E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e liqenit të Ohrit, Gjermania i jep Shqipërisë 5.8 milionë euro

Ervin KOÇI

Gjermania do të mbështesë financiarisht projektin për pastrimin dhe ruajtjen e faunës dhe florës së liqenit të Ohrit. Qeveria e këtij vendi ka ofruar një ndihmë të konsiderueshme financiare, për sistemin dhe pastrimin e ujërave të këtij liqenin në anën e Shqipërisë. Për këtë qëllim dje u nënshkrua dhe marrëveshja për projektin e mbrojtjes së liqenit të Ohrit “Pastrimi i ujërave të zeza, Pogradec II”. Kjo marrëveshje u firmos nga Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Borchardt. Lidhur me këtë projekt , Gjermania do të bëjë një shtesë në kontratën për sistemimin dhe mbrojtjen e liqenit të Pogradecit, duke e bërë investimin më eficient. Fondi në total i dhënë nëpërmjet KfW-së dhe qeverisë gjermane shkon nga 5 në 5.8 milionë euro që përbën një kontribut shumë të rëndësishëm, të cilit do ti shtohet në këtë fazë të dytë edhe një shumë prej 940 mijë eurosh të tjera të qeverisë shqiptare.

Projekti

Deri tani me këtë shtesë fondi do të bëhen kanalizimet e qytetit të Pogradecit në 70 për qind të rrjetit të vet tërësor. Por qeveria shqiptare ka rënë parimisht dakord me qeverinë gjermane për vazhdimin e këtij projekti edhe në fazën e tretë, që do të bëj zgjidhjen përfundimtare të kanalizimeve në qytetin e Pogradecit, rritjen e kapaciteteve të impiantit të pastrimit dhe zgjerimin në një zonë jashtë asaj urbane. “Projekti synon ta shndërrojë qytetin e Pogradecit nga një faktor ndotës për liqenin e Ohrit, në një faktor mbrojtës duke i dhënë mundësinë që liqeni të jetë në një situate shumë më të përmirësuar porsa i përket pastërtisë së ujit. Kjo është më se e dukshme, pasi vera e këtij viti ka qenë për liqenin shumë më e mirë, sesa ajo e dy apo tre viteve më parë dhe mbas përfundimit edhe të fazës së dytë, situate do të jetë akoma dhe më mirë”, ka deklaruar ministri, Olldashi. Ndërsa për ambasadorin gjerman në Tiranë, Borchardt, nënshkrimi i kësaj marrëveshje është shëndëruar në simbol të bashkëpunimit shumë të mirë gjermano-shqiptar. “Ne sigurisht do ta vazhdojmë dhe më tej këtë bashkëpunim duke e zgjeruar aktivitetin tonë në këtë sektor”,- deklaroi ambasadori gjerman.

Investimet

Investimet dhe kreditë e qeverisë gjermane në Shqipëri kanë qenë të shumta sidomos në vitet e fundit. Një sektor tjetër i bashkëpunimit është dhe ai i energjisë në të cilën qeveria gjermane ka dhënë për këtë sektor një shumë prej 180 milionë eurosh. Nga këto 180 milionë euro, mbi 90 milionë euro do të jetë vlera e projekteve, “linja unazore 110 kV në Shqipërinë e Jugut”, me një shumë prej 49 milionë euro, si dhe “Linja 400 kV Tiranë-Prishtinë”, me një shumë prej 42 milionë euro.

KFË, 90 milionë euro kredi për sistemin energjetik të Shqipërisë

Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe Drejtoresha e Zyrës së KFË-së, Ute Rodrian, nënshkruan një marrëveshje kredie prej 90 milion euro për sistemin energjetik të vendit. Fuqizimit të sistemit energjetik në jug do t’i kalojnë 49 milion euro ndërsa 42 milion euro do të shkojnë për financimin e linjës 400 kilovolt Tiranë-Prishtinë. “Përmes këtyre dy projekteve mendohet që të sigurohet një përmirësim thelbësor në sistemin e transmetimit të energjisë dhe në rritjen e eficiencës së sistemit tonë energjetik në vitet e ardhshme” tha ministri i Financave, Ritvan Bode. “Mund të them që është paketa e marrëveshjeve më gjithë përfshirëse të cilën kemi pasur mundësi ta nënshkruajmë bashkërisht. Pikërisht këto dy marrëveshje që nënshkruam sot me një vlerë të përgjithshme prej më tepër se sa 90 milionë euro janë një tregues mjaft i qartë që ne fjalët mundohemi t’i vijojmë dhe t’i ndjekim me vepra”- tha Bernd Borchardt, ambasador i Gjermanisë në Tiranë. “Brenda vitit 2010 do të përfundojë linja 400 kilovolt e transmetimit me Malin e Zi e cila do të sjellë dyfishim të eksportit dhe brenda këtij mandati do të përfundojë linja 400 kilovolt me Kosovën e cila do të sjellë 3-fishim të kapaciteteve tona importuese dhe eksportuese”- tha ministri i Energjetikës, Dritan Prifti.
Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Kosovën që vjen pas një projekti të ngjashëm me Malin e Zi rrit gati me tre herë mundësitë e shkëmbimit të energjisë me rajonin.

“MEGATEK” hap dyert e tij sot në Tiranë

Me moton “Bëje vetë” hipermarketi “MEGATEK”, më i madhi i këtij tipi në Shqipëri, hap dyert e tij sot në Tiranë. “MEGATEK” është ndërtuar në krah të autostradës Tiranë-Durrës në kilometrin e 7-të të saj, ku kryqëzohen rrugët me mbikalimin e ri për në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Në një ceremoni madhështore, hapja e këtij hipermarketi pritet që të mbledhë autoritet më të larta të vendit. Sipas informacioneve shiriti i inaugurimit do të pritet nga vetë kryeministri i vendit, z. Sali Berisha. Hipermarketi “MEGATEK”, pjese e “Teqja Group” është një investim privat prej më shumë se 40 milionë eurosh në një sipërfaqe prej 150 mijë metrash katrorë. Ai do të ketë një gamë të madhe pajisjesh shtëpiake, elektro-shtëpiake, veglash dhe mjetesh të tjera që shërbejnë për kryerjen e shërbimeve dhe punëve të ndryshme edhe nga persona të paspecializuar. Vet çdo individ duke blerë pajisjet në “MEGATEK” dhe duke ndjekur instruksionet përkatëse, mund të kryejë riparime dhe punë nga më të ndryshmet në shtëpinë e tij dhe kudo.

29 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›