E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha është një rrezik për zgjedhjet e lira

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se Kryeministri Sali Berisha po rrezikon zgjedhjet e qershorit. Rama iu përgjigj fjalës së Kryeministrit Berisha për 22 marsin, duke u shprehur se pas 17 vitesh ajo që rrezikon vendi duke pasur këtë Kryeministër, është që të mos ketë zgjedhje të lira. "Dhe pas 97 ditësh, një palë zgjedhje të tjera janë seriozisht në rrezik, pikërisht sepse njeriu që 17 vjet të shkuara u zgjodh për të na garantuar këtë, sot e gjithë ditën mbetet kërcënimi kryesor i zgjedhjeve në krye të një koalicioni bashkëfajtorësh, për shumë të këqija e mbi të gjitha për një tragjedi të pashembullt, ku shteti bombardoi, vrau, plagosi e shkatërroi qytetarët e vet", nënvizoi kryetari i Partisë Socialiste. Kryesocialisti i bëri thirrje Berishës që të reagojë dhe së bashku, me të gjitha forcat, të shpëtojnë zgjedhjet. Kjo, sipas Ramës, duhet të nisë duke dhënë kartat e identitetit falas. Madje ai i kujtoi Kryeministrit se Kodi Zgjedhor ka si përparësi pajisjen e shtetasve pa pasaportë me kartë identiteti. "Sot, unë i them Sali Berishës se në Shqipërinë e keq-qeverisur prej tij, ku qindra mijëra të varfër nuk blejnë dot kartën e identitetit, e drejta e tyre elementare si njerëz që jetojnë në një vend demokratik, nuk mund të shkelet në asnjë mënyrë për shkak të varfërisë", nënvizoi kreu i PS-së. Rama bëri një ftesë të hapur për Kryeministrin, teksa i kërkoi që "të shohë propozimin e PS-së me sytë e njeriut që ka detyrën kushtetuese të garantojë krejt infrastrukturën dhe standardet zgjedhore, ta kuptojë si mundësinë e vetme për shpëtimin e një procesi që sot është seriozisht i kompromentuar, për shkak të atij e të vetë atyre që e rrethojnë". Duke kundërshtuar bilancin e Berishës për qeverisjen e djathtë, Rama nënvizoi se në 22 mars të 1992-shit, Berisha u votua që të çonte vendin drejt Evropës, por i drejtoi drejt piramidave të korrupsionit, i çoi qytetarët e këtij vendi nën gërmadhat e piramidave, ndërkohë që me mandatin e tij të dytë po i lë më të varfër e më të papunë se ç‘i gjeti 4 vjet më parë. Sa më tej, në vlerësimin e kreut të PS-së, thuhet se Sali Berisha na kujtoi edhe një herë se ka mbetur ish-komunisti i fundit në pushtet në gjithë Evropën. Dy ditë më parë Kryeministri Berisha, me rastin e 17-vjetorit të ardhjes së PD-së në pushtet pas zgjedhjeve të 1992-shit, bëri një bilanc të mënyrës se si kanë qeverisur demokratët, duke paraqitur disa momente që ai i konsideroi të suksesshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›