E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallati i shembur, mbyllet greva e urisë në Gjirokastër

Banorët e pallatit të shembur
në Gjirokastër i kanë dhënë dje
fund grevës së urisë që zgjati
tetë ditë. Burrat e 13 prej familjeve që
humbën shtëpitë nga shembja e pallatit
pesëkatësh më 9 nëntor të këtij viti
u futën në grevë urie, pasi strukturat
shtetërore vonuan dëmshpërblimin e
premtuar dhe më pas propozuan një
masë dëmshpërblimi që nuk u pranua
prej banorëve. Mësohet se greva u mbyll
dje pas negociatave me përfaqësues të
pushtetit vendor, ndërkohë që ka dalë në
pah edhe fakti se mes grevistëve ka pasur
shumë mosmarrëveshje. Dje grevistët u
mblodhën përpara Bashkisë së Gjirokastrës
për të protestuar, ashtu siç kishin
planifikuar një ditë më parë. Por, ndryshe
nga ç‘prisnin, ata nuk janë mbështetur
nga qytetarët e Gjirokastrës, por kanë
qëndruar në shesh të shoqëruar vetëm
nga familjarët dhe disa përfaqësues të
partive politike dhe organizatave joqeveritare.
Ata kanë mbajtur në duar pankarta
ku shkruhej: "Kërkojmë dëmshpërblim
të plotë" dhe "Duam të drejtën tonë".
Në këtë protestë, përfaqësuesi i grevës,
gazetari Sokrat Papadhopuli, lexoi edhe
vendimin për mbylljen e përkohshme
të grevës së urisë. "Duke besuar në
deklaratën e Presidentit të Republikës,
z. Bamir Topi, bërë disa ditë më parë,
se kërkesat tona do të marrin përgjigjen
e duhur si dhe në prag të festave tradicionale
të fundvitit, dalim prej grevës së
urisë deri në ditët e para të janarit dhe,
natyrisht përgjithmonë, me të marrë
dëmshpërblimin. Në rast të kundërt,
ne do të rishohim pozicionet tona dhe
brenda hapësirave të demokracisë dhe
respektimit të ligjeve do të vazhdojmë
të kërkojmë të drejtat, duke shpresuar te
shteti ligjor, tek organet e drejtësisë dhe
të gjithë faktorët që mund të ndikojnë
në zgjidhjen e problemit tonë", u shpreh
Papadhopulli. Ndërkohë, dje janë vënë
re edhe mosmarrëveshjet mes familjeve
të pallatit të shembur. Disa prej këtyre
familjeve akuzojnë familjet e tjera se
janë favorizuar nga pushteti vendor për
zgjidhjen e problemit të tyre. Ndërkohë,
akuzat për diferencime mes banorëve
të dëmtuar nga shembja e pallatit janë
hedhur poshtë nga drejtues të Bashkisë
së Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›