Bien me 4 për qind të ardhurat e emigrantëve
Emigrantët sjellin më pak para tek të afërmit e tyre. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë nga ekonomistët, të ardhurat e emigrantëve kanë pësuar rënie dhe një ndër faktorët kryesorë është edhe kriza globale. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, ”transfertat korente neto u vlerësuan në 237 milionë euro, nga të cilat 198 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 4% nga vlera prej 207 milionë eurosh e një viti më parë. Njëkohësisht, vihet re rënie e transfertave dalëse të sektorëve të tjerë me rreth 27%”. Sipas të dhënave nga BSH-ja, gjatë tremujorit të dytë të vitit eksportet shënuan një rënie vjetore prej 25% dhe vlerësohen në 195 milionë euro. Ndërkohë që për importet u paguan 762 milionë euro, ose 7% më pak se një vit më parë. Deficiti tregtar u thellua me rreth 6 milionë euro, duke arritur në 567 milionë euro.