Patozi: Shqiptarët të largojnë me votë korrupsionin e Ramës
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, akuzoi dje kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, se ka krijuar një sistem korrupsioni në Bashkinë e Tiranës. Sipas Patozit, Rama kërkon që këtë sistem ta vendosë në qeverisje, ndaj dhe u bëri thirrje qytetarëve që ta largojnë me votë më 28 qershor. Gjatë takimeve të zhvilluara në komunat Kryevidh, fshatin Luz i Madh të komunës Lekaj dhe në Gose, Patozi tha se Rama ka krijuar një sistem korrupsioni me dhënien e lejeve të ndërtimit. “Vetëm pak ditë më parë Rama kërkoi të mblidhte KRT-në e Tiranës dhe dha 18 leje. Akte të tilla të pastra korrupsioni, 15%-shat apo dy katet që jepen tek Rama për çdo pallat të ndërtuar në Tiranë me aprovimin e tij, janë krejtësisht të papranueshme”, - akuzoi Patozi. Nënkryetari i PD-së shtoi: “Ne kemi ndërmarrë një nismë parlamentare, një komision parlamentar, i cili do të hetojë dhe do t’u tregojë të gjithë shqiptarëve se kush është Edi Rama dhe filozofia që ai përfaqëson”. Patozi kërkoi nga qytetarët që të votojnë alternativën e ndryshimit dhe zhvillimit. “Më mirë se komisioni, do të jenë shqiptarët ata që më 28 qershor do të largojnë Edi Ramën si nga Partia Socialiste, ashtu dhe nga Bashkia e Tiranës”, - shtoi ai. Nënkryetri i PD zhvilloi takime edhe në komunat Novoselë, Babicë e Madhe, Komunë Qendër dhe Llaktund. Ai reagoi pas braktisjes së parlamentit nga ana e opozitës duke e kosniedruar këtë veprim një pretekst për të mos pranuar një proces zgjedhor që po ecën normalisht. “Socialistët të ndodhur përballë vetmisë së kryetarit të tyre vazhdojnë me përrallat e kartave të identitetit duke gjetur pretekste për të mos pranuar një proces që po ecën normalisht, brënda të gjitha parashikimeve. Qëndrimi i tyre është spekullim politik para një nisme të mazhorancës për të hetuar mbi lejet e ndërtimit që kryetari i tyre iu jep ortakeve të tij”,-tha ai.