Këshilltari i Brown, Woods: Shqetësim për zgjedhjet
Kryetari i LSI-së edhe në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Londër, zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të qeverisë dhe politikës britanike. Meta u prit në një takim të veçantë nga Stewart Woods, i cili është këshilltari për politikën e jashtme të Kryeministrit Gordon Brown. Në takimin e zhvilluar me Woods, lideri i LSI-së ka shprehur shqetësimin e tij për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në vendin tonë dhe zhvillimin e tyre sipas standardeve. Gjithashtu, në takimin mes Metës dhe këshilltarit të politikës së jashtme të Kryeministrit Brown është diskutuar lidhur me Kosovën dhe rajonin. Po dje kreu i LSI-së është pritur në Londër dhe në Foreign Office nga Caroline Flint, Ministre për Europën e Britanisë së Madhe. Edhe gjatë këtij takimi tema kryesore e bisedës ka qenë e fokusuar te zgjedhjet e qershorit në Shqipëri. Duke bashkëbiseduar me Caroline Flint, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur për forcimin e mëtejshëm të raporteve dhe marrëdhënieve me Britaninë e Madhe. Një takim të rëndësishëm Meta zhvilloi dhe me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin britanik, Mike Gapes. Përveç zgjedhjeve të 28 qershorit, Gapes ka vlerësuar edhe kontributin e dhënë nga kryetari i LSI-së, Meta, për politikën rajonale.