Fier, protestë për faturat e energjisë
FIER - Fatura që varijojnë nga 28 mijë deri në 40 mijë lekë të reja kanë mbërritur në shumë familje fierake nga faturistët e energjisë elektrike. Bëhet fjalë për faturat e muajit dhjetor, të cilat kanë revoltuar banorët. Sipas vetë qytetarëve, shuma nuk është nën emrin e konsumit, por të dëmit ekonomik, i cili nuk pranohet kurrsesi prej tyre. Anëtarët e rreth 50 familjeve nga lagjja "Kryengritja e Fierit" u mblodhën dje para prefekturës për të shprehur shqetësimin. "është e pamundur që faturisti të vendosë një shumë të tillë në faturën e dritave. Ne si familje, historikisht kemi gatuar me gaz dhe energji konsumojmë rreth 3 mijë lekë në muaj. Por fatura e muajt dhjetor ka ardhur me 2 mijë kilovat më shumë, çka rrit edhe vlerën e saj. Këto kilovatë janë faturuar si dëm ekonomik që i kemi shkaktuar shtetit, duke u supozuar se kemi vjedhur energji elektrike nëpërmjet mënyrave të ndryshme. Na është thënë se kemi hequr vulat e sahatëve duke i manipuluar. Por, ne si mund ta bëjmë këtë kur çelësin e kutive e mbajnë duart e faturistëve dhe punonjësve të OSSH-së?", shprehen banorët. Përballë shqetësimit të familjarëve, prefekti i Fierit Bujar Hasa u shpreh se do të interesohet personalisht për zgjidhjen e tij. m.r.