Berisha: Të ardhurat nga privatizimet publike, për kompensimin e ish pronarëve
Kryeministri veçon korrupsionin dhe burokracitë, si armiqtë e privatizimit të aseteve shtetërore Ky vit, do të jetë vit përcaktues në privatizimin e aseteve shtetërore, me përjashtim të spitaleve, shkollave dhe digave. Kështu është shprehur kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili në mbledhjen e zhvilluar me ministra dhe specialistë për procesin e privatizimit të aseteve publike, u shpreh se këtë vit do të vazhdojë privatizimi i aseteve shtetërore ndërsa të ardhurat edhe të privatizimeve të vitit të kaluar, do të përdoren nga qeveria për kompensimin e ish-pronarëve.
Berisha e konsideroi procesin e privatizimit të domosdoshëm dhe jetik, para së gjithash, për tu ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë çerdhet e korrupsionit. Kreu i qeverisë veçoi si armikun numër një të privatizimit korrupsionin, ndërsa theksoi se armiku numër dy i këtij procesi është burokracia. Armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. Ai përpiqet të bëjë çdo gjë për ta bllokuar atë, sepse status quo-ja u leverdis atyre, i mjelin si lopën dhe i fusin në xhepat e tyre aksionet publike të qeverisë apo sipërmarrjet e tjera më radhë. Armiku i dytë është burokracia jonë, e cila zvarrit këtë proces që duam të eci me shpejtësi të madhe, veçoi Berisha. Ndër të tjera, në fjalën e tij gjatë zhvillimit të kësaj mbledhje ku është diskutuar për procesin e privatizimit të aseteve publike, duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet, në të cilin merrnin pjesë ministra dhe specialistë të fushës, kreu i qeverisë theksoi ndër të tjera se vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë. Privatizimi është një provë jashtëzakonisht e rëndësishme për administratat që ju drejtoni. Ne jemi shumicë dhe kemi pushtetin për të marrë çdo vendim në interes të këtij procesi, për të thjeshtuar hallkat dhe procedurë në interesin më të mirë. Natyrisht, vlerat e krijuara nga ky proces do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë, vlerësoi kryeministri. Procesi Duke e cilësuar vitin e kaluar si tepër të suksesshëm në procesin e privatizimit të të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, kreu i qeverisë kërkoi që të kompletohet procesi i privatizimin e të gjitha aseteve publike, duke synuar rritjen në një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri. Ky është takimi i radhës për një nga problemet në parim më madhore të qëndrimit tonë në rrafshin ekonomik, problemin e privatizimit. Ne kemi shënuar para këtij viti sukseset më të mëdha në privatizimin e të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, por ne duhet të kompletojmë privatizimin e të gjitha aseteve, e cila është e domosdoshme, duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet vlerësoi ai. Sipas Berishës, në këtë proces qeveria synon të rrisë në një nivel të ri menaxhimin e aseteve në Shqipëri. Në këtë drejtim, kryeministri shtoi se si në Shqipëri dhe kudo një nga qëllimet madhore të privatizimit është përmirësimi i menaxhimit. Pra, ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme, nënvizoi kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zhvilluar për procesin e privatizimit të aseteve publike, ku merrnin pjesë si ministra dhe specialistë të fushës. Blerina Gjevori
Last Updated on E Marte, 09 Shkurt 2010 21:39