E Diel, 1 Nëntor 2026

Lekë Dukagjini, persona non grata për Bashkinë e Tiranës?

Gjergj Frashëri Prej gati një viti banoj në një hyrje në rrugën “Lekë Dukagjini” të Tiranës - rruga para ndërtesës së RTSH-së, drejt Stadiumit “Qemal Stafa”. Në këtë pallat kam vendosur edhe zyrat e Fondacionit “Qëndra Frashëri”.  Këtë adresë e kam njoftuar gjithandej në institucionet dhe në personat brenda dhe jashtë vendit, me të cilët kam marrëdhënie pune. Kur u ktheva nga pushimet, mësova nga tabelat, se me vendim të Bashkisë së Tiranës emri i rrugës ishte ndryshuar. Emërtimi i mëparshëm i rrugës “Lekë Dukagjini”, ishte zëvendësuar me rrugën “Papa Gjon Pali II”. Fillimisht dyshova se gjatë pushimeve të vitit të ri, ishte zbuluar nga specialistët, se ky Lekë Dukagjini do të ketë turpëruar dikur Tiranën, ose akoma më rëndë, Shqipërinë. Pyeta. Më thanë atë që dihet, se ka qenë një personalitet i shquar shqiptar i shekullit XV, i njohur dhe në Evropë. Më thanë gjithashtu se pasi vdiq Skënderbeu, ai udhëhoqi për 10 vjet (1468-1478), si pasardhësi i tij, luftën heroike të shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Më thanë gjithashtu se emri i tij i ka çarë shekujt deri në ditët tona si burrë kanuni i maleve të Shqipërisë veriore. Përse atëherë u hoq emri i tij?  Papa Gjon Palin II e nderoj dhe e respektoj si një personalitet botëror dhe si një mik të Shqipërisë. Pa dyshim që emrin e Papa Gjon Palit II e meriton ta mbajë një nga rrugët e kryeqytetit. Por, nuk kuptoj përse u dashka sakrifikuar emri i Lekë Dukagjinit, për t’i bërë vend emrit të Papës së nderuar? Besoj se Lekë Dukagjini nuk ka qenë as komunist dhe as ballist, as anëtar i Byrosë së KQPPSH-së dhe as në kryesinë e Ballit Kombëtar, as anëtar i PD-së dhe as anëtar i PS-së, besoj se ai nuk ka „dosje” as në arkivat e Sigurimit të Kuq dhe as në arkivat e Sigurimit Blu. Ndoshta, sepse Lekë Dukagjini nuk ka pasur asnjë nga këto “merita bashkëkohore”, ka qënë për Bashkinë e sotme të Tiranës më e lehtë, pa dhimbje, t’a fshijë emrin e tij, pa e respektuar faktin, se vetë Bashkia më parë e ka pagëzuar këtë rrugë me emrin e Lekë Dukagjinit. Le t’i lëmë mëdyshjet dhe të flasim seriozisht! Këtë aksion të Bashkisë së Kryeqytetit e shoh personalisht si veprim të pamatur dhe natyrisht të gabuar. E para: Emrat e rrugëve në botën e sotme të qytetëruar janë dokumente historike, pjesë e vlerave historike të qytetit, të vendit. Ato nuk mund të ndërrohen si çmimet në Pazarin e Tiranës. është krejtësisht e padrejtë që papritur Bashkia e sotme t’i ndërrojë emrat e rrugëve, të cilat kanë dalë me vendim nga Bashkia e mëparshme. Vendimi ka një arsye, është dokument i kohës së vet, i historisë. Emrat e rrugëve pasqyrojnë edhe kulturën e personelit të Bashkisë që i vendos ato. Për këtë arsye, emrat e rrugëve pasi vihen në përdorim ngurosen në memorien e qytetarëve. Qytetarët me kohë mësohen me to, si të thuash fosilizohen, si rrjedhim bëhen dhe pika referimi midis banorëve. Ato hyjnë kështu në traditën dhe profilin e një qyteti. Si rrjedhim, ta ndryshosh befas emrin e një rruge është të dhunosh traditën. Në njëfarë mënyre sjell edhe provokime në patriotizmin e qytetarëve. Me falni, por me këtë logjikë të Bashkisë së Tiranës, një mëngjes do e gjejmë emrin e Via Egnatia-s të shndërruar në emrin e ndonjë “Kryetari të nderuar”, megjithëse qindra segmente rrugësh në Tiranë nuk kanë ende emra rrugësh dhe mijëra banesa të kryeqytetit nuk kanë numër në portat e tyre.E dyta: Ndryshimi befas i emrave të rrugëve është i padrejtë edhe në një drejtim tjetër. Emrin që mban një rrugë e ka vënë një nga bashkitë e mëparshme. Ka raste kur emrin e ka vendosur tradita popullore. Drejtuesit e një bashkie, qoftë edhe Këshilli Bashkiak, janë në funksione të përkohshme. Ata nuk kanë të drejtë të rrëzojnë pa argumente vendimet e një Këshilli Bashkiak të mëparshëm. Nëse çdo bashki përmbys vendimet e bashkisë paraardhëse shkakton mungesë stabiliteti. Dihen dëmet që i sjell një vendi mungesa e stabilitetit. Edhe ndryshimi i emrave të rrugëve është aktualisht shenjë e mungesës së stabilitetit. Po jap një shembull. Më 1967 një grup emigrantësh shqiptarë në Francë, iu lut kryetarit të Bashkisë së Parisit, në atë kohë Zhak Shirak (Jacques Chirac), Presidenti i mëvonshëm i Francës, që me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut të pagëzonte një nga sheshet e Parisit me emrin e Heroit Kombëtar Shqiptar. Përgjigjen e Shirakut është mirë ta kenë parasysh kryebashkiakët e Shqipërisë. Ai u përgjigj afërsisht me këto fjalë: Emrin e Skënderbeut meriton që ta mbajë një nga sheshet e Parisit, por unë, - shtonte ai, - nuk kam të drejtë t’ia heq një sheshi apo një rruge emrin dhe ta zëvendësoj me një emër tjetër. Emrat e sotëm janë caktuar nga paraardhësit tanë. Parisi, – përfundonte Shiraku, – është vazhdimisht në zhvillim dhe në rritje. Sapo të krijohet një shesh i ri ju siguroj se do të pagëzohet me emrin e Skënderbeut dhe do të pajiset me bustin e tij.Shembull tjetër, bulevardi më i madh i Berlinit të bashkuar vazhdon të mbajë sot emrin e Karl Marksit (Karl Marx), megjithëse ne -demokratët e kulluar të Shqipërisë-  nuk e durojmë dot këtë emër.I shkruajta këto radhë sepse një koleg historian nga Köln-i i Gjermanisë, m’ë kërkoi të dijë, përse është ndërruar emri i rrugës “Lekë Dukagjini” nga adresa e zyrës time në Tiranë. Ju lutem m’ë jepni një përgjigje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›