Politekniku, miratohen kuotat dhe tarifat për Masterin e Nivelit të Parë
Jonida Tashi
Miratohen kuotat pranimit dhe tarifat e studimit për Masterin e Nivelit të Parë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Vendimi është marrë dje nga qeveria në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për vitin 2009. Konkretisht, qeveria me propozim të ministrit të Arsimit dhe drejtuesve të Politeknikut ka miratuar hapjen e programeve të studimit “Master i Nivelit të Parë”, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të Universitetit Politeknik të Tiranës.
Masterat
Programet e miratuara të studimit për Masterin e Nivelit të Parë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të jenë si më poshtë vijon: “Tekstil dhe Stilim mode”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Parë” (MNP), në Tekstil dhe Stilim mode; “Planifikimi i sistemeve të transportit, menaxhimi i trafikut dhe siguria rrugore”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Parë”, (MNP), në Planifikimi i sistemeve të transportit, menaxhimi i trafikut dhe siguria rrugore. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë” realizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit. Sipas vendimit të qeverisë, këto programe studimi do ta fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010.
Kuotat dhe tarifat
Në total, kuota e pranimeve në programet “Master i Nivelit të Parë”, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, për vitin akademik 2009-2010, do të jetë 50 pranime. Ndërkaq, kjo kuotë totale është ndarë në mënyrë të barabartë midis dy programeve të ndryshme të studimit, ku 25 kuota do të jenë për masterin “Tekstil dhe Stilim mode”, dhe 25 të tjera për “Planifikimin e sistemeve të transportit, menaxhimi i trafikut dhe siguria rrugore”. Ndërsa tarifat vjetore të shkollimit për studentët, që do të regjistrohen me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, do të jenë, si më poshtë vijon: “Tekstil dhe Stilim mode”, 60 mijë lekë; “Planifikimi i sistemeve të transportit, menaxhimi i trafikut dhe siguria rrugore”, 75 mijë lekë. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Programet e miratuara
Master i Nivelit të Parë në Tekstil dhe Stilim mode
Master i Nivelit të Parë në Planifikimi i sistemeve të transportit, menaxhimi i trafikut dhe siguria rrugore
Kuotat e pranimit
Tekstil dhe Stilim mode, 25 kuota
Planifikimi i sistemeve të transportit, menaxhimi i trafikut dhe siguria rrugore, 25 kuota
Tarifat e studimit
Tekstil dhe Stilim mode, 60 000 lekë
Planifikimi i sistemeve të transportit, menaxhimi i trafikut dhe siguria rrugore, 75 000 lekë
Konferenca e fundvitit
Myqerem Tafaj: “Arsimi i mesëm, pas vitit 2013 do të jetë i detyruar”
Arsimi i mesëm, pas vitit 2013 do të jetë i detyruar. Kështu ka deklaruar dje në konferencën e fundit për vitin 2009, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Kreu i Arsimit ka zbardhur në këtë ndryshimet që do të pësojë sistemi arsimor në vend. Lidhur me vendosjen e gjimnazit me detyrim për të gjithë nxënësit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, u shpreh se gjatë këtyre viteve duhet të studiohen kapacitetet, si nga ambientet po ashtu dhe nga burimet njerëzore. Sipas Tafaj, për realizimin e këtij vendimi do të ndiqen dhe modelet që kanë vendet e rajonit. “Deri në vitin 2013 detyra jonë është të përgatisim kapacitetet. Pastaj do shohim si do të reagoje publiku shqiptar. A do të jetë gati publiku shqiptar që të merret ky vendim politik që nuk do të jetë një vendim i lehtë, por një vendim i rëndësishëm dhe shumë afatgjatë”,- tha Tafaj. Më tej kreu i Arsimit është ndalur edhe në ndryshimet që do të pësojë ligji “Për arsimin e lartë”, të cilat ai i ka konsideruar si tepër të rëndësishme. Tafaj ka rikonfirmuar edhe njëherë deklaratën e bëra pak kohë më parë se do të ketë një ndryshim të Ligjit të Arsimit, çka do të pasojë me një ndryshim të sistemit të diplomimit të studentëve. “Do të kemi një sistem shumë të thjeshtë, sistemi Bachelor, Master dhe Doktoratë. Niveli i masterit do të ketë mastera profesionalë, por ne do të heqim Masterin e Nivelit të Dytë. Është një nivel i cili ka shkaktuar një problem në sistemin e arsimit të lartë”,- deklaroi ministri i Arsimit. Në konferencën e fundit të vitit Tafaj ka bërë të ditura përciptazi dhe nisma të tjera të Ministrisë që ai drejton, ku në veçanti është dhe ajo për ndryshimet që do të bëhen në reformën e Altertekstit. Tashmë nuk do të ketë një konkurrim mes shtëpive botuese, por mes autorëve të teksteve, ku gjithçka do të jetë transparente.
Festat, Topalli shpërndan dhurata për fëmijët jetim në Vlorë
Në prag të festës së ndërrimit të viteve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitoi dje shtëpinë e fëmijëve jetimë “Uji i Ftohtë”, Vlorë. E gjendur mes fëmijëve të moshave të ndryshme, disa prej tyre edhe foshnja të porsalindura, Jozefina Topalli uroi që ata të rriten të mirë e të lumtur dhe të shohin dëshirat e tyre të realizohen. “Unë uroj që këta fëmijë të rriten të shëndetshëm, të lumtur dhe gjithmonë me fat të mirë”,- tha Topalli. Më tej, kryetarja e Kuvendit falënderoi stafin e shtëpisë së fëmijëve jetimë të Vlorës për punën e mrekullueshme që bëjnë, për përkujdesjen që tregojnë ndaj këtyre fëmijëve dhe për dashurinë që u falin çdo ditë. “Unë e lexoj në sytë tuaj sesi i mbani dhe kujdeseni për këta fëmijë”- pohoi kryeparlamentarja, duke vlerësuar edhe ambientin mikpritës dhe familjar të krijuar për ta. Topalli shpërndau dhurata për të gjithë fëmijët e kësaj qendre.
29 Dhjetor 2009