Thyhet dhe grabitet selia e PS së Durrësit
DURRËS - Zyrat e selisë së PS të Durrësit janë thyer dhe grabitur gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e hënë. Persona të paidentifikuar kanë mundur të hyjnë me dhunë në godinë, duke siguruar lap-topin e punës së sekretarit rajonal të PS së Qarkut të Durrësit, Gazmir Bizhga, si dhe dokumente të vlefshme për socialistët e qytetit bregdetar. Autorët kanë mundur të prishin bravat portës se hekurit që është dera e jashtme e selisë, dhe më pas janë futur në ambientet e brendshme të saj. Pasi kanë shqyer të gjitha bravat e dyerve të zyrave të PS-së grabitësit kanë hyrë dhe në zyrën e sekretarit rajonal të PS për qarkun Durrës Gazmir Bizhga dhe kanë grabitur kompjuterin e tij (laptop) ku kishte informacione pune në lidhje me aktivitetin e PS në rang qarku ndërkohë që grabitësit kanë marrë edhe shumë CD ku kishte gjithashtu informacion për aktivitetin partiak. Po kështu, grabitësit kanë marrë edhe dokumente shkresore të rëndësishme që kanë të bëjnë me PS të Durrësit. Pas zyrës së kryetarit, autorët kanë vazhduar sulmin në zyrat e tjera te drejtuesve te PS - si dhe në atë të financës, ku janë rrëmbyer të gjitha shkresat që ndodheshin në tryeza, rafte apo sirtarë të zyrave. Përveç dokumenteve, një kompjuteri dhe një televizori nuk janë marrë sende të tjera me vlerë siç ishin kompjuter të tjerë, televizorë apo printerë. Ata janë lëne te gjitha ne vendet e tyre, ndërsa autoret duke kanë nxituar të largohen me kompjuterët e dokumente të tjerë me vete, duke lëne pas vetëm ambalazhin ku mbahej dokumentacioni. Policia e qytetit është lajmëruar mëngjesin e djeshëm, kohë kur është konstatuar grabitja nga punonjësit e selisë. Ekspertët e policisë nisën verifikimin për të marrë gjurmët e lëna nga autorët në vendngjarje, me qëllim krahasimin e tyre me shenjat e të dyshuarve. Ky fakt dhe rrëmbimi i shkresave në zyra ka bërë që të dyshohet për një vjedhje të planifikuar për ndonjë qëllim të specifikuar. Pas ngjarjes, sekretari rajonal i PS Durrës dhe deputet i Partisë Socialiste, Gazmir Bizhga nuk e ka përjashtuar dyshimin se vjedhja ka qenë tendencioze: “Ne, natyrisht, do të presim zbardhjen e plotë të ngjarjes nga policia e cila duhet të bëjë detyrën për hetimin e plotë dhe kapjen e autorëve të kësaj grabitjeje megjithatë duket se kjo është një kartolinë që po na dërgon kryeministri Berisha, pasi të gjitha pistat të çojnë në një drejtim të vetëm, atë politik, duke qenë se nuk është marrë asnjë send tjetër me vlerë përveç dokumentacioneve dhe një kompjuteri me bazën e të dhënave për PS në rang qarku. Dihet që tashmë vendi ynë është në një krizë të thellë ekonomike dhe politike dhe natyrisht kriza politike e kësaj mazhorance reflektohet edhe në mënyra të tilla tek opozita duke sjellë mesazhin e një radikalizimi veprimesh ndaj opozitës. Dyshimet tona janë se kjo grabitje është bërë me orientim politik e nëse polica zvarrit gjetjen e autorëve vërtetohet plotësisht pista politike e kësaj grabitjeje që mund ta ketë zanafillën në qeveritarët e këtij pushteti.” Nuk kanë qenë të pakta rastet kur partia socialiste e Durrësit ka denoncuar korrupsione në institucione të ndryshme, nëpërmjet fakteve që ishin ndërmjet dokumentacioneve të shumta së bashku me dokumentet mbi aktivitetin partiak të kësaj partie në rang qarku të cilat janë marrë nga grabitësit megjithatë policia ende është në hetim të kësaj grabitjeje dhe të motiveve të saj.
Nuk i kthejnë borxhin, i ngulin kaçavidat
TIRANË - Nuk i kthejnë borxhin, qëllohen më kaçavidë nga huadhënësit. Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në Kodër Kamëz, tek ish “Nish Tulla”, në lagjen Nr. 1, kur Ermal Ceka, 31-vjeç dhe Shaho Kamberi, 23-vjeç bashkë edhe me një moshatarin e tij kanë shkuar në banesën e një shtetasi me motivacion për një shumë parash të pakthyer. Në banesë, autorët janë përballur me dy vëllezërit Artan K, 24-vjeç dhe Pëllumb K., 30-vjeç. Tre autorët kanë ofenduar dhe kanë goditur me kaçavidë dy vëllezërit duke u shkaktuar dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e kryeqytetit e sinjalizuar për ngjarje mbërriti menjëherë në vendngjarje për të identifikuar dhe kapur autorët. Burime nga policia thanë se ditën e djeshme u bë i mundur identifikimi dhe kapje e dy prej tyre të cilët akuzohen për veprën penale të “dhunimit të banesës” dhe “vrasjes me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.
Avokatët dështojnë seancën e Gërdecit, procesi rinis më 11 janar
TIRANË - Dështon seanca e djeshme e procesit gjyqësor për çështjen e Gërdecit. Shkak për këtë dështim janë bërë avokatët, të cilët nuk janë paraqitur në seancën e fundit për vitin 2009 ku po gjykohen 29 të pandehurit e kësaj dosje. Numri i madh i avokatëve që nuk ishin të pranishëm, detyroj trupin gjykues që të ndërpresë seancën dhe të caktoj datën 11 janar si datë ku do zhvillohet seanca e radhës.
Prej disa seancash, procesi për çështjen "Gërdeci" ka hyrë në fazën e pyetjes së dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008, në fshatin Gërdec, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa pati dëme të konsiderueshme materiale. 29 të pandehurit e këtij procesi akuzohen si përgjegjës për këtë ngjarje.
I vënë 500 euro gjobë, pranga dy autorëve
TIRANË - E sulmojnë dhe i kërkojnë 500 euro në këmbim të jetës, arrestohen dy autorët. Ngjarja në fjalë ka ndodhur katër ditëm më në Rrugën Budi pranë Drejtorisë së Higjienës është marrë forcërisht nga dy personat Envi Pelinku, 22-vjeç dhe Pjerin Prenga, 40-vjeç. Sipas denoncuesit, dy personat e kanë qëlluar atë me grushte e sende të forta, ku i kanë marrë sendet personale dhe i kanë kërkuar një shumë prej 500 euro, në këmbim të jetës së tij. Fill pas denoncimit të policia nisi hetimet për të kapur autorët e dyshuar. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore e procedurale, ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale të “Heqje së paligjshme e lirisë”, “Vjedhje me dhunë”, “Shtrëngimit me anë të dhunës e kanosjes për dhënie pasurie” dhe “dëmtime të tjera me dashje”.
29 Dhjetor 2009