E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, vdes në maternitet lehona

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Vdes pas 8 ditësh nga lindja e fëmijës nëna 25-vjeçarja. Enkeleda Osmani, banore e fshatit kufitar Xarrë, ndërroi jetë mesditën e djeshme, ndonëse foshnja që lindi me operacion gëzon shëndet të plotë.  Alarmin për humbjen e nënës së re e dhanë familjarët e saj. Ata ia vunë menjëherë fajin mjekëve të maternitetit të Sarandës për humbjen e jetës papritur, pa asnjë shenjë të mëparshme që gjendja shëndetësore e Enkeledës ishte e rëndë. Tetë ditë më parë ajo kishte sjellë në jetë një djalë dhe pritej që pas dy ditësh të rikthehej në shtëpinë e saj, ku kishte dhe dy fëmijë të tjerë. Mëngjesin e së dielës, rreth orës 09:30, gruaja ka pësuar vdekje klinike dhe përpjekjet e mjekëve të spitalit për ta kthyer atë në jetë kanë vazhduar deri në orën 11:00 por pa rezultat. Një grup hetimor është ngritur, nëse bëhet fjalë për një rast fatal trompoze apo mjekim neglizhent.
Familjarët
Në momentet e fundit të jetës, pranë 25-vjeçares, në një prej dhomave të maternitetit të Sarandës, ndodhej i shoqi, Dritani, dhe e ëma. Deri në orën 09:30 ata pohojnë se Enkeleda ishte në gjendje të mirë. Por papritur ata vunë re se nëna e re kaloi në gjendje të fikëti, që sipas mjekëve ishte vdekje klinike. “Kërkuam në mënyrë urgjente ndihmë nga spitali, - u shprehën familjarët, - por ata nuk erdhën në kohën e duhur”. Të revoltuar dhe të hidhëruar nga humbja e njeriut të tyre, ata akuzonin dje se “shkaku i vdekjes së njeriut tonë ka ardhur thjesht nga neglizhenca e mjekëve, pasi vajza jonë për dy ditë do të dilte nga spitali dhe do të shkonte në shtëpi të vet”. Të tjerë familjarë, të cilët dje kishin mbushur godinën e spitalit, pohonin se vdekja mund të ketë ardhur dhe nga moskryerja e rregullt e operacionit për lindjen e fëmijës. Madje kishte të afërm të 25- vjeçares që thoshin se ajo kishte ditë që kishte temperaturë, fakt i cili nuk konfirmohet nga spitali. Enkeleda Osmani kishte 8 ditë që me operacion, të kryer në maternitetin e Sarandës nga mjekja Xhezarina Bozho, kishte sjellë në jetë fëmijën e tretë. Ajo kishte djalin e madh 5 vjeç dhe një vajzë 3 vjeçe, edhe ata të sjellë në jetë me anë të operacionit.
Dyshimet
Rreth 15 ditë para operacionit për lindjen e fëmijës, 25-vjeçarja Enkeleda Osmani ishte rrëzuar në fshatin e vet dhe për rrjedhojë kishte thyer këmbën në dy vende. Për këtë arsye, ajo ishte sjellë në spitalin e Sarandës, ku ia vunë këmbën në allci dhe e mbajtën nën kontroll. Po atë ditë, për situatën e re të krijuar për shtatzënën, është biseduar edhe me mjekët e maternitetit. Dhe duke qenë afër kohës për të lindur, edhe me ndërhyrjen e vetë mjekëve të maternitetit, është mbajtur në spital deri në ditën kur edhe do të kryhej operacioni. U krye operacioni dhe sipas tyre ai është kryer normalisht dhe çdo gjë shkonte mirë. “Këtë vdekje të saj nuk e kuptojmë dot. Nuk na janë përgjigjur mjekët me ndihmën e tyre në kohë për të na dhënë për vajzën tonë ndihmën e duhur”, ka qenë mendimi i familjarëve. Bëhet e ditur se kanë nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur. Specialistë nga prokuroria dhe ekspertë të policisë kriminale të Sarandës u ndodhën në maternitet për të kryer hetimet e nevojshme. U bë kontrolli i kartelës së 25-vjeçares dhe gjithashtu edhe sekuestrimi i saj si dhe u morën në pyetje familjarë të viktimës. Rreth orës 14:00 trupi pa jetë i Osmanit është transportuar për në morgun e spitalit të qytetit.

“Thyerja e këmbës provokoi trompozën vdekjeprurëse”

SARANDE – Drejtori i Shëndetit Publik në spitalin e Sarandës, Arben Vogli u shpreh dje se ishte i tronditur ashtu si dhe familjarët e viktimës për ngjarjen e ndodhur. “Nuk jam në gjendje të përcaktoj se nga se ka ardhur vdekja e kësaj nëne. Që në momentin e parë jam njoftuar për ngjarjen e ndodhur në maternitet. Kanë ardhur në spital mjekë të spitalit, u bë konsultë me ta, iu bë madje edhe goditje elektrike në çdo 15 minuta. Përpjekjet e mjekëve kanë vazhduar që nga ora 09:30 deri në 11:00 dhe nuk ka pasur asnjë reagim prej 25-vjeçares. Menjëherë pas vdekjes së saj, për të qenë me çdo gjë në rregull dhe për të përcaktuar saktë vdekjen e nënës së re, kam njoftuar prokurorinë e rrethit, policinë këtu, Ministrinë e Shëndetësisë dhe gjithashtu kam kërkuar ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët priten të vijnë nga çasti në çast. Ata do të përcaktojnë shkakun e vdekjes së 25-vjeçares”. Sipas Voglit, mendimi i përgjithshëm i mjekëve është një rast trompoze, (mpiksje e gjakut), kjo e ndikuar nga operacioni i kryer dhe nga këmba e thyer. “Trompoza pranohet shkencërisht që mund të ndodhë në raste të tilla si ai i 25-vjeçares. Thyerja e këmbës dhe moslëvizja e saj, duke qenë shtatzënë, ka shpurë në trompozë”, shpjegon një tjetër mjek. Gjithsesi autopsia e kryer nga mjekë eksperto-ligjorë të ardhur nga Tirana do të përcaktojnë shkakun e vdekjes së 25-vjeçares Enkeleda Osmani, nëna e dy fëmijëve dhe një të treti që ka vetëm tetë ditë që ka ardhur në jetë.

Ekspertiza, vendimtare

Vdekja e papritur e gruas së re ka bërë që Prokuroria e rrethit të Sarandës të nisë hetimet për shkaqet e saj. Ashtu si mjekët edhe familjarët e Enkeleda Osmanit kanë pranuar që të kryhet autopsia për të zbardhur arsyet e vdekjes së 25-vjeçares. Nga Tirana është kërkuar ardhja e ekspertëve mjeko-ligjorë, të cilët do të japin përfundimin: nëse gruaja ka vdekur nga komplikacione të paparashikuara apo neglizhenca e mjekëve të maternitetit të Sarandës. Ndonëse familja nuk ka kryer padi zyrtare për ndjekjen e çështjes, prokuroria nisi hetimet, nisur nga reagimet e para dhe rrethanat e dyshimta në të cilat humbi jetën Enkeleda Osmani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›