E Diel, 1 Nëntor 2026

I dyshuari: “Hazizaj më ka vrarë babanë në vitin 1997”

FIER – “E vrava Leonard Hazizajn se në vitin 1997 më ka vrarë babanë”. Kjo mësohet të ketë qenë dëshmia e njërit prej të akuzuarve kryesorë për vrasjen e emigrantit më datë 26 dhjetor, Miço Osmanit. Polica e Fierit bën të ditur se mëngjesin e djeshëm ka arrestuar dhe dy bashkëpunëtorët e Osmanit dhe përkatësisht, Sotir Hajdini dhe Romeo Osmani. Gjithashtu polica bën të ditur se ka vënë në pranga dhe Thanas Abedinin, i cili dyshohet se i ka ndihmuar për t’u arratisur tre autorët e dyshuar të vrasjes.
Dëshmia
Përpara oficerëve të policisë, Miço Osmani mësohet se ka deklaruar se vrasjen e ka kryer për motive hakmarrjeje, pasi, sipas tij, në vitin ‘97 e ka lënë jetim duke i vrarë të atin. Në mars të këtij viti, Isuf Osmai është vrarë bashkë me disa romë të tjerë në lagjen “1 Maji” në qytetin e Fierit dhe për këtë vrasje, i dyshuari kryesor, Miço Psmani, ka akuzuar viktimën. Ndërkohë që mësohet se marrja e tij në pyetje ka zgjatur për disa orë në ambientet e Komisariatit të qytetit të Fierit.
Arrestimet
Mëngjesin e djeshëm janë vënë në pranga dhe dy bashkëpunëtorët e Osmanit, Sotir Hajdini dhe Romeo Osmani, ndërsa vetë Osmani është arrestuar një ditë pas ngjarjes në banesën e tij. Në pranga ka përfunduar edhe Thanas Abedini, i cili, sipas policisë, akuzohet për përkrahje të autorëve. Sipas të dhënave të para të hetimit, pas vrasjes tre autorët po kërkonin të largoheshin në drejtim të Greqisë për të humbur gjurmët dhe për këtë do t’i ndihmonte Abedini.
Ngjarja
Sipas policisë, Hazizaj, me automjetin e tij, kishte kaluar në fshatin Levan të Fierit, ndërsa ikte për në Frakull. Tre adoleshentët e kanë ndaluar dhe i kanë hipur të armatosur në automjet, duke e drejtuar për në tunelin e ish-Repartit të Tankeve të ushtrisë. Aty i kanë marrë 3 mijë lekët që kishte me vete, celularin dhe sende të tjera personale dhe më pas e kanë ekzekutuar me armë automatike. Autorët kishin përdorur sërish mjetin e viktimës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Automjeti është gjetur nga banorët rreth 2 kilometra larg vendit ku u ekzekutua Hazizaj. Po sipas burimeve policore, mjeti ishte lënë pranë lagjes së tre romëve të dyshuar si autorë. Të sinjalizuar nga banorët për mjetin e braktisur, oficerët e shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Fierit kanë kryer krehjen e zonës duke gjetur më pas brenda në tunel trupin e pajetë të Hazizajt. Policia ka vijuar me grumbullimin e informacioneve në rrugë operative për personat që ishin parë të lëviznin me mjetin e braktisur. Ishin këto informacione që zbuluan se në makinën e viktimës kishin qenë tre të dyshuarit, dhe kaq ka mjaftuar që shërbime të shumta të policisë të nisnin kontrollet në banesat e tyre. Policia ka gjetur vetëm Miço Osmanin në banesë, ndërsa dy të tjerët rezulton të ishin larguar fill pas ngjarjes. Arrestimi i tyre është bërë i mundur vetëm mëngjesin e djeshëm.

Gjykata rrëzon kërkesën, Ilir Mata sërish padi

Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e Ilir Matës për pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Ndërtimit lidhur me prishjen e pallatit 12-katësh në qendër të Tiranës. Në vendimin e marrë ditën e djeshme thuhet se kjo kërkesë rrëzohet pasi nuk është e bazuar në ligj për shkak se Mata dhe avokati i tij i janë referuar një dispozite të gabuar ligjore. Sipas gjykatës, baza ligjore e ofruar nga ana e paditësve nuk është e saktë dhe si e tillë, kërkesa e tyre nuk mund të pranohet. Ndërkohë që vetëm disa orë pas shpalljes së vendimit, Ilir Mata ka depozituar një tjetër padi po në këtë gjykatë, duke iu referuar bazës ligjore të cilën gjykata e deklaronte si të saktë. Në këtë mënyrë pritet që të vazhdojë sërish odiseja e prishjes ose jo të pallatit 12-katësh në qendër të Tiranës. Ilir Mata, i cili rezulton të jetë kunati i deputetit socialist Dashamir Peza, u akuzua publikisht nga kryeministri Berisha se ka marrë në mënyrë të padrejtë prej kryebashkiakut Rama dhjetëra metra katrorë në qendër të Tiranës. E menjëherë pas këtyre akuzave u ndërmor edhe aksioni i forcave të Policisë Ndërtimore, bazuar në një vendim të Inspektoratit të Ndërtimit, sipas të cilit pallati 12-katësh që ai ishte duke ndërtuar rezultonte të kishte shkelur disa rregulla. Vetë deputeti Peza e ka cilësuar këtë sulm ndaj kunatit të tij me tendencë politike, e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me pozicionimin e tij politik.

Vihet në pranga shoferi, plagosi tre persona

ELBASAN - Aksidenton tre persona, vihet në pranga shoferi. Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 34-vjeçarin Viktor Kapllani, lindur e banues në fshatin Progër të Peqinit, pasi ka shkaktuar një aksident rrugor me pasojë plagosjen e tre personave. Lajmi konfirmohet nga burime të policisë së Elbasanit, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Peqin – Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjocajt”. Mësohet se aty Kapllani ka qenë duke drejtuar automjetin tip BMW, me targë AN 018 PA dhe është përplasur me automjetin tip “Suzuki”, me targa YZT 9458, i cili drejtohej nga 34-vjeçari K. I., lindur e banues në fshatin Lënie të Gramshit. Si pasojë e këtij aksidenti janë dëmtuar personat T. I., vjeç 32 dhe T. I., vjeç 26, që të dy të lindur dhe banues në Lënie të Gramshit, por edhe ai me inicialet B. I., 7 vjeç, që të gjithë të cilët ishin pasagjerë në automjetin tip “Suzuki”. Pasi morën ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Peqinit ata rezultojnë të jenë jashtë rrezikut për jetën.
Kapet me hashash, pranga 23-vjeçarit

TIRANË - Një 23-vjeçar është arrestuar dje nga Antidroga e Policisë së Tiranës, pasi u kap me një sasi lënde narkotike. Leonard Almeta, 23 vjeç, u arrestua dje pas u kap në flagrancë me qese brenda të cilave kishte bimë me ngjyrë jeshile, të dyshuar narkotike të llojit Cannabis sativa, me peshë në total 7.6 gramë, me gjithë ambalazh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7.6 gramë bimë e dyshuar e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa e paketuar me dy qese farmacie dhe një telefon celular tip “Samsung”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”.

29 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›