E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: ”Sytë nga të rinjtë për rritjen e PD-së”

Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer Partisë Demokratike dhe si simbol të këtij rikthimi ka pranuar në gjirin e partisë 140 të rinj, të cilëve u rikujtoi historinë e themelimit të partisë më të madhe në vend. Berisha u tha të rinjve se bashkëmoshatarët e tyre u bënë pjesë e kësaj partie, e themeluan PD-në dhe ishin pjesë e pandarë e saj. Lideri i PD-së në fjalën e tij ka nxitur të rinjtë t’i bashkohen PD-së si një forcë e hapur politike, ku çdokush që ka vlera mund të ngjitet në politikë brenda vlerave të Partitë së parë opozitare. “Ju sot anëtarësoheni në një parti, e cila u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore. U themelua si parti e vlerave më të çmuara të njeriut. Ata që themeluan në dhjetor të vitit 1990 Partinë Demokratike ishin moshatarët tuaj, bashkë me një grup pedagogësh dhe intelektualësh që vendosën të themelojnë partinë e parë opozitare në vendin më totalitar të Europës, në vendin e lirive dhe të drejtave njerëzore të ndaluara me Kushtetutë, në vendin ku regjimi kishte bërë përpjekje demoniake për të ndaluar dhe vetë Zotin, në vendin e zhytur në izolimin më të thellë në tërë historinë e tij. Këta të rinj dhe këta intelektualë, që në dhjetor të vitit 1990 themeluan Partinë Demokratike, vendosën si mision të saj kryesor krijimin e shoqërisë së lirë në Shqipëri, shoqërisë ku respektoheshin të drejtat dhe liritë njerëzore, iniciativa e lirë dhe besimi fetar. Pra, nisi rruga e ndërtimit të lirisë dhe vlerave të saj dhe në themel të kësaj nisme ishte shpirti, energjia, pastërtia dhe ëndrrra e të rinjve shqiptarë”, - tha Berisha. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se ata kanë bërë zgjidhjen më të mirë, duke e thënë këtë jo vetëm si kryetar i kësaj partie, por nisur nga një bindje e thellë, e cila tek çdo njeri krijohet nga raportet e tij me lirinë. Në vazhdim të fjalës së tij, lideri i PD-së tha se nuk ka pasuri më të madhe për njeriun sesa liria, por nuk ka pasuri më delikate se liria, gjë që nënkupton se duhet një kujdes i vazhdueshëm dhe konstant për respektimin e saj. Sipas tij, në dy vjet e gjysmë në pushtet, Partia Demokratike sërish mbarti në programin e saj, programin e lirisë dhe vlerave të saj. Kryeministri Berisha iu referua më pas Raportit të fundit të Komisionit Europian, i cili është raporti i parë, sipas kryeministrit, që thotë se qeveria në tërësi ka respektuar të drejtat dhe liritë e individit. Lidhur me këtë, kryeministri Berisha shtoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që sido që të shkruajnë dhe çfarëdo që të thonë, sado ta përdorin mirë apo keq të drejtën e tyre, kurrë nuk duhet të harrojmë se pa gazetarët nuk mund të ketë liri dhe demokraci.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›