E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Bashkëpunimi me PS-në nuk është diçka e re

Nuk ka asgjë të re në qëndrimin e LSI-së për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste. Kjo ishte deklarata e djeshme e kreut të LSI-së, Ilir Meta, gjatë një komunikimi me mediat lokale në qytetin e Shkodrës. Në këtë mënyrë Meta dëshiroi të përgjigjet, por edhe t‘u japë fund polemikave mbi qëndrimet e fundit të LSI-së kundrejt PS-së. "Nuk ka ndryshim të qëndrimit të LSI-së dhe koalicioni me PS-në nuk është një gjë e re, pasi kjo është një alternativë e shumë kohëve më parë", tha Meta. Lidhur me hetimet mbi Nikollaq Neranxin dhe kandidatin e LSI-së në Shkodër, Sait Fishta, Meta i ka krahasuar rastet me ato të Silvio Berluskonit në Itali, që pavarësisht se ai ka shumë gjyqe të hapura, vazhdon të jetë më i votuari në Itali. Njëkohësisht, pas kthimit nga Shkodra, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, aplikuan për t‘u pajisur me kartën e identitetit. Ata u drejtuan për në zyrat e njësisë bashkiake nr.7 në kryeqytet, ku bënë edhe aplikimin për pajisjen me kartë. Meta u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të aplikojnë sa më parë për t‘u pajisur me kartë identiteti, ndërsa i kërkoi edhe një herë qeverisë shqiptare që të subvencionojë në maksimumin e mundshëm të gjitha ato shtresa të shoqërisë që janë në gjendje të rënduar ekonomike për shkak të të ardhurave fare të pakta dhe të rritjes së kostos së jetesës. Njëkohësisht, kreu i LSI u shpreh se komisioni i përbashkët parlamentar për çështjen e zgjedhjeve duhet të propozojë zgjidhje sa më efektive në drejtim të motivimit të gjithë shtetasve që ky proces të rezultojë me sukses deri në fund të muajit maj. Ndër të tjera, Meta shprehu besimin se edhe misioni i ODIHR-it, pasi është vënë në dijeni mbi ecurinë e këtij procesi, do të kontribuojë me propozime sa më konkrete dhe efikase. I pyetur mbi deklaratën e Kryeministrit, se e majta ka frikë nga humbja, kreu i LSI-së vuri në dukje se është Berisha ai që do dalë në pension në zgjedhjet e 28 qershorit dhe do të jetë përfitues i projektligjit të LSI-së për moshën e tretë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›