E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kreu i opozitës, Rama, ka fobi zgjedhjet

Partia Demokratike ju kundërpërgjigj shpejt deklaratës së kreut të PS-së, Edi Rama, për zgjedhjet. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, deklaroi dje se "Rama është dekurajues për procesin e letërnjoftimeve, i ka fobi ato, ashtu siç ka fobi zgjedhjet". Sipas Bogdanit, Partia Socialiste nuk po inkurajon qytetarët të shkojnë për të bërë aplikimet për kartat e reja të identitetit dhe kreu i PS-së nuk ka bërë asnjë thirrje për aplikim. "Rama ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe humbja e 28 qershorit", theksoi Bogdani. Zëdhënësi i selisë blu në emër të PD-së ftoi gjithashtu të gjithë qytetarët që t‘u drejtohen zyrave të aplikimit për kartat e identitetit, pasi ato nuk do të përdoren vetëm për të votuar, por do të ndihmojnë në një të ardhme edhe për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Një ditë më parë, kreu i qeverisë i kërkoi kryesocialistit Rama që të bashkëpunojë për letërnjoftimet dhe t‘i bashkohet thirrjes për të aplikuar për kartat e identitetit. Nga ana tjetër vlen të theksohet se kryetari i PD-së ende nuk ka bërë aplikimin për kartën e identitetit, ndonëse në konferencat apo në deklaratat e tij publike i fton qytetarët të drejtohen në të gjitha zyrat për të aplikuar për kartat e identitetit. Zëdhënësi i PD-së e ka etiketuar kreun e PS-së si dekurajues për letërnjoftimet me arsyen e vetme se PS ka frikë nga zgjedhjet. Deklaratat e selisë blu kanë ardhur menjëherë pas konferencës së liderit të PS-së, Edi Rama, i cili ka theksuar se letërnjoftimet duhet të ndahen falas.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›