Berisha: S’përjashtoj koalicionin me PS, vetëm zgjedhjet të mos përsëriten
Kryeministri Berisha lë të hapur mundësinë e krijimit të një koalicioni me PS për të shmangur zgjedhjet e parakohshme nëse nuk do të ketë shumicën pas 28 qershorit. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, kreu i qeverisë tha se nuk do ta dëshironte një koalicion të tillë, por mund ta bënte vetëm që vendi të mos drejtohej në një proces tjetër zgjedhor. “A e dëshiroj unë një koalicion të tillë? Nuk e dëshiroj. Por a mund ta çoj unë vendin prapë e prapë në zgjedhje, unë t’u them të vërtetën e kam të vështirë ta bëj. Ta dinë mirë, nuk dua të marrin ata një moment të sinqeritetit tim si platformë. Nuk bëj koalicion, por nëse e shoh vetë se nuk ka asnjë alternativë tjetër ose zgjedhje, ose kjo, pastaj... E kam thënë atë (PS dhe LSI) është mollë e kalbur e ndarë më dysh janë ata”, theksoi kreu i qeverisë gjatë debatit me gazetarët. Duke u ndalur në fushën elektorale të 28 qershorit, kreu i qeverisë theksoi se është gati të zhvillojë një debat publik me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, por shtoi jo pa ironi se krerët e këtyre dy forcave duhet të bëjnë një debat publik me ish-kryeministrin Fatos Nano.
Zgjedhjet në PD
Me gjithë zërat e shumtë, ndonëse jo zyrtarë, se zgjedhjet brenda PD-së në disa degë kryesore dhe ato për lidershipin e partisë do të shtyhen për pas 28 qershorit, kreu i qeverisë konfirmoi se një gjë e tillë nuk do të ndodhte. “S’mund të ketë zgjedhje pa kongres përpara. Do bëjmë kongresin”, theksoi Berisha. I pyetur sërish se cili do të jetë qëndrimi i tij në raport me Partinë Demokratike nëse humbet zgjedhjet e 28 qershorit, kreu i ekzekutivit tha se nuk do ta drejtojë më këtë parti në opozitë. “Si e pyet kryeministrin ti për të paimagjinueshmen. I vendosur të respektoj vullnetin e qytetarëve, e vërteta është se mandatin e dytë qytetarët kanë vendosur t’ia japin kësaj qeverie, e cila e ndryshoi Shqipërinë. Sali Berisha, në momentin që qytetarët shqiptarë do të vendosin ndryshe, unë do t’i respektoj. Nuk do të qëndroj në krye të PD-së në opozitë. Ai është një standard i partive të qytetëruara. Pasionet e mia janë të shumta. Është politika, janë librat. Unë u kam thënë opozitarëve që edhe 35 vjet të mos mërziten”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Për sa i përket listës së kandidatëve të PD-së, që do të paraqiten përpara elektoratit për një mandat të dytë, Berisha u shpreh se ajo do të ketë ndryshim nga lista e 3 korrikut. “Grupi i ardhshëm i PD dhe i maxhorancës do ketë një ndryshim të madh, së pari do respektohet ligji për zonjat, e konsideroj të rëndësishme praninë e 30% të zonjave në Parlament. Së dyti, lista do të ketë njerëz të politikës. Me emra konkretë nuk mund të futem. Unë kam një kabinet me një pjesë prej të cilëve kam qenë kundërshtar dhe funksionoj sot sikur s’kam pasur asnjë kundërshti me ta. Por do ketë edhe figura të reja”, vijoi më tej Berisha.
“Pango e ka të merituar dënimin”
Kreu i qeverisë konfirmoi sërish qëndrimin e tij ndaj ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, por shtoi se atij iu dhunua banesa, çka përbën një shkelje të hapur ligjore. “Pango e ka merituar plotësisht dënimin. Por edhe njëherë them. Shtëpia e një qytetari, e një shqiptari, e një njeriu të lirë nuk mund të dhunohet në mënyrë kategorike pa procedurë ligjore”, theksoi Berisha. Duke iu referuar kreut të PS-së, Rama, Berisha tha se “të jesh i bindur se fotografitë e tij lakuriq kanë qarkulluar në katër anët e botës dhe nuk është Berisha që e ka fotografuar dhe nuk është ai që ka e çuar që ta fotografojë ministrin e Kulturës në plazhe nudo. Nuk do ta bëjë kurrë. Ai filloi orgjinë kolektive gjashtë muaj rresht. S’e ka mohuar asnjëherë ai. PD-ja ia numëroi të gjitha atij, pasi përdori një media për të dhunuar një shtëpi”.