E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Fullani: Pjesa më e vështirë ka kaluar

 

Pjesa më e vështirë e krizës ka kaluar, por kjo nuk është e mjaftueshme, qeveria duhet të ndërmarrë një sërë masash të tjera. Kështu është shprehur dje kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë punimeve të Konferencën së 8-të ndërkombëtare me temë “Politika të stabilitetit monetar dhe financiar – Leksione nga kriza”. Sipas tij, “tremujorët e fundit kanë regjistruar rritje të kreditimit për ekonominë, përmirësimin e situatës së besimit në sistemin bankar, qëndrueshmërinë relative të kursit të këmbimit dhe ankorimin e pritjeve për inflacionin. Tashmë është arritur një konsensus global, që pjesa më e vështirë e krizës është kaluar. Ky është padyshim një lajm i mirë, por jo i mjaftueshëm. Ky është momenti i duhur për të konsideruar të gjitha alternativat për të ashtuquajturën ‘strategji të daljes/tërheqjes’. Zbutja e efekteve anësore të masave antikrizë kërkon një bashkërendim veprimesh, të ndërmarrë në kohën dhe drejtimin e duhur. Politikëbërësit duhet të rivlerësojnë objektivat e politikave makroekonomike dhe financiare nga këndvështrimi i zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit”. Sipas tij, zhvillimet aktuale në sistemin financiar tregojnë se situata e përgjithshme në sektorin bankar po shënon përmirësime të vazhdueshme. Ka një kthim të depozitave në sistemin bankar, gjë që flet për forcimin e besimit të publikut. Po kështu, edhe kredia për ekonominë ka shenja rigjallërimi. Një zhvillim tjetër pozitiv është fakti që aktualisht po preferohet kredidhënia në monedhë kombëtare. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka deklaruar se pavarësisht faktit se ekonomia shqiptare u prek nga kriza, edhe këtë vit do të ketë një rritje ekonomike pozitive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›