Në qeli grabitësi i agjencive, sapo kishte përfunduar një dënim 10 vjet
• TIRANE – Gjykata e kryeqytetit vendosi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për 37-vjeçarin Altin Mehmeti, i akuzuar për grabitje me armë dhe shkatërrim prone.Prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi se Mehmeti është prangosur në flagrancë katër ditë më parë në afërsi të godinës së Parlamentit, në Rrugën e Elbasanit, teksa mbante në çantë një “Kallashnikov”, me të cilin do kryente grabitjen e një agjencie aty pranë. Policia në sajë të informacioneve operative të siguruara më parë bëri të mundur kapjen e tij, duke parandaluar krimin. Ndërsa nga hetimet e mëtejshme të bëra nga Prokuroria është arritur të dokumentohen edhe dy vjedhje me armë të bëra nga ky person, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga burgu, pasi kishte vuajtur një dënim me 10 vjet burg për të njëjtën vepër. Prokurori pohoi se, grabitjen e parë Mehhmeti e kishte bërë në zyrat e një agjencie udhëtimi më 10 janar 2008, në rrugën “Mine Peza”, ndërsa tjetrën më 8 shkurt në bulevardin “Zogu i I”-rë. Ndërkohë më vonë policia kishte sekuestruar në cilësinë e provës dy “Kallashnikovë”, si dhe një aparat “Dixhit-alb” i vjedhur në agjencinë “Alb-Trans”. Vetë i pandehuri para gjyqtares së gatshme pohoi se, ishte i pafajshëm por nuk do të jepte asnjë shpjegim pasi nuk ishte i pranishëm avokati i tij. Gjatë seancës ai nuk pranoi t’i caktohej avokat kryesisht, ndërsa kërkoi vendosjen e një mase më të lehtë sigurie nga ajo “burg pa afat”, e kërkuar nga prokurori i çështjes. Në fund të seancës gjyqtarja e gatshme vendosi ta linte në qeli deri në përfundim të hetimeve. fa.ma.