Shkolla e integrimit evropian
Ndriçim Kulla Evropa në të gjithë ambientin tonë shoqëror sot është kthyer në një fjalë të magjishme. Me kuptimin dhe besimin kundrejt këtij qytetërimi, duket se po lidhet çdo lëvizje shoqërore, ekonomike, politike dhe jetësore. është për t’u vlerësuar dhe konsideruar ky entuziazëm optimist, i cili ka epërsi në raport me shumë shtete dhe kombe të tjera përreth nesh, që aktualisht janë bërë edhe pjesë integruese e Evropës apo vende të tjera që janë në garë e aspirojnë të bëhen pjesë ekonomike, politike dhe administrative e këtij bashkimi. Evropa dhe qytetërimi perëndimor na e kanë bërë tashmë ftesën për të hyrë në gjirin e tyre. Dhe procesi i marrëveshjeve ka filluar. Mirëpo, përtej marrëveshjeve dhe kushteve politike apo ekonomike, para së gjithash, kjo do të thotë “thëthitje” e ajrit të mendimit dhe filozofisë së qytetërimit të saj; do të thotë njohje, “përvehtësim” dhe “bashkim” dinjitoz me atë korpus gjigand kulture, dijesh e veprash, me anë të të cilit brezat e tërë të mendimtarëve, heronjve, shkencëtarëve, artistëve dhe njerëzve të vet të shquar ngritën shtatoren e një botëkuptimi të lirë dhe mbrojtën formën e një zemre të hapur e të kultivuar.Rruga është e gjatë, shumë më e vështirë dhe komplekse se integrimi institucional; ndaj që kjo ndërmarrje të mos na kthehet në një gur Sizifi, por në një çlirim shpirtëror, në një proces emancipimi, na lipset patjetër një bazë ku të mbështetemi. “Intellectues luminis sicci non est recipit infusionem a voluntate et affectibus” (Intelekti nuk është një llambë që shndrit pa vaj, por që ushqehet nga vullneti dhe pasioni), thotë Francis Bacon. Po megjithatë, edhe pse vullneti dhe pasioni mund të shërbejnë si një pikënisje e volitshme, përsëri na lipset patjetër një dorë ndihme. Një dorë ndihme që natyrshëm, ashtu siç në çdo gjë të re që mendohet të mbillet, për t’u rritur më pas e shëndetshme, duhet t’u jepet pikësëpari fëmijëve tanë e duhet të fillojë menjëherë nga shkolla jonë. Po ku konsiston vallë një ndihmë e tillë? Të gjitha vendet e reja që iu bashkëngjitën së fundmi Bashkimit Evropian, por edhe vendet me histori të gjatë në të (për të marrë një shembull konkret, edhe fqinjët tanë, Italia dhe Greqia), duke synuar ta përshtatin kulturën e mësimit dhe edukimit nëpër shkollat e tyre me këtë perspektivë të përbashkët, që i pret gjithë kombet e kontinentit tonë, ideuan dhe implementuan një program të posaçëm, të shumëformshëm dhe afatgjatë, me titull “Të njohim Evropën”. Nivelet e informacionit qenë të shtrirë, por përqendrimi kryesor ishte ai i bazuar në fëmijët e ciklit të arsimit bazë, por edhe ata të arsimit të mesëm. E duhet theksuar se ky është një program. Dhe i gjithë ky program ishte një iniciativë e mbartur me një vullnet të qeverive dhe parlamenteve të çdo vendi, si dy shtyllat kryesore të çuarjes përpara të këtij procesi, e përkthyer më pas në nivel ministerior, dhe i mbështetur edhe nga iniciativa e editorisë dhe shoqërisë publike. Pse vallë, nuk do të qe mënyra më e mirë e edukimit dhe perspektivës së fëmijëve tanë dhe të shkollës sonë implementimi edhe në shoqërinë shqiptare i këtij programi? A s’do të qe një kulturë-formim i dobishëm, i nevojshëm dhe dinjitoz për kohën që po kalojmë, njohja e brezit tonë të ri dhe fëmijëve tanë (sigurisht me histori dhe letërsi në mënyrë të përshtatur me moshën) me historinë e Evropës, me fazat e kalimit të saj që nga grekët e romakët në Mesjetë, Rilindje dhe deri në kohët moderne? Duke njohur heronjtë, njerëzit e famshëm të kësaj historie, bëmat dhe përpjekjet e tyre në marshimin e gjatë që e nxori racën njerëzore prej skllavërisë së Mesjetës në kohët e zhvillimit ekonomik dhe kulturor, duke njohur pra këtë marshim dhe histori të lirisë së Evropës, çmohet dhe vlerësohet akoma dhe më mirë liria ku sot jetojmë, rrënjoset e brumoset akoma dhe më mirë te fëmijët tanë edukimi demokratik dhe shoqëror, për të cilin kemi aq shumë nevojë, kultura, letërsia, arti, fuqia e optimizmit, çdo ndjenjë e mirë që e shpie përpara shoqërinë njerëzore. E më tej, nëse krahas miteve, legjendave dhe heronjve tanë më popullorë, krahas eposit tonë, fëmijët tanë mësojnë edhe mitet e legjendat e antikitetit greko-romak apo të Evropës veriore, heronjtë e mesjetës, sagat legjendare të kombeve të mëdhenj evropianë, me baladat dhe epokat e tyre, a nuk do të shfaqen ata vallë më me dinjitet, më me kulturë e formim, nesër kur të jenë pjesë organike e këtij qytetërimi? Po nëse njihen në mënyrë të orientuar me shkencëtarët dhe shpikjet e tyre të mëdha, me njerëzit e mençur dhe dijen e tyre të filozofisë dhe sociologjisë, a nuk do të jenë më të përgatitur e më të gatshëm për t’u përballur me kërkesat e kohës në tregun e punës? Ja pse drejtuesit e arsimit tonë, shkolla dhe shoqëria jonë duhet të zgjohen dhe kapërcejnë me urgjencë rutinën ciklore të problemeve të arsimit dhe të parashikojnë programe të tilla novatore, në mënyrë që t’ua japin patjetër këtë dorë ndihme brezit të ri që do të jetë brezi i integrimit evropian. Ky program duhet të fillojë menjëherë, duke përzgjedhur dhe bërë të gatshme këtë literaturë nëpër shkollat dhe bibliotekat tona, gërshetuar me përpjekjen kurrikulare të transferimit të kësaj kulture edhe në procesin mësimor. Asgjë se pengon shkollën tonë që me një vullnet të posaçëm t’i ndërfusë këto dije nëpër orët e lira të lëndëve përkatëse të historisë, letërsisë, edukimit shoqëror, shkencor apo human, në perspektivën afat-shkurtër të përshtatjes edhe të kurrikulës me këtë program. E kanë bërë shumica e vendeve që sapo i janë bashkuar BE, literatura e kurrikulave më të mira të BE dhe perëndimit është aty për të na ndihmuar në këtë nismë. Tashmë pritet vetëm vullneti për ta zbatuar atë. Thirrja tashmë na është bërë; le të na kthehet pra në fat, ligj, busull për të orientuar në universet e saj edhe fëmijët e të rinjtë tanë. Zhak Deluze, një filozof bashkëkohor francez thotë: “Në një ndërmarrje nuk duhet as të kesh frikë e as të shpresosh pa bazë, duhet të kesh vetëm “armët e duhura”. E në këtë ndërmarrje të integrimit që po marrim përsipër, njëra nga “armët” më të duhura është implementimi dhe studimi nga ana e brezit tonë të ri i një programi të veçantë e të specializuar për njohjen e gjerë dhe të thellë të kulturës, historisë dhe traditës së Universit Evropian dhe Perëndimor. Ky program është thelbësor dhe si i tillë duhej t’i paraprinte ndryshimeve strukturore.