Çmimet e çmendura mbyllin shqiptarët në shtëpi në natën e ndërrimit të viteve
Ervin KOÇI
“Do të festojmë, por në shtëpi dhe pastaj në rrugë”! Ky është refreni i shumë kryefamiljarëve por edhe të rinjve, që këtë fundvit kanë bojkotuar të detyruar lokalet dhe restorantet. Këto të fundit edhe pse kanë ulur çmimet, këtë fundvit nuk kanë pasur mundësinë të bëjnë përzgjedhje të klientëve për shkak se prenotimet kanë qenë minimale. Çmimet e çmendura të të gjitha mallrave të konsumit por dhe të shërbimeve që kanë lidhje me to, jo vetëm që e kanë rritur mjaftë tarifën e festave, por kanë bërë që shumë qytetarë ti bien lapsit. Si përfundim, shumë njerëz kanë zgjedhur të bëjnë festimin tradicional me familjen në shtëpi, e pas mesnate ti drejtohen rrugëve që do të mbushen me njerëz, për të shëtitur apo pirë ndonjë gotë në ndonjë bar jo shumë të shtrenjtë. Në kryeqytet forma e festimit me kursim shihet tek prenotimet e ulëta nëpër restorante, të cilat kanë qenë rreth 50 për qind më pak se vitin e shkuar. Por të njëjtën krizë e kanë ndjerë edhe baret dhe pub-et, të cilat ndryshe nga një fundvit më parë, këtë herë do të qëndrojnë të hapura por pa prenotime.
Shpenzimet
Për herë të parë këtë vit shqiptarët kanë qenë të detyruar që të heqin dorë nga shpenzimet e tepërta për festat e fundvitit. Edhe pse çmimet nuk janë rritur në krahasim me ritmin e një viti më parë, përsëri frika për të mos e tepruar me shpenzimet, pasi pritet një vit edhe më i vështirë, i ka detyruar konsumatorët e zakonshëm që të mbledhin dorën. Nga ana tjetër, me gjithë mbajtjen e çmimeve në një normë konstante, tregtarët thonë se blerjet këtë vit kanë rënë së tepërmi. Ata vërejnë te konsumatorët stepje në blerje për shkak të pamundësisë për të bërë shpenzime të tepruara, që zakonisht janë bërë në mbyllje të vitit. Kjo mënyrë e re sjelljeje e konsumatorëve shqiptarë është reflektuar edhe te çmimet që këto ditë festash kanë pësuar vetëm një rritje të lehtë. Përgjithësisht në tregun bujqësor të këtyre ditëve, si rrallëherë, ka dominuar prodhimi vendas. Kjo sipas tregtarëve është një tjetër arsye që ka frenuar rritjen e shpejtë të çmimeve. Importi, sipas tyre, është diktuar edhe nga kriza, ku tregtarët janë më të pasigurt në blerje.
Abuzimet
Brenda një jave çmimet e artikujve kryesorë të konsumit kanë pësuar një rritje deri në 40 për qind. Këtë fakt e pranon dhe vetë Drejtoria e Tatimeve, megjithatë deri tani nuk është bërë asnjë ndërhyrje deri në verifikimin e situatës. Tregtarët ia kalojnë fajin njëri-tjetrin (i madhi tek i vogli dhe anasjelltas). Rritje të çmimeve ka pasur kryesisht për mallrat e importit, shkaktuar nga forcimi i euros, që gjatë ditës së djeshme pati rritje me 2 lekë. "Ky është njëri ndikim. Por nëse shikon me kujdes, bie në sy se supermarketet kanë çmime më konkurruese se tregtarët e vegjël që shesin anash rrugës. Pra, një pjesë e spekulimeve ndodh tek i vogli dhe tek i madhi, pra shumica", vë në dukje kreu i Tatimeve, Artur Papajani.
Situata
Pothuajse në çdo fundvit, kur njerëzit nxitojnë të shpenzojnë tej normales shikohet një tendencë e rritjes së çmimeve. Dje, pothuajse në të gjitha pikat e pakicës 1 kg mandarinë e gjeje me 120 lekë dhe askush nuk e lëvizte çmimin. Specat kishin kapur nivelin e 270 lekëve, rrushi 300 lekë, kastraveci me 240, domatja me 140 lekë etj. Rritje të çmimit ka pasur edhe te produktet e mishit, sidomos i gjelit të detit, ushqimi më i përdorur për festat e fundvitit. Tatimorët japin garanci se kush ka abuzuar me çmimet do ta paguajë me taksë shtesën në xhiro. Sipas tyre, askush nuk i shpëton skemës së taksimit, sidomos tani që për 5 milionë lekë që kalon xhiron, mund të kthehesh direkt biznes me taksën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Fenomeni i rritjes së çmimeve vjen edhe si efekt i kërkesë-ofertës në treg. Përqendrimi i madh i kërkesave për produkte në tri ditët e fundit të festave detyron tregtarët të rrisin çmimet si reagim ndaj sasisë që ka në dispozicion. Po të vihet re, në datat 1 dhe 2 janar rikthehet situata normale e çmimeve.
INSTAT: “Rritja më e ulët që nga viti 1997”
Instituti i Statistikave ka konfirmuar zyrtarisht se ekonomia ka ngadalësuar fort ritmet e rritjes. Në tremujorin e tretë të vitit, rritja ekonomike sipas INSTAT-it ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1997. “Rritja ekonomike është 4.1 për qind krahasuar me të njëjtin 3-mujor të një viti më parë”,- u shpreh Ledion Shahini, specialist i llogarive kombëtare. Tremujori i tretë ishte paralajmëruar që më parë nga FMN-ja dhe BERZH-i, si pika kur ekonomia shqiptare do të fillonte ciklin rënës. Vetëm brenda këtij tremujori, rritja ekonomike është ulur me 1.2 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë. Kjo sipas INSTAT-it ka ndodhur për shkak të goditjes nga kriza të disa sektorëve më kyç. “Grupi i ndërtimit shënoi një rënie 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Grupi i industrisë rënie 4.5 për qind krahasuar me muajin e tretë të vitit 2008”,- u shpreh Shahini. Rënia mund të kishte qenë edhe më e madhe, por INSTAT-i thotë se ekonomia po përfiton nga teknologjitë e reja, si interneti apo shërbimet e tjera inovative në fushën dixhitale. “Grupi i postelekomunikacionit shënoi një rritje të tremujorit. Te ky grup ka pasur edhe ndikim edhe ulja e çmimeve në këtë grup shërbimi”, u shpreh Shahini. Nëse tendenca rënëse e tremujorit të tretë do të konfirmohet edhe në tremujorin e katërt të vitit, atëherë rritja ekonomike në Shqipëri mund të bjerë poshtë 3 për qind, aq sa parashikimet e FMN-së dhe Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim.
Maqedoni, papunësia rrezikon të thellohet
Papunësia mbetet një nga problemet thelbësore në Maqedoni dhe ekziston rreziku që në të ardhmen ajo të thellohet. Sipas mediave maqedonase, të cilat iu referohen të dhënave zyrtare, 30 për qind e popullsisë në vend janë të papunë. Fenomeni ka prekur kryesisht pakicën shqiptare, si dhe etnitë jomaqedonase, duke e çuar numrin e të papunëve në 342 mijë. Gjithashtu, investimet vendase por edhe ato të huaja janë shumë të ulëta, gjë e cila ndikon në krijimin e vendeve të reja të punës në këtë vend.
Gjermani, bankat frenojnë sipërmarrësit e rinj
Shoqata e Dhomave gjermane të industrisë dhe tregtisë “DIHK”, kritikon bankat në Gjermani se përmes mosdhënies së kredive pengojnë shumë themelues sipërmarrjesh. Në një intervistë për gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung", Presidenti i shoqatës, Hans Heinrich Driftmann, tha se, “sipas një anketimi, dy të tretat e themeluesve të sipërmarrjeve hasin vështirësi në financimin e firmës së tyre”. Kështu, sipas Driftmann, shkohen dëm impulse të vlefshme për rritjen ekonomike. Në vendimin e tyre për dhënien e kredive, krahas shifrave bankat duhet të marrin në konsideratë edhe idetë e biznesit dhe personalitetin e një sipërmarrësi.
Kursi i këmbimit
Banka e Shqipërisë
Më poshtë do të gjeni kurset e reja të këmbimit.
PëRDITëSIMI I FUNDIT: 12:16:55, 28.12.2009
Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari Amerikan USD 95.57 +0.27
EURO EUR 137.50 +0.38
Poundi Britanik GBP 152.71 +0.12
Franga Zviceriane CHF 92.36 +0.26
Jeni Japonez (100) JPY 104.44 -0.07
Dollari Australian AUD 84.88 +0.53
Dollari Kanadez CAD 91.15 +0.16
Korona Suedeze SEK 13.23 +0.02
Korona Norvegjeze NOK 16.49 0.00
Korona Daneze DKK 18.49 +0.04
SDR SDR 149.92 +1.19
Ari(OZ 1) XAU 106259.59 +1,082.50
Argjend(OZ 1) XAG 1676.37 +27.77
29 Dhjetor 2009