Rehn, letër Berishës: Dialog me opozitën dhe shtet ligjor
Pas zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Bashkimi Evropian i kërkon bashkëpunimin ndërmjet maxhorancës dhe opozitës për reformat dhe forcimin e shtetit ligjor. Një mesazh i tillë është bërë në adresë të kryeministrit Sali Berisha nga komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Oli Rehn. “Tashmë që zgjedhjet u mbyllën në përputhje me pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, sfida të rëndësishme që kanë të bëjnë me përparimin në programin e reformave gjenden përpara. Parlamenti dhe Kryeministri kanë një rol kyç në këtë kontekst. Dëshiroj t’Ju inkurajoj Juve, i dashur Kryeministër, dhe Qeverinë Tuaj të re për të punuar së bashku me opozitën në Parlament për të çuar më tej programin e reformave evropiane. Shpresoj se të gjithë udhëheqësit politikë do të vazhdojnë dialogun politik konstruktiv në mbështetje të këtyre reformave. Shpresoj që rinisja e dialogut të pasqyrohet në zgjedhjet e ardhshme në përputhje me rekomandimet e OSBE-së”, shkruan Rehn në letrën e tij. Komisioneri i lartë shprehet më pas se “është në vullnetin e Shqipërisë që të tregojë kapacitetet e saj për të kaluar në fazën tjetër të integrimit në BE, në mënyrë të veçantë duke përmirësuar shtetin ligjor dhe duke forcuar institucionet demokratike. Garantimi i pavarësisë së gjyqësorit, forcimi i kapaciteteve administrative dhe vazhdimi i zbatimit me sukses të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit janë të gjithë elementë të rëndësishëm për të arritur synimin tonë të përbashkët i cili është të sjellim Shqipërinë më afër Evropës”.