E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dollari rikthehet në ngjitje

Dollari amerikan ndaloi rënien kundrejt euros dhe monedhave të tjera të rëndësishme gjatë ditës së djeshme, pasi planet e Bankës Qendrore amerikane për blerjen e borxheve të këqija të bankave dhanë efekte pozitive në bursa ndërkohë që shitjet e shtëpive në SHBA shënuan rritje të papritur në muajin shkurt. Dollari fitoi 1% dhe u këmbye me $1.35 për euro, pasi shënoi kulmin në kuotën $1.366 të premten e kaluar. Dollari humbi rreth 5% në pak ditë javën e kaluar, duke shënuar edhe ditën më të keqe kundrejt euros që nga viti 1999.
Bursat amerikane mirëpritën vendimin e Rezervës Federale për të pastruar bilancet e bankave të rrezikuara përmes përdorimit të qindra miliardë dollarëve nga paratë e taksapaguesve. Ndërkohë, shitjet e shtëpive në SHBA shënuan rritje të papritur në shkurt, pasi shumë njerëz vendosën të blinin duke përfituar nga çmimet e ulëta. Në bazë vjetore deri në shkurt ‘09, në SHBA u shitën 4.73 milionë shtëpi me çmim mesatar prej 165 mijë dollarësh secila. Një vit më parë, çmimi mesatar i shtëpive të shitura qe 195 mijë dollarë. Këto janë treguesit e shitblerjeve të shtëpive ekzistuese, jo atyre të reja. Shitjet e pronave në SHBA shpesh ndikojnë në ecurinë e kursit të këmbimit të dollarit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›