E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH dhuron një pagë shpërblim për personelin mjekësor në të gjithë vendin

Emanuela Sako
ISKSH shpërblen personelin mjekësor në të gjithë vendin me një pagë shtesë për festat e fundvitit. Janë rreth 9300 mjekë dhe infermierë që do të përfitojnë nga shpërblimi i ISKSH-së. Ndërsa rreth 60 për qind e qendrave shëndetësore do të marrin deri në dy paga shtesë, në bazë të punës së mirë të kryer gjatë gjithë vitit. Ashtu si dhe vitin e kaluar edhe këtë vit personeli mjekësor mundi të marrë shpërblimet e fundvitit, pavarësisht deklaratave që ishin bërë për të provuar të kundërtën. “Në zbatim të prioritetit të Qeverisë për reformimin e sektorit të shëndetësisë, ISKSH ka arritur të bëjë të matshme punën e mjekëve në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Bazuar në treguesit e performancës së mjekëve, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka përllogaritur masën e shpërblimit për qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Falë rezultateve të arritura, pothuajse të gjitha Qendrat Shëndetësore përfitojnë një pagë shpërblim në fundvit. Për sa u takon spitaleve, ato do të përdorin 5 % te fondit te planifikuar vjetor të pagave për dhënien e shpërblimeve në masën 15 mijë lekë për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë. Por falë udhëzimit të ISKSH-së për përdorimin e 30% të të ardhurave dytësore për shpërblime, i cili bazohet në vendimin e Qeverisë për përdorimin e të ardhurave dytësore nga vetë spitalet, shuma që mund të përfitohet, mund të shkojë deri në një pagë mujore”,- u shpreh drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana.
Qendrat shëndetësore
Mbështetur në realizimin e treguesve të vitit 2009, rezulton se 415 qendrat shëndetësore do të përfitojnë edhe pagën e dytë shpërblim. Me këtë pagë, duke shtuar edhe fondin e shpërblimeve të përdorura në fund të 6- mujorit të parë të këtij viti, rezulton se mbi 60 % e qendrave shëndetësore kanë përfituar të plotë dy paga mujore shpërblim. Ndërsa pjesa tjetër e qendrave shëndetësore kanë përfituar afërsisht 1 pagë e gjysmë. Sipas rajoneve rezulton se përfitojnë shpërblime afërsisht dy paga mujore (njëra është marrë në mes të vitit dhe tjetra në fund të vitit), punonjësit e spitaleve rajonalë të Tiranës, Korçës, Dibrës, Fierit, Beratit, Vlorës, Tropojës, të cilat kanë realizuar më mirë treguesit e cilësisë dhe të performancës.
Nga ky fond përfitojnë rreth 9300 punonjës të qendrave shëndetësore, nga të cilët rreth 2000 janë mjekë familje dhe mjekë të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 700 punonjës të tjerë, sanitarë, shoferë, ekonomistë. Të gjitha fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë në llogaritë bankare të qendrave shëndetësore, të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda datës 31.12.2009.
Spitalet
ISKSH-ja ka çelur fondet e nevojshme për dhënien e shpërblimeve me rastin e fundit të vitit, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Ky fond, i cili përbën 5 % të fondit të planifikuar vjetor të pagave në total kap shumën e mbi 260 milion lekëve. Nga shumica e spitaleve është vepruar për shpërndarjen e këtij fondi, duke dhënë 15 mijë lekë për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë. Një burim tjetër financimi për spitalet për dhënien e deri një page shpërblim, janë edhe të ardhurat dytësore që realizohen nga spitalet. Kjo është bërë e mundur falë një udhëzimi të miratuar nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së gjatë këtij viti i cili u jep të drejtën spitaleve që 30% të të ardhurave që ata realizojnë t’i përdorin për stimulimin e punonjësve që kontribuojnë direkt në realizimin e të ardhurave, por edhe të punonjësve të tjerë mbështetës. Nga ana e spitaleve janë realizuar rreth 300 milion lekë të ardhura dytësore, 30% e të cilave do të mund të përdoret për shpërblime. Nga fondi i shpërblimeve përfitojnë rreth 11.888 punonjës të shërbimit spitalor sekondar dhe terciar, nga të cilët mbi 1600 mjekë, 6300 infermierë e laborantë dhe 3988 punonjës të tjerë jnë administratorë, si dhe shërbimi mbështetës.

Kujdesi ndaj dhëmbëve, një proteinë aminoacidesh mbron smaltin e dhëmbëve
Kujdesi ndaj dhëmbëve është një mbrojtje e rëndësishme për shëndetin e njeriu. Mjekët bëjnë të ditur se kujdesi ndaj tyre duhet filluar që në fëmijëri, pasi dhëmbët janë një pasuri me vlerë. Por ato mbeten subjekt për të gjitha llojet e sulmeve që shkaktohen nga ëmbëlsia e ushqimeve, acidet e ndryshme, pirja e duhanit dhe alkoolit si edhe nga kimikatet në ajër. Kështu shpesh pacientët e gjejnë veten me dhëmbë të dëmtuara, larg të qenit të bardhë dhe të lëmuar, të mbarsur me karies apo probleme të tjera. Por ndihma kundër tyre duket se vjen nga një proteinë e thjeshtë e aminoacideve që na ndihmon për të rregulluar dhëmbët tanë duke i kthyer në shumë të fortë dhe të shëndetshëm. Konkluzioni është bërë i njohur nga një studim i ri i realizuar nga studiuesit në Universitetin e Ilinois në Çikago, sipas të cilëve prolina, një nga 20 aminoacidet që marrim ndikon dukshëm në smaltin e dhëmbëve. “Përsëritja e prolinës mban rolin kyç për të kuptuar strukturën dhe funksionin e proteinave shumë natyrale të cilat mbrojnë dhëmbët tanë”, - pohon prof. Tom Diekëisch, i cili ka koordinuar studimin në fjalë. Ky zbulim, sipas parashikimeve të studiuesve, do të hapë dyert për trajtime të reja për mbrojtjen dhe riparimin e smaltit të dhëmbëve, por ajo gjithashtu do të ndihmojë edhe në shumë fusha të tjera të hulumtimit shkencor, duke përfshirë sëmundjet neurodegenerative.

29 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›