Berisha-Synej : Ofrojmë zgjidhje për të dëmtuarit
Kryeministri Berisha ka shkuar për të parë nga afër dje situatën në fshatin Synej të Kavajës, pas rrëshqitjes masive të dherave që shembën disa shtëpi. Kryeministri Berisha u prit nga kryetari i Komunës së Synejit, Përparim Çaça, një grup familjarësh që humbën banesat në këtë ngjarje të rëndë, si dhe nga qindra banorë të tjerë, të cilëve u premtoi se "rasteve të tilla ne do t‘u japim patjetër një zgjidhje". Kryeministri u shpreh se pas studimit gjeologjik, i cili do të bëhet shumë shpejt, qeveria do të marrë të gjitha vendimet e duhura dhe do të jetë tërësisht në mbështetjen e këtyre banorëve. "Duhet të përcaktoni zonën e trojeve të reja ku do të bëhet postimi i kësaj zone, sepse kjo zonë nuk ka garanci", theksoi Berisha, duke iu drejtuar autoriteteve vendore të kësaj komune.