëm kësaj gjykate”. Ai shtoi se gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur kontakte me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë për miratimin e ligjit.