E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovarët kuqezinj në delir: Nuk na besohet, na duket si ëndërr

• Ëndrra u bë realitet. Dita e djeshme ishte dhe do të mbetet e paharrueshme për Besnik Hasin, i cili mes emocionesh të forta, ka thënë se ende nuk e besonte që Pavarësia e Kosovës ishte bërë realitet. “Jam shumë i emocionuar. Kemi lindur me këtë ëndërr dhe jetonim çdo ditë me të. Tani që u shpall Pavarësia e Kosovës nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta festoj këtë ditë dhe t’iu uroj të gjithë shqiptarëve begati në të ardhmen”, ka thënë Besnik Hasi për “Panorama”. Pyetjet për të ardhmen e Kombëtares shqiptare do të ishin të pavenda në një ditë si ajo e djeshmja për cilindo kosovar. Besnik Hasi ka qenë duke festuar me disa nga të afërmit e tij në Belgjikë, madje gjatë gjithë kohës ka marrë telefonata të vazhdueshme edhe nga media belge, por interesant është fakti që asnjë prej shokëve të tij, me të cilët ka luajtur në Kombëtaren shqiptare, nuk i kishte telefonuar për ta uruar. “Kam marrë mbi dyqind telefonata sot nga të afërm dhe gazetarë të cilët më kanë uruar. Shokët në Kombëtare? Në fakt deri tani (ora 18.20) nuk më ka telefonuar asnjëri prej tyre, por unë vazhdoj të jem në pritje. Nuk besoj se Igli Tare do të harrojë. Ai gjithnjë është i përpiktë dhe do të më telefonojë”, ka thënë Hasi. Shumë i lumtur ka qenë edhe portieri i Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj, i cili ka thënë se ajo e djeshmja ishte një ditë historike për Kosovën. “Kosova dhe qytetarët e saj e prisnin prej dekadash këtë ditë. Shumë prej tyre janë ndarë nga kjo botë pa iu realizuar kjo ëndërr, ndërsa shumë të tjerë kanë dhënë jetën që të vinte kjo ditë. Jam i emocionuar dhe shumë i lumtur. Nuk ka asnjë kosovar që të mos ketë menduar për këtë ditë dhe tani që ajo erdhi, më duket sikur jam në ëndërr. Gjithë populli shqiptar e meritonte një ditë të tillë dhe jam shumë i lumtur që Kosova tashmë do të jetë e pavarur”, ka thënë gardiani i përfaqësueses kuqezi në për “Panorama”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›