LSI: Drafti PS-PD për Gjyqësorin, antikushtetues
Shaban Sulçe
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, deklaroi se drafti për Gjyqësorin, i miratuar nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në Komisionin e Ligjeve është i paplotë dhe larg asaj çka mund të quhet reformë në Drejtësi. Braho tha se këto propozime janë antikushtetuese dhe se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do t’i votojë ato në Parlament, në rast se nuk do të rishikohen edhe njëherë.
"Drafti i paraqitur nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk garanton aspak pavarësinë institucionale të Gjyqësorit nga politika", - u shpreh Braho. “Këto propozime janë antikushtetuese dhe LSI-ja nuk voton për projekt-draftin pa u rishikuar”, - u shpreh deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Braho shprehu vullnetin e LSI-së për të mbështetur vërejtjet e URALIUS-it si dhe propozimet e bëra nga Shoqata e Gjyqtarëve. Sipas tij, LSI-ja e koncepton zhvillimin e kësaj reforme në bazë të një platforme, ku synimet dhe qëllimet strategjike të saj duhet të jenë produkt vetëm i një komisioni të posaçëm kombëtar (ad hoc), përbërja kryesore e të cilit duhen të jenë jo vetëm deputetët, por specialistët e mirëfilltë të organeve të Drejtësisë, të tjerë jashtë tyre, vendas dhe të huaj, të cilët do të piketojnë databasët e drejtimeve kryesore, ku do të ecë reforma, për t'ua dhënë atë të gatshme politikës dhe strukturave parlamentare.
Qëllimet e reformës
"Reforma në Drejtësi duhet të sigurojë përmirësim të ndjeshëm të statusit të punonjësit së organeve të Drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve etj., dhe të përmirësojë normat ligjore që lidhen me karrierën, emërimet, ngritjen në detyrë masat ndëshkuese, me trajtimin, pagat, shpërblimet dhe përfitimet financiare. Të gjitha këto, pa dyshim, përveçse një rikonceptim, kërkojnë dhe rinovimin e kuadrit ligjor përkatës”, - tha Braho. Sipas deputetit të LSI-së, reforma në Drejtësi duhet të përmirësojë rritjen e rolit, funksioneve, kompetencave dhe organizimit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si "parlamenti i pushtetit gjyqësor" në ndryshim nga sa dhe si funksionon sot "ky parlament".
"Synimi duhet të jetë zgjerimi i kompetencave dhe funksioneve të këtij organizmi të rëndësishëm", -theksoi ai.
Reformimi i KLD-së
Duke shpjeguar platformën e LSI-së, ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve u ndal në domosdoshmërinë e reformimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Në mënyrë të veçantë duhen përmirësuar kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të KLD-së, me qëllim reformimin e këtij organi në përmbajtje dhe strukturë, i cili me arnimet e fundit që u bënë në ligjin përkatës ende s'ka gjetur “derman". Ky organ duhet të shfaqë dhe realizojë raporte të qarta të pavarësisë, por dhe të bashkëpunimit me pushtetet e tjera, gjë që kërkon "kirurgji" në legjislacionin aktual dhe përmirësimin e tyre”, - tha Braho.
18 Shkurt 2008