E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Të dëmshpërblehen të dënuarit politikë të mbetur gjallë”

Emanuela Sako
Interesi i qytetarëve për kryerjen e vaksinimit kundër A/H1N1 është ulur për shkak të panikut nga efektet anësore që mund të shfaqë vaksina. Përveç qytetarëve janë vetë personeli shëndetësor që heziton të kryejë vaksinimin për shkak të efekteve që shfaq vaksina. Ndërsa autoritet shëndetësore vazhdojnë të apelojnë për kryerjen e vaksinës për kategoritë e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, si kategoritë më emergjente dhe më të rrezikuara. Ndërkohë që refuzimi i mjekëve është bërë me pretendimin se do të ishte më e drejtë që të vaksinoheshin në fillim kategoritë e tjera në risk. Ndërsa janë shprehur se janë duke seleksionuar numrin e pacientëve kronikë të cilët duhet të vaksinohen të parët kundër gripit të derrit. Një ngjarje e tillë nënkupton se mjekët për arsye të ndryshme apo për shkak të efekteve anësore nuk janë dakord që të bëjnë vaksinimin e detyruar. Ndërkohë që për MSH-në kjo është një vonesë në skemën e shpërndarjes dhe kryerjes së vaksinimit në të gjithë vendin, sipas kategorive të përcaktuara nga ky institucion. Mjekët mund të bëhen rrezik për pacientët në rast se nuk kryejnë vaksinimin. Përveçse mund të jenë të ekspozuar të preken, ata rrezikojnë të përhapin virusin në rast se janë mbartës të A/H1N1.
Rastet
Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se deri më tani janë konfirmuar mbi 410 raste të prekura në të gjithë vendin. Ndërsa janë kryer ekzaminimet për 3000 persona. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15 -24 vjeç, ku vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Ministria e Shëndetësisë konfirmon zyrtarisht 9 rastet e personave që humbën jetën nga virusi i gripit të derrit. Rasti i fundit, ishte gruaja 25-vjecare shtatzënë me dy binjakë, e cila humbi jetën tre ditë më parë në Spitalin e Sanatoriumit. Ndërsa Rasti i parë që humbi jetën ishte pacienti 57 -vjeçar nga Sukthi i Durrësit. Një tjetër rast, ishte ai një 51-vjeçare nga Kukësi e cila ndërroi jetë në spitalin infektiv në Tiranë. Deri më tani, nga rastet që kanë humbur jetën 5 persona kanë qenë të sëmurë kronikë dhe një tjetër ka qenë shtatzënë. Ndërsa rasti i 31- vjeçarit nga Vlora është i dyshimtë, pasi ai nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Po i tillë, konsiderohet edhe rasti i 18- vjeçares shtatzënë, e cila nuk vuante nga sëmundje kronike, por për shkak të shtatzënisë dhe një anemie që është normale në këtë periudhë, humbi jetën nga komplikacionet që shkaktoi virusi në mushkëritë e viktimës. Specialistët sqarojnë se kategoritë e mësipërme, e kanë të nevojshme kryerjen e vaksinës në kohë, pasi virusi pandemik është i predispozuar të krijojë komplikacione. Ndërkohë që shënohet edhe rasti i fundit, i gruas 55-vjeçare nga Tirana.
Masat
Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për të parandaluar përhapjen e gripit të derrit nëpërmjet vaksinimit të kategorive të ndryshme të popullsisë. Vaksinat kanë nisur të shpërndahen në të gjithë vendin dy javë më parë. Vaksinat janë blerë nga një kompani hungareze me bashkëpunimin e OBSH-së për sigurimin e tyre. Para disa ditësh Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar kategoritë më të rrezikuara nga gripi i derrit. Sipas përfaqësuesve të shëndetësisë, grupet e para që do të vaksinohen janë fëmijët e moshës 1 deri në 5 vjeç, gratë shtatzëna, personeli mjekësor dhe të sëmurët kronikë sepse gripi derrit pëson mutacione i shoqëruar me sëmundje të tjera. 10 mijë dozat e vaksinës që kanë ardhur në Shqipëri janë testuar nga një agjenci evropiane dhe efektet anësore të saj janë të papërfillshme. Ndërkohë prej pak ditësh në Shqipëri ka nisur vaksinimi kundër gripit të derrit i stafit mjekësor dhe pritet të nisë vaksinimi i kategorive të tjera të rrezikuara. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e të rrezikuarve dhe prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore.

box
Rastet që kanë humbur jetën
25- vjeçarja nga Kukësi (shtatzënë me binjakë)
51-vjeçarja nga Tirana
57– vjeçari nga Durrësi
47- vjeçarja nga Shkodra
53- vjeçari nga Shkodra
31- vjeçari nga Vlora
18- vjeçarja shtatzënë nga Berati
51- vjeçarja nga Kukësi
25- vjeçari nga Korça
Numri i të prekurve nga A/H1N1 mbi 400 raste

Defekt në ujësjellës, disa zona të Tiranës mbeten pa ujë

Shkak është bërë një avari në linjën e furnizimit me ujë

Drejtori e Ujësjellësit dërgoi grup pune për remontin e tubacioneve
Emanuela Sako

Disa zona të kryeqytetit po vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm gjatë ditëve të fundit. Shkak për mungesën e ujit në shtëpitë e qytetarëve është bërë një defekt në rrjetin e shpërndarjes së ujit. Drejtoria e Ujësjellësit informon qytetarët se ka pasur një avari në linjën e furnizimit me ujë. Bëhet fjalë për një defekt në rrjetin e ujësjellësit në Lanabregas dhe në depon e Qytetit Studenti. Për pasojë ndërprerja dhe furnizimi me ujë të pijshëm do të bëhet në zona të tilla si në Tiranën e Re, Komuna e Parisit, zonën e Kinostudios, Kodra e Priftit, Sauk dhe në zonën Ali Demi.
Ujësjellësi
Drejtues të ujësjellësit kanë njoftuar gjithashtu se grupe specialistësh shkuan në vendngjarje dhe po punojnë për riparimin e defektit dhe furnizimin normal me ujë të pijshëm. Probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe sidomos me ujë të pastër, ka pasur gjatë gjithë sezonit veror dhe atij dimëror. Shkaqet e ndotjes së ujit të pijshëm kanë arsye të ndryshme. Një ndër arsyet e ndotjes së ujit është amortizimi i rrjetit për shkak të vjetërsisë së tubacioneve dhe është e vështirë kontrolli në çdo kohë 1600 kilometra rrjet. Problem tjetër për ndotjen e ujit është bërë fenomeni i depozitave të vendosura në pallate, të cilat nuk klorinohen dhe pastrohen. Sipas specialistëve, vitet e fundit është shtuar numri i qytetarëve që për të siguruar ujë të pijshëm në çdo kohë vendosin depozita, por nuk i pastrojnë ato. Duke u bazuar në ankesat e bëra, ata shprehen se shkak për ndotje është bërë depozita, specialistët shprehen se kanë marrë mostra në rrjet para se uji të shkojë në depozitë dhe ka rezultuar normal. Ndërsa menjëherë sapo uji mbërrin në depozitë dhe shpërndahet në çezma uji ka rezultuar i ndotur. Specialistët shprehen se banorët e pallateve duhet që të kryejnë pastrimin e depozitave 2 herë në vit. Ata thonë se në këto raste nuk është përgjegjëse Drejtoria e Shëndetit Publik, pasi kjo është një zgjidhje personale e qytetarëve që nuk ka lidhje me kontrollin e rrjetit të shpërndarjes së ujit.
Çështja
Një çështje tjetër e cila bën që qytetarët të përdorin ujin e pijshëm jashtë standardeve të përdorimit janë bërë pus-çpimet e shumta në disa zona, ku ka ndërtime të mëdha të pallateve. Firmat e ndërtimit apo vetë qytetarët hapin puse për të nxjerrë ujë dhe e lidhin me rrjetin shpërndarës, pa bërë analizat e ujit që përcaktojnë nëse uji është në gjendje përdorimi ose jo. Kjo situatë bëhet shkak për krijimin e problemeve të gjendjes shëndetësore të qytetarëve. Në mjaft raste, qytetarë të ndryshëm apo biznese kryejnë lidhje të jashtëligjshme të rrjetit kryesor të shpërndarjes së ujit për ta përdorur për arsye personale, ku ndodh dhe ndotja e ujit.

29 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›